Kërko

Papa mes të moshuarve të Anabës: Zoti është me të thjeshtët, jo me mendjemëdhenjtë

Leoni XIV viziton Shtëpinë e mirëpritjes “Ma Maison” (Shtëpia ime), e drejtuar nga Motrat e Vogla të të Varfërve, të cilat prej vitesh u dedikohen kujdesit ndaj më të pambrojturve, duke përfshirë edhe myslimanët. Mes të ftuarve ishte edhe kryeipeshkvi nderit i Algjerit, imzot Desfarges. “Të shohësh një shtëpi si kjo – pohoi Papa – të bën të mendosh: atëherë paska shpresë! Sepse zemra e Hyjit është e copëtuar nga luftërat, dhuna dhe padrejtësitë”.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV viziton një shtëpi kujdesi për të moshuarit në Anaba, Algjeri, dhe kujton se zemra e Zotit mbetet me ata që janë të thjeshtë dhe kërkojnë paqen në jetën e tyre të përditshme. Në ditën e dytë të Udhëtimit të tij Apostolik në Algjeri, Papa Leoni XIV fluturoi drejt Anabës — vendi i qytetit antik të Hiponës, ku Shën Augustini shërbeu si Ipeshkëv.

Pasi vizitoi sitin arkeologjik, Papa kaloi disa minuta me disa të moshuar që banojnë në Shtëpinë për të Moshuarit “Ma Maison”, e drejtuar nga Motrat e Vogla të të Varfërve. Në fjalimin e tij të shkurtër, Leoni u tha pranishmëve se “Zoti banon këtu”, duke vënë në dukje se “kudo ku ka dashuri dhe shërbim, Zoti është aty”.

Papa Leoni falënderoi veçanërisht Salah Bouchemel për fjalët e përshëndetjes, në të cilat i moshuari algjerian mysliman, banor i kësaj qendre të Motrave rregulltare, lëvdoi respektin ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj fesë së tyre që ai ka gëzuar në këtë shtëpi kujdesi të motrave katolike.

Si përgjigje, Papa tha se Zoti jeton në atë vend ku njerëzit përpiqen të jetojnë së bashku në vëllazëri. “Zemra e Hyjit është e copëtuar nga luftërat, dhuna, padrejtësia dhe gënjeshtrat,” tha Ati i Shenjtë. “Por zemra e Atit tonë nuk është me të ligjtë, arrogantët apo mendjemëdhenjtë.”

Përkundrazi, tha Papa Leoni, Zoti banon me ata që ndërtojnë Mbretërinë e Tij përmes shërbimit, respektit dhe dashurisë. “Zemra e Zotit është me të vegjlit dhe të thjeshtët”, tha Leoni XIV, “dhe me ta Ai ndërton Mbretërinë e Tij të dashurisë dhe paqes ditë pas dite, ashtu siç po përpiqeni të bëni ju këtu në shërbimin tuaj të përditshëm, miqësinë dhe jetën e përbashkët”.

Papa Leoni u përshëndet gjithashtu edhe nga Kryeipeshkvi imzot Paul Desfarges, SJ, i cili shërbeu si Ipeshkv i Kostantinës-Hiponës midis viteve 2008 dhe 2021 dhe i cili tani banon me Motrat e Vogla të të Varfërve.

Kryeipeshkvi tha se motrat dhe personeli i shtëpisë së kujdesit “Ma Maison” bëjnë mrekulli të përditshme me kujdesin dhe vëmendjen e tyre, përmes veprimeve aq të thjeshta siç është një shtrëngim i ngrohtë duarsh që i afron njerëzit me njëri-tjetrin.

Përshëndetja e Atit të Shenjtë në Shtëpinë për të moshuarit “Ma Maison” Anaba, 14 prill 2026

Shkëlqesi,

Të dashura Motra,

të dashur vëllezër e motra, mirëdita! As-salamu alaykom!

Ju falënderoj që më mirëpritët në këtë shtëpi! Jam i lumtur sepse këtu banon Zoti, sepse ku ka dashuri dhe shërbim, aty është Zoti.

Falënderoj Motrat e Vogla të të Varfërve së bashku me personelin e Shtëpisë. Faleminderit, Motër Filomena, për mirëseardhjen që më drejtuat.

Faleminderit, e dashur Shkëlqesi, për fjalët tuaja prekëse!

Duke ju dëgjuar dhe duke parë praninë tuaj këtu mes vëllezërve dhe motrave të moshuar, vjen vetvetiu ta lëvdojmë Zotin dhe ta falënderojmë Atë. Ashtu siç bëri Jezusi atë ditë, kur u gëzua në Shpirtin Shenjt dhe tha: «Të lëvdoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, sepse i fshehe këto gjëra prej të urtëve e të dijshmëve dhe ua zbulove të vegjëlve. Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu Ty në mirësinë Tënde» (Lk 10,21).

Falënderoj zotin Salah Bouchemel për dëshminë e tij, aq të bukur dhe ngushëlluese. Mendoj se Zoti, nga Qielli, duke parë një shtëpi si kjo, ku të jetohet së bashku në vëllazëri, mund të mendojë: atëherë paska shpresë! Po, sepse zemra e Hyjit është e copëtuar nga luftërat, nga dhunat, nga padrejtësitë dhe nga gënjeshtrat. Por zemra e Atit tonë nuk është me të ligjtë, me mendjemëdhenjtë, me arrogantët: zemra e Hyjit është me të vegjlit dhe të thjeshtët, dhe me ta çon përpara Mbretërinë e Tij të dashurisë dhe të paqes, ditë pas dite. Ashtu siç përpiqeni të bëni këtu në shërbimin e përditshëm, në miqësi, në të jetuarit së bashku.

Faleminderit, të dashura motra dhe të dashur vëllezër, për këtë takim! Ju kujtoj në lutjen time dhe me gjithë zemër ju lë bekimin tim.

14 prill 2026, 12:30