Kërko

Papa në Algjeri: në këtë vend martirësh, të kujtojmë se Zoti do paqe për çdo komb

Në Memorialin e martirëve të rënë në luftën kundër kolonializmit francez, Leoni XIV vuri në dukje vlerat për të cilat ka luftuar populli algjerian e nënvizoi edhe një herë se paqja “nuk është thjesht mungesë konflikti, por shprehje e drejtësisë dhe e dinjitetit”. Algjeria është vend i madh, me histori të gjatë e tradita të pasura, që nga koha e Shën Augustinit e më parë, vërejti Papa augustinian

R.SH. – Vatikan

Tre gjethe palme të stilizuara përbëjnë monumentin “Maqam Echahid” në kryeqytetin e Algjerisë, vendi i vizitës së parë të Papës Leoni XIV, gjatë udhëtimit të tij të sapofilluar në Afrikë. Është Memoriali i martirëve të rënë në luftën kundër kolonializmit francez, përuruar në shkurt 1982, në 20-vjetorin e pavarësisë. Rreth 5 mijë vetë dëgjuan fjalët e Atit të Shenjtë e përshëndetjen e tij të parë për gjithë “vëllezërit e motrat e Algjerisë”:

“Paqja qoftë me ju të gjithë! As-salamu alaykom!”

Rëndësia e faljes për paqen

Papa augustinian ka qenë edhe dy herë të tjera si rregulltar në këtë vend, por në herën e tij të parë si Papë shkoi për t’i thënë gjithë botës se sa vlera ka ky vend i madh, me histori të gjatë e tradita të pasura, që nga koha e Shën Augustinit e më parë. Histori e shënuar edhe nga dhuna, por që nuk e ka mposhtur zemrën e algjerianëve, në të cilën “miqësia, besimi, solidariteti, nuk janë thjesht fjalë, por vlera, që kanë rëndësi e i japin ngrohtësi e qëndrueshmëri jetës së përbashkët”.  Pikërisht, para monumentit të martirëve, Leoni XIV nuk harroi ta zgjerojë vështrimin mbi të gjithë botën në luftë:

“Në këtë vend, kujtojmë se Zoti dëshiron paqen për çdo komb: një paqe, që nuk është thjesht mungesë konflikti, por shprehje e drejtësisë dhe e dinjitetit. E kjo paqe, e cila na lejon të përballemi me të ardhmen me shpirt të pajtuar, është e mundur vetëm nëpërmjet faljes. Lufta e vërtetë për çlirim do të fitohet përfundimisht vetëm kur të arrihet më në fund paqja e zemrës. E di sa e vështirë është të falësh, megjithatë, ndërsa konfliktet vazhdojnë të shumohen në të gjithë botën, nuk mund të grumbullojmë mllefe e mllefe, brez pas brezi”.

Në trashëgiminë kulturore algjeriane, feja është qendrore

Dhuna nuk do ta ketë kurrë fjalën e fundit, vijoi Papa, duke uruar që Algjeria, udhëkryq kulturash e fesh, të japë kontributin e saj në dialogun ndërmjet brigjeve të Mesdheut. Ati i Shenjtë vuri në dukje se në trashëgiminë kulturore algjeriane, feja është qendrore: u shndrit jetën njerëzve, mbështet familjet dhe frymëzon ndjenjën e vëllazërimit.

“Bota jonë ka nevojë për të tillë besimtarë, burra dhe gra të fesë, të etur për drejtësi dhe unitet. Prandaj, përpara një njerëzimi, që dëshiron vëllazërim e pajtim, është dhuratë e madhe dhe impenjim i bekuar që të deklarojmë me forcë e të jemi gjithmonë, së bashku, vëllezër ndërmjet nesh e bij të Zotit!”

Lum të rënët për drejtësi, e tyre është Mbretëria e Zotit

Duke pasur parasysh të rënët për çlirimin e vendit nga kolonializmi, Papa Leoni XIV i mori si shembull e kujtoi fjalët e Jezu Krishtit, kur pyet se ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën, por humbet vetveten? Martirët, nënvizoi ai, e humbën jetën, por, duke e dhuruar me dashuri për popullin e tyre, fituan lirinë. E duke e përfunduar fjalën me lumnitë ungjillore, që janë premtimi i Krishtit për të gjithë ata, të cilët e mohojnë vetveten për Mbretërinë e Zotit, Ati i Shenjtë theksoi:

“Historia e tyre (e martirëve) ta mbështesë popullin algjerian dhe të gjithë ne në rrugëtimin tonë: sepse liria e vërtetë jo vetëm trashëgohet, por zgjidhet çdo ditë”.

13 prill 2026, 12:05