Papa: kujdes nga "vjedhësit" që ushqejnë të keqen dhe vjedhin të ardhmen e paqes
R.SH. – Vatikanit
Janë shumë, ndonjëherë të dukshme, ndonjëherë të fshehët, vjedhësit që hyjnë në oborrin e zemrës së njeriut për të vjedhur, vrarë dhe shkatërruar. Ata i marrin njeriut me mashtrim gëzimin, lirinë, plagosin dinjitetin, na shtyjnë të bëjmë zgjedhje të gabuara, vjedhin të ardhmen me luftëra të përgjakshme dhe sulme grabitqare ndaj tokës. Nga dritarja e zyrës së tij në Pallatin Apostolik, pas shugurimit të dhjetë meshtarëve të rinj gjatë Meshës kremtuar paradite në Bazilikën e në Shën Pjetrit, Papa Leone XIV komenton pjesën e Ungjillit Gjonit, të kësaj së diele të 4të të Pashkëve, ku Jezusi e krahason veten me një bari dhe pastaj me “derën e vathës së deleve” që çon në jetën e plotë dhe shpëtimin.
Një lumturi e plotë dhe e qëndrueshme
“Ai që nuk hyn në vathë nga dera, por ngjitet në një vend tjetër, është vjedhës dhe bandit”. Krishti, përkundrazi, thotë Papa, është i lidhur me ne me një marrëdhënie miqësie, na njeh, na thërret me emër dhe si Bari i Mirë që bën me dhenë e tij, vjen të na kërkojë kur humbasim, na i lidh plagët, kur jemi të sëmurë.
Jezusi nuk vjen si një vjedhës për të vjedhur jetën dhe lirinë tonë, por për të na udhëhequr në rrugët e drejta. Ai nuk vjen për të plaçkitur ose mashtruar ndërgjegjen tonë, por për ta ndriçuar atë me dritën e diturisë së tij. Ai nuk vjen për të ndotur gëzimet tona tokësore, por i hap ato për një lumturi më të plotë dhe të qëndrueshme. Kush i beson Atij nuk ka çfarë të frikësohet. Ai nuk e mortifikon jetën tonë, por vjen për t’na dhuruar atë me begati”.
Thirrje për vigjilencë
Por si janë këta vjedhës që hyjnë në zemrën tonë? A kemi arritur t’i kundërshtojmë dhe si? Pyet Papa duke i paralajmëruar besimtarët për nevojën për të vigjiluar, sepse kush hyn, duke kaluar mbi gardh, mund të shtojë gëzimin ose ta vjedhë atë.
"Vjedhësit" mund të kenë shumë fytyra: janë ata që, pavarësisht nga dukja, shtypin lirinë tonë ose nuk na respektojnë dinjitetin; janë besime dhe paragjykime që na pengojnë të kemi një shikim të qetë për të tjerët dhe jetën; janë ide të gabuara që mund të na çojnë të bëjmë zgjedhje negative; janë stile jetese të cekëta ose të orientuara nga konsumizmi, që na zbrazin brenda dhe na shtyjnë të jetojmë gjithmonë jashtë vetes.
Vjedhësit e të ardhmes dhe paqes
Thirrja është, pra, të besojmë në Bariun e Mirë, Jezusin që ofron jetën me begati. Duhet të kemi kujdes maksimal, përkundrazi, ndaj atyre që vjedhin nga njerëzimi një të ardhme paqeje.
Mos harroni as “vjedhësit” që, duke plaçkitur burimet e tokës, duke luftuar luftëra të përgjakshme ose duke ushqyer të keqen në çdo formë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse vjedhin nga të gjithë ne mundësinë për një të ardhme paqeje dhe qetësie.