Papa: Kisha në Angolë mund të ndihmojë në promovimin e të drejtave të të gjithëve
R.SH. – Vatikan
Siç bëri edhe herë të tjera në udhëtimin e tij të gjatë në Afrikë, Papa – në avionin, që e çoi nga Luanda në Malabo - përshëndeti gazetarët dhe iu përgjigj pyetjeve të korrespondentëve vendas. Tre gazetarë nga Angola ndodheshin në avionin papnor dhe Leoni XIV iu përgjigj atyre. Por, më parë, u bëri urimet dy gazetarëve, Jordi Garcia dhe Andrea Tramontano, të cilët festonin ditëlindjen: "Le të bëjmë një duartrokitje për ta", kërkoi Ati i Shenjtë.
Bashkëpunimi Kishë-shtet në Angolë për shëndetësinë dhe arsimin
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të korrespondentes së Televisao Publica de Angola, Adrina Domingos, e cila deshi të dijë se si mund ta ndihmojë Kisha shtetin e Angolës të përmirësohet, veçanërisht në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë, Papa e siguroi se "tashmë po punojmë së bashku për të mirën e të gjithë njerëzve, por nga perspektiva të ndryshme". Leoni XIV shpjegoi se i diskutoi këto çështje me presidentin për të kuptuar "si mund të punojmë së bashku, ku është e mundur të përmirësohen shërbimet që shteti, në rastin e Angolës, ofron veçanërisht për popullin, përmes ndërtimit të spitaleve të reja, strukturave të reja dhe një angazhimi të fuqishëm për të mirën e popullit".
Një koncistor në të ardhmen
"Besoj se Kisha ka përgjegjësi që, përmes dëshmisë, përmes fjalëve e, edhe përmes predikimit e shpalljes së guximshme të Fjalës së Zotit, të njohë të drejtat e të gjithëve dhe të ndihmojë kështu, në promovimin e të drejtave universale", shtoi Papa. Ai vuri buzën në gaz kur u pyet nga korrespondenti i Agjencisë së Shtypit të Angolës, Mauro Romoto, lidhur me një Koncistor të mundshëm për krijimin e një kardinali angolez. "Kjo është pyetja, që duan të bëjnë shumë vetë", u përgjigj Leoni XIV, duke shpjeguar se "ende nuk është vendosur se kur do të krijohen kardinaj të rinj. Duhet ta shohim çështjen në nivel global... Shpresojmë për Afrikën dhe, ndoshta, edhe për Angolën. Në të ardhmen e afërt, ndoshta pak më tej, mund të marrim parasysh emërimin e një kardinali të ri edhe për Angolën".
Thirrje për ungjillëzim, pa prozelitizëm
Para se të ndahej me gazetarët, Papa - i nxitur nga një pyetje e fundit e Cornelio Bento i Rádio Ecclésia-s, emitentja katolike e Angolës - shprehu "gëzimin" e tij duke parë "vendet në botë ku Kisha po zhvillohet. Të gjithë e dimë", shtoi ai, "se ka vende të tjera në botë ku po ndodh e kundërta, prandaj, bëj thirrje për ungjillëzim, për ta vazhduar shpalljen e Ungjillit dhe për t’i ftuar të tjerët, jo përmes prozelitizmit, siç ka thënë shpesh Papa Françesku, por përmes bukurisë, tërheqjes së fesë, gëzimit të besimtarëve, që është një nga kumtet më të mira të fesë së Ungjillit".
Më shumë barinj për të mirën e popullit
Në Angolë, vërtet "Kisha po zhvillohet". Kjo, edhe falë punës së vetë ipeshkvijve, me bashkëpunimin e nuncit apostolik, theksoi Leoni XIV. "Mund ta shohim konkretisht se ku do të ishte e rëndësishme të krijoheshin dioqeza të reja për të mirën e popullit, për të pasur mundësinë e më shumë ipeshkvijve, si barinj më të afërt me popullin".
