Kërko

Papa: të lutemi për paqe, të ndalojnë ata që vrasin dhe duan botën në gjunjë

Në fund të Rruzares për paqe në Vatikan, Leoni XIV bën thirrje që ta përballojmë “si njerëzim dhe me njerëzi këtë orë dramatike të historisë”. Në një botë ku “varret duken se nuk mjaftojnë”, Papa denoncon “përgjegjësitë e pashmangshme të qeveritarëve” dhe “çmendurinë e gjithëfuqisë” që tërheq “madje edhe emrin e Zotit në fjalime vdekjeprurëse”. Mbretëria e Tij, përkundrazi, është një mbretëri pa dronë, pa banalizime të së keqes apo përfitime të padrejta, por e themeluar mbi dinjitetin dhe faljen

R.SH. – Vatikan

Vëllezër dhe motra, kush lutet ka vetëdije për kufizimet e veta, nuk vret dhe nuk kërcënon me vdekje. Përkundrazi, skllav i vdekjes është ai që i ka kthyer shpinën Zotit të gjallë, për ta bërë veten dhe pushtetin e vet një idhull memec, të verbër dhe të shurdhër, mbi të cilin sakrifikon çdo vlerë dhe kërkon që mbarë bota të ulë gjunjët”.

Të ulemi në gjunjë për të gjetur, përmes lutjes, “një thërrime feje” dhe për të mos u dorëzuar para “fatit të shkruar” në dukje: atij të varreve që nuk mjaftojnë më për të nxënë trupat e asgjësuar “pa të drejtë dhe pa mëshirë”. Ndërkaq, të pretendosh të gjunjëzosh të tjerët, i verbuar nga “deliri i gjithëfuqisë”, nga banalizimi i së keqes dhe përfitimet e padrejta, deri në pikën sa të tërheqësh “madje edhe në fjalimet e vdekjes Emrin e shenjtë të Zotit”. Kështu spikat, i fuqishëm dhe prekës, reflektimi i Papa Leonit XIV në përfundim të lutjes së Rruzares për paqen sot, më 11 prill, në muzgun e Sheshit të Shën Pjetrit, në Vatikan. Ky shesh mori formën e një përfaqësimi koreografik të luftës midis errësirës “së kësaj ore dramatike të historisë” – ku thirren para përgjegjësisë “në mënyrë të pashmangshme përgjegjësitë e qeveritarëve të kombeve” dhe të atyre tryezave ku “planifikohet riarmatimi dhe vendosen veprimet vdekjeprurëse” – dhe dritës së Mbretërisë së Zotit, që këput “zinxhirin djallëzor të së keqes”, të thurur me dronë dhe hakmarrje. Me një siguri, “falas, universale dhe shpërthyese”, mbi atë se kush do ta ketë fjalën e fundit:

Ne jemi një popull që tashmë po ngjallet!

"Lufta ndan, shpresa bashkon"

Leoni merr fjalën pas lutjes së Mistereve të Lavdisë të Rruzarës, të ndërthurura me meditime nga Etërit e Kishës. Një lutje që është shprehje e asaj feje e cila, sipas fjalëve të Jezusit, “lëviz malet”. Ati i Shenjtë Prevost falënderon besimtarët e pranishëm, të përqafuar nga kolonada e Berninit në Romë, si dhe të gjithë ata që janë bashkuar shpirtërisht nga vende të shumta të botës.

Lufta ndan, shpresa bashkon. Mendjemadhësia shkel, dashuria ngre lart. Idhujtaria verbon, Zoti i gjallë ndriçon. Mjafton pak fe, një thërrime feje, të dashur, për ta përballuar së bashku, si njerëzim dhe me njerëzi, këtë orë dramatike të historisë.

"Asgjë nuk mund të na mbyllë në një fat të parashkruar"

Lutja, mediton Papa, nuk është një “strehë” për t’u arratisur nga përgjegjësitë, as një “anestezik” për t’i ikur “dhimbjes që shkakton kaq shumë padrejtësi”. Përkundrazi, ajo është “përgjigjja ndaj vdekjes” që na fton të ngremë shikimin dhe të ringrihemi nga rrënojat.

Asgjë nuk mund të na mbyllë në një fat të shkruar që më parë, as në këtë botë ku varret duket se nuk mjaftojnë, sepse vazhdohet të kryqëzohet, të asgjësohet jeta, pa të drejtë dhe pa mëshirë.

"Kurrë më luftë!"

Konfliktet e sotme janë të shumta, por jo të reja. Prandaj, fjalët e Papëve mbi luftërat rifitojnë aktualitetin e tyre, ndonëse në mënyrë dramatike. Leoni XIV kujton ato të Papës Gjon Palit II në kontekstin e krizës irakiane të vitit 2003, ku Papa Wojtila, duke kujtuar përvojën e tij personale të konfliktit gjatë Luftës së Dytë Botërore, u bënte thirrje veçanërisht të rinjve të thoshin, njësoj si Papa Pali VI në vizitën e tij të parë në Kombet e Bashkuara: “Kurrë më luftë!”

Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur! E dimë mirë se paqja me çdo kusht nuk është e mundur. Por të gjithë e dimë se sa e madhe është kjo përgjegjësi.

"Një pritë kundër asaj çmendurie të plotfuqishmërisë"

Larg të qenit një akt krejtësisht pasiv, lutja — reflekton Papa — “edukon për të vepruar”, duke bashkuar “mundësitë e kufizuara njerëzore” me “mundësitë e pafundme të Zotit”. Kështu, mendimet, fjalët dhe veprat shpërbëjnë të keqen, duke u vënë në shërbim të Mbretërisë qiellore.

Një Mbretëri në të cilën nuk ka shpatë, as dron, as hakmarrje, as banalizim të së keqes, as përfitim të padrejtë, por vetëm dinjitet, mirëkuptim, falje. Këtu kemi një mbrojtje e pritë kundër asaj çmendurie të plotfuqishmërisë që rreth nesh bëhet gjithnjë e më e paparashikueshëm dhe agresive. Ekuilibrat në familjen njerëzore janë destabilizuar rëndë. Madje edhe Emri i shenjtë i Zotit, Zotit të jetës, po tërhiqet zvarrë në fjalimet e vdekjeprurëse.

"Mjaft me idhujtarinë e vetvetes dhe të parasë"

Nga ëndrra për një botë “vëllezërish dhe motrash me një Atë të vetëm në qiell”, realiteti shndërrohet në një “makth nate” të populluar nga armiq dhe kërcënime, në vend të “thirrjeve për dëgjim dhe takim”.

Mjaft me idhujtarinë e vetvetes dhe të parasë! Mjaft me shfaqjen e forcës! Mjaft me luftën! Forca e vërtetë manifestohet në shërbimin ndaj jetës.

Leoni XIV citon pastaj Papën Gjonin XXIII, i cili në enciklikën e tij Pacem in terris, shkruante se “nga paqja të gjithë nxjerrin dobi: individët, familjet, popujt, mbarë familja njerëzore”, dhe duke rimarrë fjalët “lapidare” të Piut XII, shtoi: “asgjë nuk humbet me paqen. Gjithçka mund të humbet me luftën”.

"Përgjegjësitë e pashmangshme të qeveritarëve të Kombeve"

Fjalët e Papëve u shtohen “energjive morale dhe shpirtërore” të miliarda njerëzve që ende besojnë dhe zgjedhin paqen. E mes tyre, janë zërat e më të vegjëlve ata që meritojnë më shumë të dëgjohen.

Ta dëgjojmë zërin e fëmijëve!

Papa Leoni XIV përmend letrat që merr nga ata që jetojnë në zona konflikti, dhe se si në to perceptohet “e vërteta e pafajësisë” dhe “çnjerëzimi i veprimeve me të cilat disa të rritur mburren me krenari”.

Të dashur vëllezër dhe motra, sigurisht që ka përgjegjësi të pashmangshme të qeveritarëve të Kombeve. Atyre u themi: ndaluni! Është koha e paqes! Uluni në tryezat e dialogut dhe të ndërmjetësimit, jo në tryezat ku planifikohet riarmatimi dhe vendosen aksione vdekjeprurëse!

"T'i kthehemi besimit te dashuria"

Përballë këtyre detyrimeve, megjithatë, nuk mbetet pas e gjithë shoqëria njerëzore, e cila “e hedh poshtë luftën, me fakte, jo vetëm me fjalë”. Dhe këtë e bën duke kthyer zemrat dhe mendjet drejt një "Mbretërie të paqes", të ndërtuar në mjediset ku jetohet përditshmëria, “duke i rrëmbyer terren polemikës dhe dorëheqjes përmes miqësisë dhe kulturës së takimit”.

T’i kthehemi besimit te dashuria, te maturia, te politika e mirë. Të formohemi dhe të angazhohemi personalisht, secili duke iu përgjigjur thirrjes së vet. Çdokush ka vendin e tij në mozaikun e paqes!

"Si një shkëmb që gërryhet pikë pas pike"

Leoni XIV ndalet më pas te natyra e lutjes mariane të Rruzares, duke pasur pranë tij shtatoren e Zojës Mari Mbretëresha e Paqes, e transferuar më 9 prill në Sheshin e Shën Pjetrit nga famullia romake me të njëjtin emër në lagjen Monteverde. Papa flet mbi ritmin e rregullt të kësaj lutjeje, Rruzares, e cila të fton në një harmoni që hap hapësirë “kështu, fjalë pas fjale, gjest pas gjesti, ashtu si një shkëmb gërryhet pikë pas pike, ashtu si në tezgjah thurja përparon lëvizje pas lëvizjeje”. Kohë këto “të gjata të jetës”, por “shenjë e durimit të Zotit”.

Kemi nevojë të mos lejmë veten të mbytemi nga nxitimi i një bote që nuk e di se çfarë po ndjek, për t’u kthyer t’i shërbejmë ritmit të jetës, harmonisë së krijimit dhe të kurojmë plagët e tij.

Duke cituar një tjetër Papa, paraardhësin e tij Françeskun, Leoni XIV nënvizon nevojën për “artizanë të paqes” që të veprojnë me “zgjuarsi dhe guxim” në atë “arkitekturë” ku ndërhyjnë institucionet e ndryshme të shoqërisë.

"Në shërbim të pajtimit dhe të paqes"

Për të nënvizuar universalitetin e paqes, gjatë renditjes së Mistereve të Lavdisë të lutjes së Rruzares, ishin besimtarë nga të pesë kontinentet ata që ndezën pesë drita, duke e marrë flakën nga Llamba e Paqes e ardhur nga Asizi. Lutja, më pas, përfundon, por jo angazhimi në lutje, të cilin Leoni XIV fton ta ripërtërijnë rrugës duke u kthyer në shtëpi.

Kisha është një popull i madh në shërbim të pajtimit dhe të paqes, që përparon pa lëkundje, edhe kur refuzimi i logjikës së luftës mund t’i kushtojë keqkuptim dhe përbuzje. Ajo shpall Ungjillin e paqes dhe edukon për t'iu bindur Zotit më shumë se njerëzve, veçanërisht kur bëhet fjalë për dinjitetin e pafundmë të qenieve të tjera njerëzore, i cili vihet në rrezik nga shkeljet e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare.

"Paqja nuk është një utopi"

Duke përfunduar reflektimin, Papa Leoni XIV citon mesazhin e tij për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, ku uronte që çdo bashkësi të bëhej “shtëpi e paqes”, për të treguar se ajo “nuk është një utopi”.

Vëllezër dhe motra të çdo gjuhe, populli dhe kombi: ne jemi një familje e vetme që qan, që shpreson dhe që ringrihet. Kurrë më luftë, aventurë pa kthim; kurrë më luftë, spirale zie dhe dhune.

11 prill 2026, 17:06