Kërko

Leoni XIV në takimin me klerin angolan: "Hapni dyert për Krishtin dhe ndërtoni paqen"

Në Luanda, në famullinë e Zojës së Fatimës, Papa takon ipeshkvij, meshtarë dhe punonjës baritorë, duke u treguar tri rrugë për të ardhmen e Kishës në Angolë: dhurimi i plotë i vetvetes sidoqë të jetë thirrja, mbi të cilën Zoti i fton ta bazojnë jetën; besnikëria ndaj Krishtit dhe impenjimi konkret për pajtimin dhe zhvillimin

R.SH. – Vatikan

 Në Luanda, kryeqyteti i Angolës, pasi u kthye nga Saurimo, në Angolën lindore, ku e kaloi pjesën më të madhe të ditës, Papa Leoni XIV u takua sonte (20 prill) me ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë dhe punonjës baritorë në kishën e Zojës së Fatimës, duke u përçuar një mesazh të qartë dhe programatik: thirrja e krishterë është dhurim i plotë i vetvetes; besnikëria ndaj Krishtit është rruga kryesore e misionit dhe impenjimi për paqen mbetet përgjegjësi e domosdoshme, që duhet marrë përsipër nga Kisha në Angolë. Në një vend, që feston pesëdhjetë vjet pavarësi, Papa përvijoi një linjë, që bashkon përshpirtërinë, formimin dhe impenjimin shoqëror.

Takimi u zhvillua në një atmosferë solemne, me pjesëmarrjen entuziaste të klerit angolan: me të mbërritur, dy fëmijë i dhuruan lule Atit të Shenjtë, ndërsa kori e shoqëroi hyrjen e tij drejt altarit. Pas dëshmive të një meshtari, një katekisti dhe dy murgeshave, fjalimi papnor përfaqësoi kulmin e takimit, gur kilomentrik në historinë e një kishe të ndërtuar nga kapuçinët në vitet ‘60, simbol i fesë së rrënjosur vendase.

Thirrje që nuk i heq asgjë jetës, përkundrazi, i dhuron asaj risi

Boshti i parë i fjalimit të Leonit XIV ishte ftesa e drejtpërdrejtë dhe e qartë: ta lëshojmë plotësisht vetveten në duart e Krishtit. Duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve, që po formohen, Ati i Shenjtë përsëriti një mendim të magjisterit të kohëve të fundit: "Zoti nuk heq asgjë; Zoti jep gjithçka".

Në një kuadër ku thirrja mund të duket se u kërkon shumë atyre, që ndjekin Krishtin, Papa nguli këmbë në faktin se dhurimi i vetvetes nuk i varfëron meshtarët e rregulltarët, por ua shumëfishon pasurinë shpirtërore e ndihmën, që secili merr nga Zoti: "Kushdo që e dhuron vetveten për Të merr njëqindfish". Nuk mungoi edhe thirrja për ta jetuar Ungjillin rrënjësisht – sidomos me kushtet e bindjes, të varfërisë dhe të dlirësisë - të paraqitura jo si humbje, por si liri e vërtetë.

Toni i Papës, tipik i një interpretimi, që e bën konkret impenjimin baritor, nuk harroi të vërë në dukje edhe tundimet, që ua vështirësojnë udhën meshtarëve e rregulltarëve: frikën nga e ardhmja, hezitimin për ta "lejuar Atin Qiellor të marrë në dorë frenat e jetës". Por përgjigjja është gjithnjë e njëjtë me atë të magjisterit të Papëve të fundit: "Mos kini frikë t'i thoni 'po' Krishtit".

Besnikëria dhe formimi: rruga e parë e Kishës

Më pas, Leoni XIV foli për besnikërinë ndaj Krishtit, të cilën e përcaktoi si "rruga e parë" për Kishën e Angolës. Në këtë periudhë, kjo Kishë përjeton trivjeçarin baritor kushtuar dishepujve "besnikë dhe të gëzuar", prandaj, pikërisht për të ecur me vendosmëri në këtë rrugë, Papa theksoi nevojën për formim të vazhdueshëm, që nuk është thjesht intelektual, por i gjithanshëm.

"Njohja e Krishtit", shpjegoi ai, "nuk kufizohet vetëm në studim, por përfshin edhe një jetë shpirtërore të fuqishme, të ushqyer nga lutja dhe meditimi. Pa këtë përmasë”, paralajmëroi ai, "nuk jemi më koherentë me Ungjillin".

Jo më pak e rëndësishme, edhe thirrja për dëshmi: "Njeriu bashkëkohor i dëgjon më me dëshirë dëshmitarët sesa mësuesit", siç thoshte Papa shenjt Pali VI. Që këtej, ftesa për të kultivuar marrëdhënie të shëndetshme kishtare, duke shmangur "arrogancën dhe vetë-referencën", si edhe duke u qëndruar pranë njerëzve, veçanërisht të varfërve. Vëllazërimi ndërmjet meshtarëve dhe rregulltarëve del në pah kështu jo thjesht si opcion, por si kusht për besueshmërinë e misionit.

Paqja, pajtimi dhe zhvillimi: një mision, ende për t’u realizuar

Tema e tretë qendrore e fjalës së Papës e hedh vështrimin drejt historisë dhe së ardhmes së Angolës. Në një vend të karakterizuar nga një e kaluar konflikti, Papa vuri në dukje rolin e Kishës në denoncimin e luftës dhe në rindërtimin shoqëror. Por, shtoi menjëherë: "Ky impenjim nuk ka përfunduar".

Ati i Shenjtë fton të promovohet një "kujtesë e pajtuar", duke vlerësuar dëshminë e atyre, që kanë ditur të falin, edhe pas vuajtjeve të mëdha. Paqja, megjithatë, nuk është thjesht mungesë lufte: "Zhvillimi është emri i ri për paqen", kujtoi Papa, duke theksuar nevojën për të denoncuar padrejtësitë dhe për të dhënë kontributin konkret në fushat e arsimit dhe të kujdesit shëndetësor.

Në këtë kuadër, misioni merr një përmasë pothuajse eukaristike: "Ju jeni korpi i ofruar dhe gjaku i derdhur për jetën e vëllezërve tuaj". Është një imazh i fuqishëm, që përmbledh të gjithë fjalimin papnor: një Kishë e thirrur për ta dhuruar vetveten, për të qëndruar besnike dhe për të ndërtuar, ditë pas dite, një shoqëri "të lirë, të pajtuar, të bukur dhe të madhe".

20 prill 2026, 19:39