Papa Leoni XIV pret presidentin francez Macron
R.SH. – Vatikan
Mbërriti rreth orës 10.00 të paradites, në Oborrin e Shën Damazit, presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u prit në audiencë sot, 10 prill, nga Papa Leoni XIV në Pallatin Apostolik të Vatikanit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Brigitte, kreu i shtetit përshëndeti dhe shtrëngoi duart me Papën në të ashtuquajturën “Sala del Tronetto”. Kjo është hera e parë që të dy takohen personalisht; më parë, gjatë papnisë së Françeskut, presidenti pati qenë për vizitë në Vatikan tri herë.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
Pas audiencës me Papën, Macron u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, të shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher. "Gjatë bisedës së përzemërt në Sekretarinë e Shtetit", pohohet në një deklaratë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, "u përmendën marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Francës. Më pas, u fol për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, me shkëmbimin e mendimeve mbi situatat e konfliktit në të gjithë botën, duke uruar rivendosjen e bashkëjetesës paqësore përmes dialogut dhe negociatave".
Takimi me Bashkësinë e Shën Egjidit
Macron mbërriti dje në Romë. Ndër takimet e tij të para ishte ai në Bashkësinë e Shën Egjidit, në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere, ku u prit nga presidenti Marco Impagliazzo, themeluesi Andrea Riccardi dhe Mario Giro. Kreu i Elizeut shoqërohej nga një delegacion i madh, ku përfshihej edhe ministri i jashtëm Jean-Noël Barrot. Vizita në Bashkësinë e Shën Egjidit filloi me një homazh për të riun kongolez Floribert Bwana Chui, vrarë në vitin 2007 në Goma, pasi kundërshtoi hyrjen e ushqimit të prishur në vend. Kisha e shpalli të lum në qershor 2025.
