Leone XIV: Autoritetet janë të thirrura për t'i shërbyer popullit, jo për të sunduar
R.SH. – Vatikan
“Forca e vërtetë e një vendi vjen nga bashkëpunimi i të gjithëve për realizimin e së mirës së përbashkët. Autoritetet janë thirrur jo për të sunduar, por për t’i shërbyer popullit dhe zhvillimit të tij. Veprimi politik, prandaj, e gjen kriterin e vet në drejtësi, pa të cilën nuk ka paqe autentike, dhe shprehet në nxitjen e kushteve të drejta e dinjitoze për të gjithë. Edhe Kisha Katolike, me komunitetet dhe iniciativat e saj, dëshiron të kontribuojë në të mirën e përbashkët të Algjerisë, duke forcuar identitetin e saj të veçantë si urë midis Veriut dhe Jugut, midis Lindjes dhe Perëndimit.” Kështu u shpreh Papa Leone XIV, gjatë takimit me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në qendrën e konferencave Djamaa el Djazair në Algjeri.
Shenja e një kulture takimi e pajtimi! Papa Leoni XIV është i qartë lidhur me kuptimin e thellë të pranisë së tij në Algjeri, ku mbërriti sot, më 13 prill. I përsëriti këto fjalë kyçe para autoriteteve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe trupit diplomatik të Magrebit në një reflektim të gjerë, të frymëzuar jo vetëm nga historia e rajonit, por edhe të mbushur me shqetësime për një botë të pllakosur nga konflikti, "shkeljet e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare" dhe "tundimet neokoloniale". Këto shqetësime vënë në pikëpyetje ushtrimin e autoritetit si shërbim ndaj drejtësisë, barazisë dhe përfshirjes, dhe praktikën fetare, që nuk ndahet kurrë nga devotshmëria, e cila i hedh poshtë të gjitha format e fondamentalizmit.
Jemi një familje e vetme
Që nga fillimi i fjalimit të Papës, nis e lartohet "ndjenja e thellë fetare e popullit algjerian" e cila, theksonLeoni XIV, është "sekreti i një kulture takimi dhe pajtimi".
Në një botë plot konflikte dhe keqkuptime, të takohemi dhe të kërkojmë mirëkuptim, duke pranuar se jemi një familje! Sot, thjeshtësia e kësaj vetëdije është çelësi për hapjen e shumë dyerve të mbyllura.
Të fortët e vërtetë janë njerëz të përvuajtur e të drejtë.
Ata janë të fortët, janë e ardhmja: ata që nuk e lejojnë veten të verbohen nga pushteti dhe pasuria, ata që nuk flijojnë dinjitetin e bashkëqytetarëve të tyre për fatin e vet personal ose të grupit.
Feja pa mëshirë është shkandull
Një fe pa mëshirë dhe një jetë shoqërore pa solidaritet janë shkandull në sytë e Zotit. Megjithatë, shumë shoqëri që besojnë se janë të përparuara, po bien gjithnjë e më shumë në pabarazi dhe përjashtim.
Shkeljet e së Drejtës ndërkombëtare dhe tundimet neokoloniale
Duke mos shumëzuar keqkuptimet dhe konfliktet, por duke respektuar dinjitetin e secilit person dhe duke lejuar veten të prekeni nga dhimbja e të tjerëve, ju mund të bëheni protagonistë të një rrjedhe të re të historisë, sot më urgjente se kurrë, përballë shkeljeve të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe tundimeve neokoloniale.
Autoritet jo për të sunduar, por për të shërbyer
Autoritetet janë të thirrura jo për të sunduar, por për t'i shërbyer popullit dhe zhvillimit të tij. Prandaj, veprimi politik e gjen kriterin e tij në drejtësi, pa të cilën nuk ka paqe të mirëfilltë, dhe shprehet në nxitjen e kushteve të drejta e dinjitoze për të gjithë.
Deti dhe shkretëtira të reduktuara në varreza, të shumëfishojnë oaza paqeje
Mjerë ne nëse i shndërrojmë ato në varreza, ku vdes edhe shpresa! T'i çlirojmë këto pellgje të pafundme të historisë dhe të së ardhmes nga e keqja! T'i shumëfishojmë oazet e paqes, të denoncojmë dhe të largojmë shkaqet e dëshpërimit e të luftojmë ata që përfitojnë nga fatkeqësia e të tjerëve!
Edukimi për liri, dialog dhe shërim të kujtesës
Duhen edukuar njerëzit me të menduarit kritik dhe të lirisë, me dëgjimin dhe dialogun, si dhe me besimin, që na lejon të njohim në tjetrin një shok udhe, jo një kërcënim. Duhet të punojmë për shërimin e kujtesës dhe për pajtimin ndërmjet kundërshtarëve të lashtë.
