Papa në Bamenda: "Mjerë ata që manipulojnë fenë për luftë, ose për politikë"
R.SH. Vatikan
Tashti që në Kamerun ka armëpushim dhe dhuna e pareshtur është ndalur, Papa Leoni XIV, në ditën e dytë të vizitës në këtë shtet, shkoi në Bamenda – një qytet anglishtfolës në pjesën veriperëndimore të vendit.
Pas takimit me autoritetet vendore në aeroport, Papa shkoi në katedralen e Shën Jozefit, e cila shërben si selia e kryeipeshkëvisë së Bamendës. Atje u takua me bashkësinë e Bamendës, në një bisedë për paqen. Pas disa çasteve lutjesh në altarin e të Shejtnueshmit, Ati i Shenjtë dhe kryeipeshkvi Andrew Nkea Fuanya i Bamendës hynë në katedrale.
Pasi u prit me himne dhe me një përshëndetje nga kryepeshkopi, takimi i paqes vijoi me dëshmitë e kryetarit epror tradicional të Mankonit, Fon Fru Asaah Angwafor IV; pastaj foli Moderatori Emeritus i Kishës Presbiteriane, Fonki Samuel Forba; imami i Xhamisë Qendrore të Buea-s, Mohammad Abubakar; një rregulltare, motër Carine Tangiri Mangu, murgeshë e urdhërit të Shën Anës si edhe familja e shpërngulur e Denis Salo-s, gruas dhe tre fëmijëve të tyre.
Jam këtu për të shpallur paqen
Pasi dëgjoi dëshmitarët, Papa Leoni e bashkoi zërin e vet me të tyrin dhe vuri në dukje se si "përvoja e vuajtjeve" në bashkësi e ka forcuar besimin e tyre në praninë e vazhdueshme të Zotit.
Papa filloi duke reflektuar mbi fjalët e kryeipeshkvit Fuanya, marrë nga profeti Isai: "Sa të bukura janë ndër male këmbët e lajmëtarit që shpall paqen!" (Isaia 52:7). Përgjigja e tij u përqendrua te bukuria e «këmbëve» të komunitetit Bamendan "të pluhurosura nga kjo tokë e përgjakur, por pjellore, një tokë që është keqtrajtuar, por e pasur me bimësi dhe fruta".
Këmbët e tyre i kanë çuar larg pavarësisht sfidave me të cilat janë përballur, dhe kjo bashkësi ka “mbetur në rrugën e mirësisë”. Papa Leoni shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në qytet. “Sepse”, theksoi ai, “është e vërtetë: Unë jam këtu për të shpallur paqen”. Por, Ati i Shenjtë, Leoni XIV vuri në dukje gjithashtu, se banorët e Bamendës i kishin përcjellur atij mesazhin e paqes.
Ju jeni «qyteti mbi kodër»
Duke u kthyer te një nga dëshmitarët, ai theksoi se si kriza që prek Kamerunin (një konflikt i armatosur i vazhdueshëm midis separatistëve dhe qeverisë) i ka afruar komunitetet e krishtera dhe myslimane. "Në të vërtetë, udhëheqësit tuaj fetarë janë bashkuar për të krijuar një «Lëvizje për Paqe», përmes së cilës ata kërkojnë të ndërmjetësojnë midis palëve kundërshtare", theksoi ai.
Papa Leoni theksoi shpresën dhe dëshirën e tij që kjo të jetë e mundur në vende të tjera anembanë botës. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi kundër atyre që "manipulojnë fenë dhe vetë emrin e Zotit për përfitimet e tyre militariste, ekonomike dhe politike, duke tërhequr zvarrë drejt territ dhe ndyrësisë atë çka është e shenjtë".
Leoni XIV theksoi se populli i Bamendës, pavarësisht këtij konflikti pothuajse dhjetëvjeçar, është drita e botës sepse ky popull ka uri dhe etje për drejtësi. "Bamenda, sot ju jeni qyteti mbi kodër, që shkëlqen në sytë e të gjithëve", tha Papa, duke u dhënë zemër banorëve që të mos ligështohen.
Për të shkatërruar duhet vetëm një çast
Duke iu drejtuar atyre, veçanërisht grave laike dhe rregulltare, të cilat përkujdesen për të traumatizuarit nga dhuna, Papa tha dy fjalë mirënjohjeje për punën e tyre, e cila shpesh kalon pa u vënë re por që është edhe e rrezikshme.
"Zotërinjtë e luftës" shtiren se nuk e dinë se "duhet vetëm një moment për të shkatërruar dhe se shpesh një jetë nuk është e mjaftueshme për të rindërtuar". Papa u ankua se si pushtetarët mbyllin sytë ndaj miliarda dollarëve të shpenzuar për vrasje dhe shkatërrime, "megjithatë burimet e nevojshme financiare për shëndetin, arsimin dhe ushqimin nuk gjenden askund".
Njerëzit që i “mjelin” tokat afrikane, nga ana tjetër i përdorin paratë për armë, "duke përjetësuar një cikël të pafund destabilizimi dhe vdekjeje". Papa Leoni argumentoi se si kjo është një botë e përmbysur dhe i nxiti të gjithë të denoncojnë dhe ta refuzojnë këtë shfrytëzim të planetit tonë, të krijuar nga Zoti.
Ati i Shenjtë bëri thirrje për "një ndryshim vendimtar të kursit – një kthim në fé të vërtetë – që do të na çojë në drejtimin e kundërt, në një rrugë të qëndrueshme të begatë me vëllazërim njerëzor". Bota po “shkatërrohet nga një grusht tiranësh, por prapseprap mbahet e bashkuar nga një mori vëllezërish dhe motrash që ndihmojnë”.
Paqja nuk është diçka që mund të shpiket. Përkundrazi, theksoi Ati i Shenjtë, është diçka që e zbulojmë kur e pranojmë të afërmin si vëllanë ose motrën tonë. Familja nuk është diçka që zgjedhim por njerëz që duhet t’i pranojmë ndërsa jetojmë së bashku në të njëjtën shtëpi të përbashkët.
Në mbyllje, Leoni XIV kujtoi fjalët e Papa Françeskut në enciklikën «Evangelii Gaudium»: “Misioni im i të qenit në zemrën e njerëzve nuk është vetëm një pjesë e jetës sime… kjo është arsyeja pse gjendem këtu, në këtë botë” (nr. 273). Me të njëjtën zemër dhe të njëjtin mision tha Papa Leoni se ka ardhur në Bamenda.
Prandaj, Ati i Shenjtë i bëri thirrje secilit prej nesh të bëhet pjesë e revolucionit të heshtur të ecjes së bashku, duke e pasuruar në mënyra konkrete misionin e dashurisë për të afërmit tanë. “Siç tha imami, le ta falënderojmë Zotin që kjo krizë nuk është shndërruar në një luftë fetare dhe se ne ende po përpiqemi ta duam njëri-tjetrin”.
[Shënim i redaksisë shqipe: shprehja «Qyteti në kodër» (ang. A city upon the hill) është marrë nga Besëlidhja e re (Mat. 5, 14) dhe ka kuptimin e ndërtimit të Jeruzalemit të ri. Me këtë shprehje në mendje dhe në zemër, për ndërtimin e «një qyteti të ri në kodër», u nisën nga Evropa banorët që kolonizuan SHBA. Shprehja ka kuptimin e krijimit të një qyteti të drejtë, të begatë, të themeluar në djersën e njerëzve dhe jo në grabitjen e pasurive të të tjerëve.]
