Papa mes të burgosurve të Afrikës: investoni në dinjitetin e çdo njeriu

Leoni XIV viziton dy qytete të Guinës Ekuatoriale në një ditë dhe hyn në një burg. Në Bazilikën e Mongomos thirrja: «Ka uri për të ardhmen, shpresë, vëllazëri dhe paqe». Para të burgosurve në Bata, apel për një drejtësi që nuk ndëshkon vetëm, por rindërton jetë.

R.SH. – Vatikan

Në një nga vendet më të ashpra të Guinesë Ekuatoriale, në burgun e Batës, Papa Leoni XIV mbërrin sot, më 22 prill, me një mesazh kuptimplotë: asnjë faj nuk e zhduk dinjitetin njerëzor dhe asnjë histori nuk përjashtohet nga mundësia e rilindjes në jetë të re. Ndërsa organizatat humanitare denoncojnë si kritike kushtet e burgjeve e sisitemi gjyqësor vihet shpesh në diskutim nga vëzhguesit ndërkombëtarë, Papa propozon një vizion drejtësie të bazuar jo në ndëshkimin, por në pajtimin.

“Askush nuk përjashtohet nga dashuria e Zotit”

Qendra e përshëndetjes papnore për të burgosurit e të pranishmit e tjerë është një pohim i thjeshtë, por radikal:

“Askush nuk përjashtohet nga dashuria e Zotit! Secili prej nesh, me historinë e vet, me gabimet dhe vuajtjet e veta, vazhdon të jetë i çmuar në sytë e Hyjit”.

Këto fjalë kanë peshë të veçantë në një burg të njohur për kushtet e ashpra, shpesh, i përmendur për mbipopullimin, mangësitë strukturore dhe rastet jo aq të qarta në trajtimin e të burgosurve, që përfundojnë në të, për shkak të një drejtësie, që jo gjithnjë funksionon. Papa përmend si paradigmë figurën e Krishtit:

“Edhe i arrestuar, i dënuar dhe i ekzekutuar pa asnjë faj, Ai na deshi deri në fund”.

Nuk është vetëm ngushëllim shpirtëror ai, që ofron Ati i Shenjtë, por edhe bën të nënkuptohet qëndrimi i tij para sistemeve penale, që ka rrezik ta identifikojnë njeriun me krimin, duke ia cënuar dinjitetin një herë e përgjithmonë.

Drejtësia dhe pajtimi: përtej ndëshkimit

I pritur nga ministri i Drejtësisë dhe nga autoritetet e burgut, pas një ndalese për lutje në katedralen e qytetit të Batës, Papa hyn në oborrin e burgut, ku të burgosurit dhe personeli dëgjojnë një mesazh, që u drejtohet institucioneve:

"Drejtësia e vërtetë nuk përpiqet aq të ndëshkojë sesa, mbi të gjitha, të ndihmojë në rifillimin e jetës si për viktimat, ashtu edhe për fajtorët".

Në Guinenë Ekuatoriale, ku organizatat e të drejtave të njeriut denoncojnë kufizimet në sundimin e ligjit, këmbëngulja për një sistem drejtësie, "që investon në dinjitetin dhe potencialin e çdo personi" tingëllon si thirrje për reforma konkrete. "Nuk ka drejtësi pa pajtim", ngre zërin Leoni XIV.

Papa e hedh vështrimin përtej mureve të burgut: shërimi, sugjeron ai, është detyrë kombëtare, që përfshin bashkësitë, familjet dhe institucionet.

Burgu si vend i mundshëm i rilindjes

Boshti i tretë i fjalimit ka të bëjë me shpresën konkrete, me atë lloj shprese, që mund të vihet në veprim:

"Edhe nëse burgu duket si vend vetmie dhe shkretie, kjo kohë mund të kthehet në kohë reflektimi, pajtimi dhe zhvillimi personal", nënvizon Ati i Shenjtë.

Papa prek një çështje të ndieshme për burgjet afrikane: mungesën e programeve edukative dhe të punës.

"Të bëhet gjithçka është e mundur që në burg të jepet mundësia për të studiuar dhe për të punuar me dinjitet", kërkon ai.

Leoni XIV përfundon me një mesazh drejtuar jo vetëm të burgosurve, por edhe krejt një vendi të ri si Guinea Ekuatoriale, përshkuar nga pabarazi të thella:

"Mos lejoni që e kaluara t'ju grabisë shpresën në të ardhmen... çdo ditë mund të jetë një fillim i ri".

Në një qytet si Bata, me histori të ndërlikuar koloniale dhe me transformime të shpejta ekonomike, vizita merr kështu vlerë simbolike: çon dritë në një nga vendet më të errëta, duke kujtuar se edhe atje mund të lindë diçka e re.

22 prill 2026, 18:21