Papa, në ditën e dytë në Algjeri, shkon në Annaba, në gjurmët e Shën Augustinit
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni, në ditën e dytë të udhëtimit të tij apostolik në Algjeri, zhvendoset në Annaba, qyteti i lashtë i Hippos (Ippona), për një vizitë në vendin arkeologjik.
Vizita e Papës në Annaba, në Hiponën e lashtë, mobilizoi gjithë qytetin—të krishterë e myslimanë së bashku. Leoni XIV fillon këtë të martë, më 14 prill, etapën e dytë të udhëtimit të tij në tokën algjeriane, mbi gjurmët e një historie që është njëkohësisht intime dhe universale: ajo e shën Augustinit, algjerian me origjinë—lindur në vitin 354 në Taghaste-n e dikurshme, në zemër të Numidisë romake, sot Souk Ahras—një figurë që ngjall krenari në vend dhe që, në kapërcyellin e viteve 2000, e ka rifituar sërish dimensionin e tij afrikan dhe algjerian.
Ati i Shenjtë në Annaba do të vendosë një kurorë me lule dhe do të ndalet për një çast të shkurtër në lutjeje.
Më pas, Leoni do të shkojë në Shtëpinë e pritjes së “Motrave të Vogla të Varfra” (Piccole Sorelle dei Poveri), një strukturë në kodrën e Annabës, e quajtur Lala Bouna, pranë Bazilikës së Shën Augustinit. Kjo shtëpi i kushtohet pritjes dhe përkujdesjes për të moshuar në nevojë, ose pa familje, përfshirë edhe myslimanët.
“Motrat e Vogla të Varfra” janë një institut rregulltar femëror i së drejtës papnore, me origjinë që daton në vitin 1839. Ato e filluan punën kur Jeanne Jugan (1792–1879) priti në shtëpinë e saj në Saint-Servan-sur-Mer, në Bretanjë, një grua të moshuar, të verbër dhe vetëm. Shpejt iu bashkuan dy bashkëpunëtore të tjera dhe, në vitin 1840, bashkësia mori formë të qëndrueshme. Themeluesja u shpall e lume nga Shën Gjon Pali II në vitin 1982 dhe u shpall shenjte nga Benedikti XVI më 11 tetor 2009.
Aktualisht, shtëpia në Algjeri drejtohet nga pesë murgesha, të cilat, me mbështetjen e personelit të paguar dhe të vullnetarëve, kujdesen për rreth dyzet të moshuar të strehuar. Shumica prej tyre janë myslimanë. Në shtëpi ka edhe një xhami të vogël dhe një kapelë. Struktura mbijeton edhe falë bamirësisë vëllazërore të banorëve të Annabës.
Në vazhdim të programit, Papa do të ketë një takim privat me anëtarët e FretërveAugustinian, dhe më pas do të drekojë.
Në orët e para të pasdites, Leoni do të kremtojë në Bazilikën e Shën Augustinit Meshën në nderim të Ipeshkvit dhe Mësuesit të Kishës, me praninë e rreth 1.500 besimtarëve. Në fund, kthimi në Algjer.
