2026.04.23 Viaggio Apostolico in Guinea Equatoriale - Santa Messa nello Stadio di Malabo

Papa në Guine: Kisha të kumtojë me gëzim Fjalën e Zotit, "bukë e mirë për të gjithë"

Në Meshën e kremtuar në stadiumin Malabo, takimi i tij i fundit në Guinenë Ekuatoriale, Leoni XIV kujtoi se kur mbizotëron "trishtimi individualist", fryt i një zemre lakmitare, "është pikërisht dashuria e Zotit ajo, që e mbështet impenjimin tonë, sidomos atë në shërbim të drejtësisë dhe të solidaritetit". Me Zotin, "problemet tona nuk zhduken, por - pohoi Papa - shndriten: ashtu si çdo kryq gjen shëlbim në Jezusin, ashtu edhe në Ungjill historia e jetës sonë gjen kuptimin e vet"

R.SH. – Vatikan

Një hapësirë ​​shumëngjyrëshe, por jo me bluzat e ndryshme të ekipeve të futbollit e as kori i britmave të njerëzve nuk është ai i tifozëve e, megjithatë, ndihet atmosfera e stadiumit. Pikërisht në stadiumin e Malabos, ku Papa kremton meshën para 30.000 besimtarëve, përpara se t'i japë lamtumirën Guinesë Ekuatoriale dhe të kthehet në Vatikan, nuk u luajt ndonjë ndeshje e Kupës së Afrikës, siç ndodh zakonisht, por u kremtua takimi me Pasardhësin e Pjetrit, atë që sjell "Krishtin, dritën e Guinesë Ekuatoriale, drejt një të ardhmeje shprese", siç thotë motoja e etapës së fundit të udhëtimit apostolik të Leonit XIV. Entuziazmi është i madh, siç ka qenë ditët e fundit, ashtu si edhe heshtja, që bie kur Papa filloi homelinë, me të cilën i siguroi afrikanët se Jezu Krishti jep jetë, duke çliruar nga skllavëria:

“Ju inkurajoj të gjithëve, inkurajoj Kishën që jeton në Guinenë Ekuatoriale, të vazhdoni me gëzim misionin e dishepujve të parë të Jezusit. Duke lexuar së bashku Ungjillin, të jeni kumtues të apasionuar të tij, siç ishte Filipi diakon. Duke kremtuar së bashku Eukaristinë, dëshmoni me jetën tuaj fenë që shpëton, në mënyrë që fjala e Zotit të bëhet bukë e mirë për të gjithë!”

  (@Vatican Media)

Fjala e Zotit ndriçon jetën

Papa përmendi forcën e Shkrimit të Shenjtë, që udhëheq jetën e çdo njeriu, duke u frymëzuar pikërisht nga eunuku i mbretëreshës etiopase, që u takua me Filipin diakon. Ajo që e çliron eunukun është forza e Ungjillit, e cila i flet drejtpërdrejt dhe zgjon në të pyetje për të vërtetën. Hyn kështu në historinë e shëlbimit, e cila mirëpret çdo burrë e çdo grua, veçanërisht të shtypurit, të mënjanuarit dhe të fundmit. I pagëzuar, eunuku bëhet "bir i Zotit, vëllai ynë në fe”, shembull se si çdo besimtar mund të rilindë dhe të jetojë plotësisht.

“Së bashku e lexojmë Shkrimin e Shenjtë si pasuri të përbashkët të Kishës, duke pasur si udhërrëfyes Shpirtin Shenjt, i cili e frymëzoi hartimin e tij, si edhe Traditën apostolike, e cila e ka ruajtur dhe e ka përhapur në të gjithë botën. Siç kërkon eunuku, edhe ne mund ta kuptojmë fjalën e Zotit falë një udhërrëfyesi, që na shoqëron në udhëtimin tonë të fesë, siç është Filipi diakon”.

  (@Vatican Media)

Eukaristia, buka e jetës së amshuar

Papa i lidhi gjestet e Jezu Krishtit me manën e shkretëtirës, ​​simbol mbështetjeje dhe premtimi:

"Eukaristia, buka e shuguruar nga Ai, që zbriti nga qielli për të qenë ushqimi ynë. …kush ha nga kjo bukë jeton për amshim, sepse Krishti është gjallë! Ai është i Ringjalluri dhe vazhdon të japë jetën e tij për ne".

Me Pashkët, të gjithë njerëzit çlirohen nga skllavëria e së keqes dhe thirren të zgjedhin ndërmjet dëshpërimit dhe shpresës: "Pra, etja jonë për jetë dhe drejtësi shuhet nga fjalët e Jezusit: 'Buka që do të jap është korpi im për jetën e botës'".

  (@Vatican Media)

Kisha në shërbim të drejtësisë dhe të solidaritetit

Altari dominohej nga një kryq i madh, i rrethuar nga rreze prej druri të çelët dhe të errët, me riprodhime të pemëve tipike të zonës, që quhen “ceiba” dhe me shtatoren e Nuestra Señora de Bisila. Zoja me tipare delikate mban një fëmijë në krah. Para mbërritjes së krishterimit, ajo konsiderohej gruaja që, duke përdorur bimë natyrale, shpëtoi njerëzit nga murtaja, përfshirë shumë fëmijë. Në vitin 1986, Shën Gjon Pali II e shpalli Pajtore të kryedioqezës së Malabos. Leoni XIV, që e nderoi Zojën, shpjegoi se dashuria e Krishtit duket në shërbimin konkret:

"Ai na do i pari, gjithmonë: fjala e Tij është Ungjill për ne e s’kemi gjë më të mirë për t’ia shpallur botës... Përmes dëshmisë sonë, kumti i shëlbimit bëhet gjest, bëhet shërbim, bëhet falje: me një fjalë, bëhet Kishë!"

Papa i nxiti njerëzit të kapërcejnë "trishtimin individualist", fryt i një zemre lakmitare dhe, të dëshmojnë fenë në të gjitha bashkësitë, nga të varfrit te veprimtarët e paqes. "Është pikërisht dashuria e Zotit ajo, që e mbështet impenjimin tonë, sidomos atë në shërbim të drejtësisë dhe të solidaritetit", vërejti Leoni XIV.  Me Zotin, "problemet tona nuk zhduken, por - pohoi Ati i Shenjtë - shndriten: ashtu si çdo kryq gjen shëlbim në Jezusin, ashtu edhe në Ungjill historia e jetës sonë gjen kuptimin e vet". Lutjet e besimtarëve u alternuan në spanjisht, frëngjisht, anglisht dhe në gjuhët lokale “bubi” e “annobonese”, duke kujtuar përmasën universale dhe konkrete të misionit të Kishës.

Mesha në Malabo, mes simboleve kulturore dhe gjesteve liturgjike, e shndërroi stadiumin në një vend shprese, ku Fjala e Zotit bëhet "bukë e mirë për të gjithë" dhe e udhëzon çdo besimtar të jetojë në gëzim, drejtësi dhe solidaritet.

23 prill 2026, 12:43