2026.04.25 Partecipanti al Meeting nazionale degli Insegnanti di religione, promosso dalla Conferenza Episcopale Italiana

Papa: mësimi i fesë, një "trampolinë" për zhytje në jetën e brendshme

Papa Leoni XIV u takua me mësuesit italianë të fesë dhe i nxiti ata të jenë "të besueshëm" dhe të qëndrueshëm, të dinë të transmetojnë vlera "pa vetëpromovim ose moralizëm", në një botë, stimulimet e së cilës kërcënojnë zërin e shpirtit. Të rinjtë nuk kanë nevojë për "përgjigje të gatshme" për pyetjet e mëdha të jetës, por përkundrazi për "afërsi dhe ndershmëri" nga të rritur kompetent dhe përgjegjshëm.

R. SH. Vatikan

Mësimi i fesë katolike "është si një trampolinë nga e cila fëmijët dhe të rinjtë mund të mësojnë të zhyten në aventurën interesante të dialogut të brendshëm, dhe kësisoj, ky mësim përbën një element të domosdoshëm të asaj aleance edukative kaq të nevojshme sot". Papa Leoni XIV e theksoi këtë para afërsisht shtatë mijë pjesëmarrësve në Takimin e tretë Kombëtar të Mësuesve Katolikë të Fesë të Italisë, të cilët i priti këtë mëngjes, të shtunën, më 25 prill, në Sallën Pali VI.        

Etja për të paskajshmen, energji për të promovuar paqen

Papa së pari i falënderoi të gjithë mësuesit për punën e tyre "kërkuese, shpesh të heshtur dhe diskrete", por "shumë të rëndësishme për rritjen e kaq shumë fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve" nëpër shkolla. Pastaj ai theksoi rëndësinë e anës fetare si një "element përbërës i përvojës njerëzore", kur citoi «Rrëfimet» e Shën Augustinit dhe atë "kërkim të brendshëm" me të cilin "pyetjet e mëdha të jetës, marrëdhënia me Zotin, me krijimin dhe me të tjerët, kanë qenë gjithmonë të lidhura. Kështu, etja për të pafundmen – e natyrshme në çdo person – mund të bëhet energji për të promovuar paqen, për të përtërirë shoqërinë dhe për të kapërcyer kontradiktat e saj".

Mësimi i fesë katolike është një disiplinë me vlerë të madhe kulturore, e dobishme për të kuptuar dinamikën historike dhe shoqërore, si dhe shprehjet e mendimit, zgjuarsinë dhe artet që kanë formuar dhe vazhdojnë t’i japin trajtë fytyrës së Italisë, Evropës dhe shumë vendeve anembanë botës.

Në shekullarizimin e vërtetë, feja është burim edukativ.

E gjithë kjo, vazhdon Papa, duke iu drejtuar mësuesve, “hyn në mësimet tuaja, në dritën e mësimdhënies gjithmonë aktuale të Kishës, në dialog me fusha të tjera të njohurive dhe të kërkimit fetar”. Kjo do t’ua bëjë të arritshme brezave të rinj – “duke respektuar plotësisht” – lirinë e secilit, atë gjë që përndryshe rrezikon të mbetet “e pakuptueshme dhe e paqartë”. Ky qëndrim do të tregojë “se si laicizmi i vërtetë nuk e përjashton fenë”, por përkundrazi “di ta vlerësojë atë si një burim edukativ”.

Kjo, në fund të fundit, është pjesë e një qëndrimi më të gjerë, thelbësor për çdo dialog, në shkolla dhe në shoqëri: të njohim dhe të duam atë që jemi, në mënyrë që të jemi në gjendje të takohemi me të tjerët me respekt dhe mendje të hapur.

Mos e ngatërroni zërin e brendshëm me zhurmën përreth nesh

Në vijim pati edhe disa reflektime nga Leoni XIV, duke filluar me titullin e Takimit Kombëtar të promovuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane dhe të mbajtur në Romë, dje dhe të enjten që shkoi: "Zemra i flet zemrës", fjalë të frymëzuara nga motoja e Shën Gjon Henri Newman, doktor i Kishës dhe bashkë-pajtor i arsimit. Në këtë kuadër, Papa foli rreth "propozimit të një rruge në të cilën e vërteta është qëllimi dhe marrëdhëniet personale rruga për ta arritur atë", duke i ndihmuar kështu fëmijët "të njohin një zë që në të vërtetë tashmë jehon brenda tyre, jo ta varrosin atë, as ta ngatërrojnë atë me zhurmën përreth tyre". Një zë që është "shumë i butë" e për të cilin nuk mund të heshtim në një epokë kur jemi "të rrethuar vazhdimisht nga stimuj të çdo lloji".

Njerëzimi nuk mund të jetojë pa të vërtetën dhe kuptimin autentik, dhe të rinjtë, sadoqë ndonjëherë duken apatikë ose të pandjeshëm pas një fasade mospërfilljeje të dukshme, shpesh fshehin shqetësimin dhe ato vuajtje që i "ndiejnë shumë" dhe që janë të paaftë për të emërtuar atë që përjetojnë.

Besimi dhe arsyeja, shokë udhëtimi në kërkim të së vërtetës

Në këtë kontekst, mësimdhënia do të thotë më shumë se kurrë "trajnimi i njerëzve për të dëgjuar zemrat e tyre, dhe kështu për lirinë e brendshme dhe aftësinë e mendimit kritik", duke ndjekur dinamika ku besimi dhe arsyeja as nuk e injorojnë dhe as nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por janë "shokë udhëtimi" në kërkimin "e përulur dhe të sinqertë" të së vërtetës. Për këtë arsye, thekson Papa, edukimi kërkon durimin për të mbjellë "pa pritur rezultate të menjëhershme, duke respektuar rritjen e vetë individit. Dhe mbi të gjitha - mëson Newman - kërkon dashuri".

Jo përgjigje të gatshme, por autoritet dhe ndershmëri. Ipeshkvi i Romës na nxit të jemi “mësues të besueshëm”, të transmetojmë vlera “pa vetëpromovim apo moralizëm”.

Nxënësit tuaj nuk kanë nevojë për përgjigje të gatshme, por për afërsinë dhe ndershmërinë e të rriturve që i mbështesin me autoritet dhe përgjegjësi ndërsa ata ballafaqohen me pyetjet e mëdha të jetës.

Burra dhe gra që kërkojnë, mendojnë, jetojnë dhe besojnë

Përtej "kompetencës së tyre të fortë, të nxitur nga pasioni për studimin, rigorozitetin kulturor dhe përgatitjen arsimore", djemtë dhe vajzat – përsëriti Papa – "do të kujtojnë sytë dhe fjalët e atyre që vërejtën një dhuratë të posaçme tek ata, që i morën seriozisht; tek ata mësues që nuk patën frikë të bashkëudhëtonin për një copë me ta, duke treguar veten nga ana tjetër si burra dhe gra që kërkojnë, mendojnë, jetojnë dhe besojnë".

Në fund, përballë "sfidave dramatike dhe në të njëjtën kohë emocionuese" me të cilat përballen shkollat, ftesa e Papës është të jemi "shërbëtorë të botës arsimore, koreografë të shpresës, kërkues të palodhur të mençurisë, krijues të besueshëm të shprehjeve të bukurisë".

25 prill 2026, 14:16