Papa Leoni: "Nga Françesku, Ungjilli i të gjitha kohërave por me një gjuhë të re"
R.SH. / Vatikan
"Në përvjetorin e parë të vdekjes së Papa Françeskut tonë të dashur, kujtimi i tij jeton në Kishë dhe në të gjithë botën. Ndonëse nuk gjendem në Romë për arsye të Udhëtimit Apostolik në Afrikë, bashkohem shpirtërisht me ata që do të mblidhen në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë ku është varrosur Papa argjentina.".
Kështu shkruan Papa Leoni në një mesazh që u lexua nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, kardinali Giovanni Battista Re, gjatë përkujtimit të Papa Françeskut, gjatë Meshës kremtuar në Bazilikën Liberiana në kodrën Eskuiline, një vit pas vdekjes së tij.
"Zoti e thirri atë pranë vetes më 21 prill të vitit të kaluar", kujton Papa Leoni në mesazhin e vet. "Ai e përfundoi shtegtimin e tij tokësor në përqafimin e Krishtit të Ngjallur, në atë «gëzim të Ungjillit», që frymëzoi një nga thirrjet e tij më të thekshme apostolike. Ai ishte pasardhësi i Pjetrit dhe bari i Kishës universale në një kohë që u karakterizua dhe vazhdon të karakterizohet nga ndryshime epokale, ndryshime për të cilat ai ishte plotësisht i vetëdijshëm, duke na dhënë të gjithëve një dëshmi të guximshme, gjë që përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme për Kishën".
"Magjisterin e tij", vazhdon Papa Leoni XIV duke përkujtuar pararendësin e vet, "e përjetoi si një dishepull misionar, siç i pëlqente të thoshte. Ai mbeti dishepull i Zotit deri në fund. Ai qe gjithashtu misionar duke ua shpallur Ungjillin e dashurisë «të gjithëve, të gjithëve, të gjithëve», siç tha shumë herë. Të mirat që solli dëshmia e tij si Bari i kujdesshëm prekën zemrat e shumë njerëzve, madje deri në skajet e tokës, falë edhe shtegtimeve të tij apostolike dhe veçanërisht atij «udhëtimi» të fundit që ishte sëmundja dhe vdekja e tij".
"Në harmoni me paraardhësit e tij", vijon mesazhi i Papa Leonit, "ai mbështeti trashëgiminë e Koncilit të Dytë të Vatikanit dhe e nxiti Kishën të ishte e hapur ndaj misionit, roje e shpresës së botës, e dashuruar me shpalljen e Ungjillit, cili është në gjendje t'i japë kuptim dhe lumturi çdo jete. Ne ende i dëgjojmë si jehojnë thirrjet e tij të shprehura me fjalë kuptimplote, për ta bërë lajmin e gëzueshëm më të kapshëm: mëshirë, paqe, vëllazërim, aroma e «deleve të Zotit», «spitali fushor» dhe shumë të tjera. Secila prej këtyre shprehjeve na kthen te Ungjilli që ai jetoi, me një gjuhë të re që shpall të njëjtin Ungjill, si gjithmonë".
Tridhjetë kardinalë bashkëkremtuan sot Meshën e përshpirtshme për Papën e ndjerë Françeskun. Mes tyre ishin Vikari i Romës, Kardinali Baldo Reina, kryeprifti i Shën Pjetrit, Mauro Gambetti, Prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, argjentinasi Victor Manuel Fernandez etj.
