Kërko

Udha e Kryqit në fshatrat e Libanit jugor Udha e Kryqit në fshatrat e Libanit jugor

Papa të krishterëve në Liban: “jam pranë jush të gjithëve, mos e humbni guximin tuaj"

Leoni XIV u dërgon një mesazh ngushëllimi dhe inkurajimi me rastin e Pashkëve banorëve të Debelit, një fshat në pjesën jugore të Libanit, ku tre kamionë që transportonin 40 ton mallra thelbësore ishin planifikuar të mbërrinin të dielën e kaluar. Nunci Apostolik Imzot Borgia, në kamionë, u ndalua për arsye sigurie dhe transmetoi fjalët e Papës në televizion. Edhe sot, kryepeshkopi nuk mundi t'u jepte ndihmë "njerëzve që kanë nevojë për gjithçka".

R.SH. – Vatikan

Dhembshuri, afërsi, dashuri, ngushëllim dhe një thirrje e qartë: “Mos e humbni guximin!”. Fjalët e Papa Leonit XIV kanë ushtuar në Debel, mes banorëve të këtij fshati në jug të Libanit, me popullsi kryesisht të krishterë, të cilët nuk i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe tani gjenden nën sulmet e vazhdueshme dhe bombat e Izraelit dhe Hezbollahut. Pa mundësi lëvizjeje, me mungesë të theksuar uji dhe ushqimi, si dhe me vështirësi të mëdha për sigurimin e barnave.

Nunci apostolik bllokohet nga luftimet

Nunci apostolik në Liban, kryeipeshkvi imzot Paolo Borgia, ishte parashikuar të udhëtonte të dielën e Pashkëve drejt qytezës së izoluar nga pjesa tjetër e vendit, duke vijuar misionet e nisura gjatë muajit të fundit, gjatë të cilave ai ka udhëtuar me kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare, duke arritur deri në "vijën blu" (blue line) me Izraelin.

Tre kamionë me 40 tonë mallra të nevojës së parë ishin rrugës për në Debel, kur luftimet bllokuan misionin e organizuar nga vetë Nunciatura Apostolike, së bashku me kontingjentin francez të UNIFIL-it, Caritas-Libanin dhe L'Œuvre d'Orient, si dhe një delegacion nga Bkerké. Këto organizata, përmes një note, ritheksuan se anulimi i autokolonës humanitare, qoftë edhe për arsye sigurie, përbën "një shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare".

Nunci Apostolike në Liban Imzot Borgia u detyrua të ndalonte në bazën e UNIFIL-it në Deir Kifa. Nga aty, përmes mediave libaneze që ndiqnin kamionët, ai lexoi në televizion fjalët e Leonit XIV drejtuar të krishterëve të Debelit. Në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa shpreh "afërsinë" dhe "dashurinë atërore" për të gjithë të krishterët që kremtuan Pashkët në "rrethana dramatike". Një mesazh "ngushëllimi dhe dhembshurie" që Papa Leoni XIV dëshiron t'i përcjellë kësaj popullsie, si dhe "të gjithë të krishterëve të Libanit jugor dhe gjithë njerëzve që vuajnë pasojat e luftës".

Triumfi mbi të keqen

"Sot kremtojmë ringjalljen e Zotit", shkruan Papa duke iu referuar Pashkëve. "Ju, edhe në mes ndjenjave të dhimbjes, ankthit dhe zisë, e ndjeni sot në zemrat tuaja një gëzim më të thellë: Jezusi triumfoi lavdishëm mbi vdekjen. Është një gëzim që vjen nga qielli dhe që asgjë nuk mund t’ua rrëmbejë".

"Në fatkeqësinë tuaj, në padrejtësinë që pësoni, në ndjenjën e braktisjes që provoni, ju jeni shumë afër Jezusit. Jeni afër Tij edhe në këtë ditë të Pashkëve, në të cilën Ai mposhti forcat e së keqes, dhe për ju jehon si një premtim për të ardhmen. Prandaj, mos e humbni guximin!".

Leoni XIV nxit për të ecur përpara me lutje, me ndihma dhe me shpresë: "Asnjë nga lutjet tuaja, asnjë gjest i juaj i solidaritetit, asnjë psherëtimë lodhjeje që shprehni nuk humbet", siguron Papa. Në mbyllje, ai i beson të gjithë pajtorës qiellorec të "Vendit të Kedrave", Zojës Sonë të Libanit, e cila "ruan gjithçka në zemrën e saj dhe ia sjell Birit të vet".

Nevoja për të dërguar ndihma

Me emocion, të krishterët e jugut të Libanit e kanë mirëpritur këtë inkurajim të Papës, për të cilin nunci apostolik imzot Borgia ka rikonfirmuar gjithmonë vëmendjen dhe afërsinë e tij gjatë udhëtimeve të shumta në zonën jugore të vendit, mes lagjeve (edhe atyre shiite), famullive, spitaleve dhe qendrave të refugjatëve: Rmeish, Ain Ebel, Tiro, Sidon, Marjayoun, Clea dhe vetë Debel, e vizituar më 16 marsin e kaluar.

Sot paradite, përfaqësuesi papnor tentoi sërish të shkonte në fshat për të dërguar kamionët me ndihma, por “filluan shkëmbimet e zjarrit dhe u detyruam të ndalonim pak kilometra larg”, tregon ai për mediat e Vatikanit, të cilat e kontaktuan në telefon ndërsa ndodhej ende në makinë: “Mbetëm të bllokuar rreth një orë e gjysmë, tani po kthehemi mbrapsht”.

Shqetësimi i kryeipeshkvit Borgia është se tek këta njerëz, të krishterë dhe jo vetëm, nuk po arrijnë mallrat e nevojës bazë: “Atje askush nuk mund të lëvizë, kanë nevojë për gjithçka”. Pavarësisht kësaj, ata i kanë jetuar të gjitha ritet e Javës së Shenjtë të Pashkëve, duke filluar nga e Diela e Larit me një procesion të shoqëruar nga jehona e bombave e deri te Udha e Kryqit, dhe kanë kremtuar Pashkët e Ngjalljes “me një ton të thjeshtë, por me fe të thellë dhe shpresën për një jetë të re”, tregon nunci apostolik.

"Keqardhja e thellë" e patriarkut Raï

Mbi anulimin e autokolonës humanitare të parashikuar për Pashkë në Debel, ka ndërhyrë edhe patriarku i Antiokisë së Maronitëve, kardinali Béchara Boutros Raï, i cili në një njoftim shprehu “keqardhjen e tij të thellë” për atë që përfaqëson “një fyerje për banorët e pambrojtur të Libanit jugor, të bllokuar në zjarrin e kryqëzuar të luftës mes Hezbollahut dhe Izraelit”. Sipas kardinalit Raï, tek këta të krishterë po mbërrin tani një tjetër “mesazh i dhimbshëm”.

07 prill 2026, 17:34