Papa Leoni largohet nga Kameruni dhe fluturon drejt Angolës

Përfundon etapa e dytë e udhëtimit të tretë apostolik të Papës Leoni XIV, i cili pritet në Angolë. Në aeroportin e Jaundesë (Yaoundé) u zhvillua ceremonia e përcjelljes pas kremtimit të Meshës, ku morën pjesë rreth 200 mijë besimtarë.

R.SH. / Vatikan

Një përshëndetje me dorë për t'i thënë lamtumirë Kamerunit, "Afrikës në miniaturë", dhe Papa Leoni hyri në avionin që do ta dërgojë në Angolë, etapa e tretë e udhëtimit të tij apostolik në Afrikë. Avioni me Papën dhe shoqëruesit e tij në bord u ngrit nga aeroporti ndërkombëtar i Yaoundé-Nsimalen në orën lokale 12:47. Mbërritja në Luanda parashikohet pas dy orë e gjysmë fluturimi.

Pak më parë, në ceremoninë e përcjelljes në aeroportin kamerunas, Papa Leoni, mbërrini pas përfundimit të Meshës së kremtuar në aeroportin "Yaoundé-Ville", dhe së bashku me kryeministrin e Kamerunit, Joseph Dion Ngute, dëgjuan ekzekutimin e himneve. Me Gardën e Nderit të rreshtuar, ata mbërritën te këmbët e avionit duke ecur mbi një tapet të gjatë të kuq, duke përshëndetur autoritetet e ndryshme institucionale dhe kishtare të pranishme.

Në kremtimin e lutjes drejtuar Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Apostujve, pas Meshës në të cilën morën pjesë rreth 200 mijë besimtarë, Papa inkurajoi popullin e Kamerunit të mbetet i palëkundur në Krishtin për të qenë “kripa dhe drita e kësaj toke!”.

18 prill 2026, 14:02