Kërko

Pamje e Bamendës, Kamerun nga rruga malore sipër qytetit. Pamje e Bamendës, Kamerun nga rruga malore sipër qytetit.

Papa në Bamenda lutet për dhuratën e paqes dhe të pajtimit

Leoni XIV viziton bashkësitë në këto vise të rrënuara nga dhuna ndërmjet anglofonëve dhe forcave qeveritare frankofone, si edhe nga varfëria e thellë. Njerëzit mezi presin një mesazh bashkimi dhe ripërtëritjeje aq të nevojshme për paqen. Flet Pina Uwimana e «Lëvizjes Fokolare»: Do të lutemi me të që Kameruni të jetë një popull dhe një zemër e vetme.

R.SH. / Vatikan 

Janë rritur shpresa dhe gëzimi që ka sjellë mbërritja e Papës ndër banorët e Bamendës, kryeqytetine Veriut të Perëndimit të Kamerunit, njërit prej dy zonave anglofone në veriperëndim dhe jugperëndim të vendit. Leoni XIV mbërriti sot, më 16 prill, "pas të gjitha atyre që kemi kaluar", thonë banorët, pas gati dhjetë vitesh konflikti ndërmjet forcave të qeverisë qendrore në Yaoundé dhe grupeve separatiste nga Republika e Ambazonisë, siç ia kanë ndërruar emrin kësaj zone guerrilasit, një shtet i panjohur ndërkombëtarisht. Dhuna filloi në vitin 2016, dhe shkaktoi me mijëra të vdekur dhe afërsisht 700,000 vetë të shpërngulur. Një luftë e tillë civile nxitet nga aspiratat e të ashtuquajturve "Amba Boys" dhe ka si synim t’i japë fund mënjanimit që po vuajnë e për të cilin mbajnë si shkaktare qeverinë qendrore frankofone.

Ripërtëritja

Mbërritja e Papës është një ngushëllim i madh për të gjithë, i pritur me krahë hapur nga ata që thonë se janë gati të ushqejnë farën e shpresës që Papa do të lërë pas dhe ta bëjnë atë të rritet. Të gjithë ndihen të thirrur si protagonistë të ripërtëritjes, dhe ky "është çasti i përsosur", thonë ata, tashti që kanë marrë zemër fort nga armëpushimi treditor i shpallur nga separatistët anglofonë. Ky qëndrim i separatistëve është diktuar nga "rëndësia e thellë shpirtërore" e vizitës papnore dhe nevoja për të mbrojtur jetën e civilëve, të cilët do të udhëtojnë për të marrë pjesë në çastin e shumëpritur, takimin e paqes në Katedralen e Shën Jozefit me të gjithë komunitetin, të përbërë nga fe të ndryshme dhe nga dy gjuhë të ndryshme, franceze dhe angleze.

Një fillim i ri

Ky do të jetë fillimi i një epoke të re dhe janë të shumtë ata që e besojnë këtë sepse do të jetë "tryeza e takimit", ku do ta shohin njëri-tjetrin në sy dhe do të deklarojnë së bashku se është koha për të kapërcyer pengesat, për një Kamerun vërtet të bashkuar dhe paqësor, shprehen vendasit. Prania e Papës, shpresojnë banorët e këtushëm, do të jetë një paralajmërues i të gjitha këtyre risive. Askush nuk e priste që Papa të vinte në Bamenda, dhe kjo gjë tani konsiderohet si një moment historik, një "shenjë se është vetë Zoti që po na viziton".

Varfëria dhe kriza humanitare

Ka shpresa që kjo vizitë të jetë gjithashtu një fillim i ri për të mposhtur varfërinë dhe krizën dramatike humanitare që po shkatërron këto vise. "Këtu, në Bamenda," shpjegon Pina Uwimana e «Lëvizjes Fokolare», "është streha e të gjithë atyre që kanë ikur nga fshatrat, njerëz që kanë ikur pa asgjë, që kanë ardhur erdhën të jetojnë dhe nuk kanë gjetur asgjë këtu. Shpesh, nuk ka energji elektrike, as ujë, por mbi të gjitha, as punë". Banorët e Bamendës, shpjegon ajo, janë njerëz besimtarë, të etur për t’u takuar me Papa Leonin XIV. "Ata thonë se ai vjen për t'u lutur për dhuratat e paqes, pajtimit dhe për dhuratën e jetës". Të gjithë në Bamenda besojnë te diçka, dhe tani besimi i tyre "është drejtuar nga Papa, i cili vjen për të nxitur dialogun". Një aspekt themelor që Uwimana thekson është se feja nuk është pikë ndarjeje në këtë rast, por arsyeja e ndasisë "është thjesht një çështje gjuhe".

Eksodi i të rinjve

Sfida më e madhe do të jetë ajo që vjen më pas, por fjalët e Papës do të merren parasysh, pohon me bindje kjo gruaja veprimtare, sepse "unë i dëgjoj ata që flasin në taksi, në autobusë, në treg dhe të gjithë presin fjalën e Papës. Kjo krizë nuk e ka vënë në dyshim besimin e tyre; të gjithë vazhdojnë të luten dhe të kenë besim", pavarësisht dhunës. Dhe ashtu si me pjesën tjetër të vendit, problem mbetet eksodi i të rinjve, shumë prej të cilëve duan të largohen nga vendi të shtyrë nga dëshira për të pasur një jetë më dinjitoze. Gratë në veçanti, "të cilat vuajnë më shumë, të cilat që në moshë shumë të re nuk janë më në gjendje të shkojnë në shkollë ose të gjejnë një punë dhe që shpesh kanë fëmijë me burra të ndryshëm", përballen me një jetë të shënuar nga vetmia dhe varfëria. Dhe pikërisht te këto është përqendruar puna e «Lëvizjes Fokolare», me rihapjen e shtëpive që mund t'i mirëpresin dhe gjithashtu t'u mësojnë një zanat.

"Ne po presim Papën", përfundon Pina Uwimana. "Ai do të vijë të lutet me ne, dhe ne jemi me të në lutje, për këtë dhuratë paqeje, shprese dhe për të arritur dhuratën e pajtimi, në mënyrë që Kameruni të jetë një popull dhe një zemër e vetme."

16 prill 2026, 10:45