Kërko

Papa: jam në Afrikë për t’u dhënë zemër katolikëve, jo për të debatuar me Trumpin

Në fluturimin për në Luandë, Angolë, ndalesa e tretë në udhëtimin e tij apostolik, Leoni XIV përshëndeti gazetarët që e kanë shoqëruar gjatë ditëve të fundit dhe falënderoi Kamerunin për pritjen e jashtëzakonshme: "Jam i lumtur që pata këtë përvojë." Papa sqaroi gjithashtu se fjalimet e tij ishin përgatitur javë më parë dhe për këtë arsye nuk duhet të interpretohen "sikur po përpiqesha të debatoja përsëri me presidentin e SHBA-së, gjë që nuk është aspak në interesin tim".

R.Sh. / Vatikan

Papa Leoni XIV dha një vlerësim plotësisht pozitiv të tri ditëve që sapo kaluan në Kamerun, një vend që "përfaqëson zemrën e Afrikës në shumë mënyra: si anglishtfolëse ashtu edhe frëngjishtfolëse, me rreth 250 gjuhë lokale dhe me një larmi të madhe grupesh etnike". Duke fluturuar për në Angolë, ndalesa e tretë në udhëtimin e tij apostolik në Afrikë, Papa – pak minuta pas fillimit të fluturimit – bisedoi me gazetarët që e shoqërojnë për t'i falënderuar për punën e tyre, duke u thënë: "Shpresoj se keni kaluar mirë në Kamerun!, por edhe për të sqaruar disa çështje në lidhje me interpretimin që i është mveshur fjalëve të tij të ditëve të fundit.

Përcjellje e pasaktë fjalësh

"Janë përhapur fjalë, jo plotësisht të sakta, për shkak të gjendjes politike të krijuar kur, në ditën e parë të udhëtimit, presidenti i Shteteve të Bashkuara bëri disa deklarata rreth meje", shpjegon Papa Leoni, duke iu referuar akuzave që Trump i drejtoi në fillim të javës, rreth të cilave vetë Papa pati folur në fluturimin e nisjes nga Roma. Por ndërsa Presidenti i SHBA-së - dhe gjithashtu zëvendëspresidenti J.D. Vance – vazhduan në ditët në vijim me komente kundër Papës, çështja, përsa i përket Papës, u pat mbyllur që nga dita e parë. Prandaj, u pa i nevojshëm edhe ky saktësim për gazetarët.

"Shumica e asaj që është shkruar që nga ajo ditë nuk është gjë tjetër veçse koment mbi koment, në një orvatje për të interpretuar atë që është thënë", nënvizoi Leoni XIV. Një shembull është fjalimi i rëndësishëm që Papa mbajti në Takimin e Lutjes për Paqe më 16 prill. Ai fjalim, shpjegon Papa, "ishte përgatitur dy javë më parë, shumë kohë përpara se presidenti të komentonte për mua dhe mesazhin e paqes që po bëj unë. Megjithatë, u interpretua sikur po përpiqesha të debatoja prap me presidentin, gjë që nuk është aspak në interesin tim".

Ndërtimi i paqes dhe i dialogut ndërfetar

Ashtu siç bëri edhe gjatë vajtjes në Afrikë, Papa Leoni përsëriti misionin e tij: "Unë vij në Afrikë kryesisht si bari i grigjës, si kreu i Kishës Katolike, për t’u gjetur këtu, për të festuar, për të inkurajuar dhe për të shoqëruar të gjithë katolikët afrikanë." Vizita ka edhe anë të tjera, dhe Papa përmend në këtë drejtim "takimin e shkëlqyer" që pati me një grup imamësh në nunciaturën në Yaoundé, duke theksuar nevojën "për të vazhduar të nxisim – siç po bëjmë tashmë në vende të tjera dhe siç ka bërë Papa Françesku gjatë gjithë papnisë së tij – dialogun, vëllazërimin, mirëkuptimin, pranimin dhe ndërtimin e paqes me njerëz të të gjitha besimeve". Papa shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij për takimin e djeshëm në Universitetin Katolik të Afrikës Qendrore, ku bekoi një monument "të bukur" që paraqiste një hartë të Afrikës me Shën Augustinin në qendër: "Ky monument shpreh një pjesë të asaj që përfaqëson kjo Kishë".

Të shpallurit e Ungjillit

Papa, në përshëndetjen e tij, trajtoi gjithashtu çështjen therëse të "shpërndarjes së pabarabartë të pasurisë" që vërehet kudo, në të gjithë Afrikën. Kameruni në veçanti, thotë ai, "është një vend i pasur me mundësi, por edhe me sfida".

Tani e ka rradhën Angola, në këtë pjesë tjetër të udhëtimit. "Le të vazhdojmë të shpallim mesazhin e Ungjillit", pohoi Papa, duke theksuar bukurinë e të qenit i krishterë, që do të thotë "të ndjekësh Krishtin, të nxisësh vëllazërimin, të besosh në Zotin, por edhe të kërkosh mënyra për të promovuar drejtësinë në mbarë botën. Të promovosh paqen në botën tonë".

Faleminderit Kamerunit

Nëpërmjet të vetmit gazetar kamerunas në fluturimin papnor, Charles Ebune të Radiotelevizionit të Kamerunit (CRTV), Papa Leoni XIV u përcolli mirënjohjen e tij të gjithë banorëve të Kamerunit "për pritjen e mrekullueshme, entuziazmin e madh dhe gëzimin e njerëzve. Ishte krejtësisht fantastike!" Gjithashtu "i jashtëzakonshëm", sipas Papës, është fakti se, "nëpërmjet këtij entuziazmi të përbashkët", shumë njerëz zbuluan "sa e mrekullueshme është të jesh dishepull i Jezu Krishtit dhe të kremtosh besimin tonë së bashku". "Jam shumë i lumtur që e përjetova këtë përvojë", thotë Leoni XIV.

"Mirëupjekshim në Angola!"

Në fund, Papa Leoni u shprehu falënderimet dhe përshëndetjet e tij afërsisht shtatëdhjetë gazetarëve në aeroplan: "Jam shumë i lumtur që po ju përshëndes të gjithëve dhe po ju falënderoj për punën që po bëni. Shpresoj që Zoti të vazhdojë të na bekojë të gjithëve në këtë udhëtim. Shihemi në Angola!"

18 prill 2026, 16:57