Kërko

Papa Leoni në Meshën e shoqëruar nga 155 kardinalë të mbledhur në Koncistorin e Jashtëzakonshëm në Bazilikën e Shën Pjetrit, 8 janar 2026 Papa Leoni në Meshën e shoqëruar nga 155 kardinalë të mbledhur në Koncistorin e Jashtëzakonshëm në Bazilikën e Shën Pjetrit, 8 janar 2026

Papa: misioni i Kishës nuk është të mbijetojë, por të komunikojë dashurinë e Zotit

Në një letër drejtuar kardinalëve përpara Koncistorit të qershorit, Leoni XIV i fton t’i shqyrtojnë temat e Evangelii Gaudium, veçanërisht reformën e fillesës së krishterë. Më pas kujton se misioni i Kishës "bashkon shpalljen, dëshminë, angazhimin dhe dialogun e qartë, pa iu dorëzuar tundimit të prozelitizmit ose logjikës të ruajtjes ose të zgjerimit të thjeshtë institucional".

R.SH. / Vatikan

Datohet e dielë, 12 prill, Letra e Papës Leoni drejtuar kardinalëve, të cilët i falënderon për pjesëmarrjen në Koncistor, i pari që nga fillimi i papnisë së tij, zhvilluar në Vatikan më 7 e 8 janar 2026 e i përqendruar në temat e sinodalitetit dhe të misionit të Kishës. Papa pohon se e vlerësoi punën e lirë dhe të frytshme të kryer në grupe të lira e frytdhënëse, aq sa të përbëjnë "një trashëgimi të çmuar që", e shton, "dëshiroj të vazhdoj ta ruaj dhe ta bëj të vijojë të fitojë pjekurinë në gjykimin kishtar".

"Fryma e re" e shpalljes

Leoni XIV reflekton, më pas, për Evangelii Gaudium, Nxitjen Apostolike të Papës Françesku, botuar në vitin 2013, që përqendrohet në shpalljen e Ungjillit në botë. "Nga kontributet tuaja, thekson Prevost, është e qartë se kjo Nxitje vazhdon të përfaqësojë një pikë vendimtare referimi: ajo nuk ka thjesht përmbajtje të re, por rifokuson gjithçka te kerygma si zemra e identitetit të krishterë dhe kishtar".  Papa Leoni flet për një "frymë të re" të vërtetë, të aftë për të filluar procese kthese baritore dhe misionare, "në vend që të prodhojë reforma të menjëhershme strukturore, duke drejtuar kështu thellësisht rrugën e Kishës".

Perspektiva të reja

Bëhet fjalë, pra, për një perspektivë që e sfidon Kishën në të gjitha nivelet sepse, vazhdon Papa Leoni XIV, i bën thirrje çdo të pagëzuari të kalojë nga një fe e pranuar, në një fe të përjetuar; "në këtë udhë - shkruan - preket edhe vetë cilësia e jetës shpirtërore, në parësinë e lutjes, në dëshminë që i paraprin fjalëve dhe në koherencën ndërmjet besimit dhe jetës". Në nivelin komunitar është kalim drejt kujdesit baritor misionar, me komunitete të thirrura të jenë mikpritëse, "të vëmendshme ndaj cilësisë së marrëdhënieve dhe të afta të ofrojnë hapësira për dëgjim, shoqërim dhe shërim". Në perspektivë dioqezane, Papa Leoni i fton barinjtë “ta mbrojnë me vendosmëri guximin misionar, duke u siguruar që ai të mos jetë i ngarkuar ose i mbytur nga teprimet organizative dhe duke inkurajuar një dallim që ndihmon në njohjen e asaj që është themelore".

Një mision integral

Papa kujton se në këtë mënyrë, "misioni thellësisht i unifikuar" del edhe më i qartë: kristiocentrik dhe kerygmatik, "i lindur nga një takim me Krishtin, i aftë të transformojë jetë dhe të përhapet përmes tërheqjes, në vend të pushtimit". Një mision integral, "i cili mban së bashku - siç lexohet në letër - shpalljen, dëshminë, angazhimin dhe dialogun, pa iu dorëzuar tundimit të prozelitizmit ose të logjikës së ruajtjes ose zgjerimit të thjeshtë institucional".

Të jetosh pa komplekse

"Edhe kur e njeh veten si pakicë, Kisha - thekson Papa - është e thirrur të jetojë pa komplekse, si grigjë mbartëse shprese për të gjithë, duke kujtuar se qëllimi i misionit nuk është mbijetesa e tij, por komunikimi i dashurisë me të cilën Zoti e do botën". Prandaj, Evangelii Gaudium duhet përhapur së pari duke shqyrtuar me ndershmëri atë që është pranuar dhe atë që nuk është zbatuar gjatë viteve. Pastaj, "duhet t'i kushtohet vëmendje reformës së nevojshme të shtigjeve të fillesës së krishterë".

Leoni XIV nxit gjithashtu të vlerësohen vizitat apostolike dhe baritore "si mundësi autentike për reflektim kerygmatik dhe rritje në cilësinë e marrëdhënieve". Lidhur me komunikimin kishtar, Papa thekson nevojën për të rishqyrtuar efektivitetin e tij, "edhe në nivelin e Selisë së Shenjtë, në një perspektivë më të qartë misionare".

Letra e Papës përfundon me falënderime për shërbimin dhe kontributin në Kishë duke kujtuar edhe Koncistorin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet më 26-27 qershor, e duke dhënë njoftimin e "një komunikimi më të hollësishëm për të shoqëruar në mënyrë të përshtatshme përgatitjen e tij".

14 prill 2026, 12:00