Kërko

Leoni XIV në bordin e fluturimit papnor Leoni XIV në bordin e fluturimit papnor

Leoni XIV: Algjeria një mundësi e mrekullueshme për të ndërtuar ura dhe dialog

Gjatë fluturimit nga Algjèri në Yaoundé, në Kamerun, Papa përshëndeti gazetarët dhe shqyrtoi pjesën e parë të udhëtimit të tij apostolik: "Një vizitë e bekuar". Papa falënderoi autoritetet algjeriane dhe Kishën vendase "të vogël, por domethënëse". Ai përsëriti mesazhin e Shën Augustinit për të "kërkuar bashkim midis popujve dhe respekt të ndërsjellë pavarësisht dallimeve", dhe kujtoi vizitën në xhami, shenjë se "pavarësisht besimeve dhe mënyrave të lutjes, mund të jetojmë së bashku në paqe".

R.SH. / Vatikan

"Një udhëtim dhe vizitë vërtet e bekuar", si dhe "një mundësi e mrekullueshme për të vazhduar ndërtimin e urave dhe nxitjen e dialogut". Ky është një Papë që nuk e fsheh emocionin dhe entuziazmin e tij ndërsa komenton dy ditët që sapo u mbyllën në Algjeri, ndalesë e parë në udhëtimin e tij apostolik në Afrikë, i cili vazhdon sot në Kamerun dhe, në ditët në vijim, në Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale.

"Shpresoj se keni pushuar"

Më pak se pesëmbëdhjetë minuta pasi avioni «Airbus» i shoqërisë ITA Airways u nis nga Algjèri për në Kamerun, Leoni XIV përshëndeti përsëri afërsisht shtatëdhjetë gazetarët nga e gjithë bota që e po e ndjekin në udhëtimin e tij ndërkombëtar. Gjatë një përshëndetjeje të shkurtër në mikrofon, jo një konferencë për shtyp, ai përsëriti mirënjohjen për punën e bërë gjatë dy ditëve në vendin e Afrikës së Veriut, tokë e Shën Augustinit. "Shpresoj se të gjithë keni pushuar dhe se jeni gati për këtë ndalesë tjetër të udhëtimit"  – iu drejtua Ati i Shenjtë gazetarëve, dhe më pas bëri një vlerësim të dy ditëve të para, të cilat, tha ai, ishin "një mundësi e mrekullueshme për të vazhduar ndërtimin e urave dhe për nxitjen e dialogut".

Faleminderit autoriteteve algjeriane

Para së gjithash, Papa shprehu mirënjohjen e tij, përmes mediave botërore, për të gjitha autoritetet algjeriane që e bënë të mundur vizitën, përfshirë shoqërimin gjatë fluturimit mbi hapësirën ajrore algjeriane. "Është një shenjë e mirësisë, bujarisë dhe respektit që populli algjerian dhe qeveria algjeriane i dëshmuan Selisë së Shenjtë dhe mua personalisht."

Një Kishë e vogël, por domethënëse

Leoni XIV shprehu mirënjohje edhe për Kishën Katolike në Algjeri, "të vogël, por shumë domethënëse". Pastaj ai iu rikthye "vizitave të posaçme" që bëri më 13 dhe 14 prill në Bazilikën e Zonjës sonë të Afrikës në Algjer dhe në Bazilikën e Shën Augustinit në Anaba, në kodrën që vështron si nga qyteti modern, ashtu edhe nga rrënojat e qytetit të lashtë romak të Iponës. Sipas Papës, e gjithë kjo ka "një vlerë të fortë simbolike", sepse Shën Augustini, ipeshkëv i Iponës për më shumë se tridhjetë vjet, "është një figurë që vjen nga e kaluara dhe na flet për traditën, na flet për jetën e Kishës në shekujt e parë të zhvillimit të saj", por, në të njëjtën kohë, mbetet një "figurë jashtëzakonisht e rëndësishme edhe sot".

Rëndësia e Shën Augustinit

Shkrimet e tij, mësimet e tij, përshpirtëria e tij dhe "ftesa e tij për të kërkuar Zotin dhe për të kërkuar të vërtetën" janë "një mesazh që na duhet kaq shumë në botën bashkëkohore, një mesazh që është shumë i kohës për të gjithë ne, besimtarët në Jezu Krishtin, por edhe për çdo person", nënvizoi Papa Leoni XIV. Po ashtu, Papa dëshiroi të përsërisë se populli algjerian – shumica dërrmuese e të cilit nuk është e krishterë – "e nderon dhe e respekton thellësisht kujtimin e Shën Augustinit si një nga bijtë e mëdhenj të tokës së vet".

Ndërtimi i bashkimit dhe i respektit

Për një Papë që menjëherë e shpalli veten si "bir të Shën Augustinit", ishte pra "një hir i veçantë" që mundi të kthehej në Anaba-Iponë dhe t'i "ofronte Kishës dhe botës" vizionin e Shën Augustinit, Atit të madh të Kishës: "Atë të kërkimit të Zotit dhe përpjekjes për të ndërtuar komunitet, për të kërkuar bashkim midis të gjithë popujve dhe respekt të ndërsjellë pavarësisht dallimeve".

Të jetosh në paqe pavarësisht dallimeve

Një mesazh që Leoni vetë u përpoq ta konkretizonte në ngjarje të ndryshme gjatë këtyre dy ditëve në Algjeri. Njëra prej tyre ishte vizita e tij "domethënëse" në Xhaminë e Madhe, e cila tregoi se si "edhe pse kemi besime të ndryshme, mënyra të ndryshme lutjeje dhe jetese, ne prapë mund të jetojmë së bashku në paqe". "Promovimi i këtij imazhi është diçka që i duhet botës sot, dhe ne mund të vazhdojmë ta ofrojmë atë së bashku me dëshminë tonë, ndërsa po vijojmë këtë udhëtim apostolik", përfundoi Papa Leoni.

Në këtë pikë, Ati i Shenjtë u uroi gazetarëve “udhëtim të mbarë": "Është diçka e mrekullueshme që po ju shoh të gjithëve përsëri. Faleminderit edhe një herë për shërbimin tuaj!"

15 prill 2026, 14:45