Kërko

2026.04.22 Viaggio Apostolico in Guinea Equatoriale -  Santa Messa alla Basilica dellâ  Immacolata Concezione di Mongomo

Papa në Afrikë: forca e butë e paqes ungjillore

Etapat e shtegtimit të Leonit XIV – Algjeria, Kameruni, Angola dhe Guinea Ekuatoriale – kanë vlerë të shumëfishtë: Ati i Shenjtë u çon popullsive një mesazh shprese, duke i përforcuar në fe, mbështet Kishat lokale dhe promovon një kulturë paqeje në rajone, që shpesh preken nga sfida të vështira shoqërore, politike dhe sigurie

R.SH. - Vatikan

Në një kuadër ndërkombëtar mbushur me tensione politike e, nganjëherë, edhe me qëndrime të ashpra, Papa Leoni XIV ka zgjedhur e zgjedh një rrugë katërcipërisht ungjillore: atë të paqes, dialogut dhe refuzimit të polemikave. Me mbërritjen e tij në Algjeri të hënën e kaluar, më 13 prill, në fillim të një vizite historike - e para e një Pape në këtë vend - Ati i Shenjtë i dha tonin një papnie, që i jep përparësi takimit e jo konfliktit.

Ky udhëtim apostolik, që përfundoi javën e tij të parë me vizitat në tri vende – Algjeri, Kamerun e Angolë - filloi në një atmosferë të veçantë, pas kritikave kundër papnisë së Leonit XIV nga ana e presidentit të SHBA-së, Donald J. Trump. Kur u pyet nga gazetarët në avionin për Algjeri, Papa nuk nxiti polemika. Përkundrazi, deklaroi me qetësi: "Nuk dua të hyj në debat". Një përgjigje e matur, por thellësisht kuptimplote, që shpreh një qëndrim si shpirtëror, ashtu edhe diplomatik.

Megjithatë, Papa deshi të sqarojë se nuk i frikësohet as kritikës politike dhe as presionit të jashtëm: "Nuk kam frikë nga administrata Trump, as nga shpallja me zë të lartë e mesazhit të Ungjillit!" Me këto fjalë, Leoni XIV kujton se misioni i tij nuk është i bazuar në ndonjë logjikë pushteti apo kundërvënieje ideologjike, por në besnikërinë ndaj Ungjillit. Për të, bëhet fjalë për shpalljen e një mesazhi universal paqeje, edhe kur ndokujt nuk i shkon për shtat, ose kur ndeshet me rrymën e logjikës mbizotëruese.

Rëndësia simbolike e këtij udhëtimi të parë në Afrikë është tejet e madhe

Ky qëndrim është në përputhje me traditën e madhe të Kishës, e cila kërkon t’i përgjigjemi dhunës me butësi dhe përçarjes me bashkim. Duke refuzuar polemikat, Papa nuk e shmang konfrontimin, por e ngre atë në një nivel më të lartë. Zgjedh të mos mbetet i bllokuar në diskutime të shterpëta, duke preferuar të hapë shtigje dialogu ndërmjet popujve dhe kombeve.

Rëndësia simbolike e këtij udhëtimi të parë në Afrikë është tejet e madhe. Duke shkelur në Algjeri, një vend takimi ndërmjet kulturave, feve dhe historive, nganjëherë të shënuara nga vuajtjet, Leoni XIV dëshmon dëshirën për të ndërtuar ura. Mesazhi i tij u drejtohet jo vetëm udhëheqësve politikë, por edhe të gjithë njerëzve: paqja është e mundur, me kusht që të mos i lejojmë tensionet të shkallëzohen dhe të privilegjojmë dëgjimin e njëri-tjetrit.

Ky udhëtim njëmbëdhjetëditor apostolik nuk kufizohet vetëm në Algjeri. Papa udhëtoi më pas për në Kamerun e Angolë e, javën që vjen, edhe në Guinenë Ekuatoriale. Zgjedhja e destinacioneve ka një rëndësi të dyfishtë. Nga njëra anë, ajo ripohon centralitetin e "kontinentit të ri" për Selinë e Shenjtë; nga ana tjetër, ajo përvijon drejtimin doktrinar dhe gjeopolitik, që Papa është përpjekur të japë që nga fillimi i magjisterit të tij. Duhet pasur gjithmonë parasysh se në Afrikë, Kisha Katolike është një fuqi demografike dhe shoqëroro-politike. Numri i besimtarëve është rritur nga 185 milionë në vitin 2013 në 288 milionë në vitin 2024. Kjo dinamikë nuk është vetëm rezultat i rritjes demografike të kontinentit, por edhe i përpjekjeve intensive të ndërmjetësimit dhe të zbatimit të një doktrine shoqërore, për të cilën Vatikani është në linjën e parë të frontit. Projektet e lindura si ndërhyrje të thjeshta humanitare janë zgjeruar, duke formuar një axhendë të vërtetë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, e cila mori hov gjatë papnisë së Françeskut dhe po konsolidohet nga Leoni XIV.

Kisha në katër vendet e udhëtimit të Papës

Për të kuptuar shkallën e këtij ndikimi, mjaftojnë disa shembuj: në Republikën Demokratike të Kongos, një vend në qendër të konkurrencës ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Kisha Katolike ka qenë për dekada protagonistja kryesore në fushën shoqërore dhe garante e ekuilibrit politik, edhe duke vepruar si forcë opozitare kur ka qenë e nevojshme. Për shembull, CENCO (Konferenca Kombëtare Episkopale e Kongos) është vëzhguesi zgjedhor më me autoritet në vend, pasi shmangu një luftë civile në vitin 2016, ndërsa vitin e kaluar kundërshtoi reformën kushtetuese të propozuar nga presidenti Tshisekedi për të siguruar një mandat të tretë. E, në marrëdhëniet ndërkomunitare, organizata kishtare si Bashkësia e Shën Egjidit vazhdojnë të veprojnë si ndërmjetësues kryesorë në konflikte të vazhdueshme, për të cilat nuk flitet shumë, siç është ai në Casamance (Senegal). Kohët e fundit, pas akuzave për "gjenocid kundër të krishterëve" të ngritura nga presidenti i SHBA-së Donald Trump kundër qeverisë nigeriane, figura si kryeipeshkvi i Sokotos, Mattheë Hassan Kukah, ndërhynë me vendosmëri për t’i hedhur poshtë këto thjeshtëzime, duke e mbrojtur sistemin e ndërlikuar të bashkëjetesës së myslimanëve me të krishterët në vend. Shkurt, pak protagonistë botërorë kanë njohuri kaq të thella të kontinentit afrikan dhe një prani kaq të përhapur sa Vatikani.

Mesazhi i shpresës i Leonit XIV

Vizita e Atit të Shenjtë në Algjeri, e cila filloi me një homazh në Maqam Echahid, monumentin e martirëve të pavarësisë dhe vazhdoi me një vizitë historike në Xhaminë e Madhe të Algjerit, konfirmon dëshirën për të nxitur dialogun ndërfetar dhe mesdhetar, bazuar në vëllazërimin dhe në uljen e tensioneve, gjë që përfshin të drejtën për vetëvendosje - një nga themelet kryesore të këtij dialogu. Duke u zhvendosur në zemër të Afrikës së krishterë, Kameruni ofroi një përmasë masive të katolicizmit lokal, me gjashtëqind mijë besimtarë, që e pritën në Douala, ku vizita nuk u kufizua vetëm në kremtimin liturgjik.

Papa trajtoi çështjet e drejtësisë sociale dhe të besëlidhjes ndërmjet brezave, në një kontekst ku qeveria e udhëhequr nga nëntëdhjetë e dy vjeçari Paul Biya duket gjithnjë e më larg nga nevojat e një popullsie shumë të re, me një moshë mesatare 18 vjeçare. Rëndësia e administrimit të punëve publike dhe zbatimi i një axhende sociale gjithëpërfshirëse janë qendrore në Angolë, ku ndodhet aktualisht Papa Leoni XIV. Ky komb, i vendosur strategjikisht përgjatë Korridorit Lobito dhe i pasur me lëndë të para, vuan nga varfëria ekstreme, që prek 36% të qytetarëve të tij. Lutja në shenjtëroren e Mama Muxima-s, Pajtores së Angolës, shërben si paralajmërim kundër shfrytëzimit të pakontrolluar të burimeve natyrore dhe zbatimit të një zhvillimi ekonomik, që përjashton. Këto çështje bëhen edhe më të dukshme gjatë vizitës në Guinenë Ekuatoriale, e cila përfaqëson kulmin etik të misionit. Duke kujtuar shpërthimin e Batës në vitin 2021, të shkaktuar nga administrimi neglizhent i një arsenali, Leoni XIV do ta shndërrojë atë, që është një plagë kombëtare e harruar në simbol të "kulturës së kujdesit". Lutja mes rrënojave të Nkoantoma-s bëhet akti qendror i denoncimit të neglizhencës së pushtetarëve dhe të korrupsionit. Papa do të kërkojë drejtësi për jetët e sakrifikuara në altarin e qeverisjes së keqe.

Përmes këtij itinerari afrikan, Leoni XIV u sjell popullsive një mesazh shprese, duke i përforcuar në fe, mbështet Kishat lokale dhe promovon një kulturë paqeje në rajone, që shpesh preken nga sfida të vështira shoqërore, politike dhe sigurie. Kështu, para kritikave dhe tensioneve ndërkombëtare, Papa Leoni XIV përvijon një rrugë të qartë: atë të një autoriteti shpirtëror, që imponohet jo nëpërmjet forcës së fjalëve, por nëpërmjet koherencës së dëshmisë. Udhëtimi i tij i parë në Afrikë tashmë paraqitet si shenjë e qartë e kësaj papnie në lindje: një thirrje për paqen, e rrënjosur në Ungjill dhe e orientuar drejt së ardhmes së kombeve.

19 prill 2026, 09:05