Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: demokracia të bazohet mbi ligjin moral, përndryshe rrezikohet tirania

“Përqendrimi i pushtetit teknologjik, ekonomik dhe ushtarak në duart e pak njerëzve kërcënon si pjesëmarrjen demokratike të popujve, ashtu edhe harmoninë ndërkombëtare”. Ky është një pjesë nga mesazhi i Papës drejtuar Akademisë Papnore të Shkencave Sociale, mbledhur në seancë plenare.

R.SH. – Vatikan

Pushteti jo si qëllim në vetvete, por si mjet për të arritur të mirën e përbashkët; maturia që “shërben si pengesë kundër abuzimit me pushtetin”; rendi ndërkombëtar që lind nga ekuilibri i pushtetit dhe demokracia që mbetet e shëndetshme nëse është e rrënjosur në ligjin moral. Këto janë disa nga pikat që Papa Leoni ofron në mesazhin e tij, në anglisht, dërguar pjesëmarrësve në seancën plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Sociale, që zhvillohet nga sot, 14 prill, deri më 16 prill mbi temën: Përdorimi i pushtetit: legjitimiteti, demokracia dhe ripërcaktimi i rendit ndërkombëtar.

“Një temë – shkruan Papa – veçanërisht aktuale, që përqendron reflektimin tonë mbi ushtrimin e pushtetit, element themelor për të ndërtuar paqen brenda kombeve dhe mes tyre në këtë moment ndryshimi të thellë global”.

Urtia dhe maturia kundër abuzimeve me pushtetin

Leoni kujton doktrinën shoqërore të Kishës Katolike dhe nënvizon se “legjitimiteti i autoritetit nuk varet nga grumbullimi i pushtetit ekonomik apo teknologjik, por nga dituria dhe virtyti me të cilin ai ushtrohet”. Dituria, në fakt, ndjek të mirën e vërtetë dhe është “e pandashme nga virtytet morale”. “E dimë – vë në dukje Papa – se drejtësia dhe qëndresa janë të domosdoshme për një proces të shëndetshëm vendimmarrës dhe për zbatimin e vendimeve. Edhe maturia rezulton thelbësore për përdorimin legjitim të autoritetit, pasi maturia e vërtetë frenon lartësimin e tepruar të vetvetes dhe shërben si pengesë kundër abuzimit me pushtetin”.

Demokracia, pritë ndaj tiranisë dhe sundimit të elitave

Autoriteti dhe pushteti legjitim gjejnë shprehje në demokracinë që njeh dinjitetin e njeriut dhe e fton atë të marrë pjesë në kërkimin e së mirës së përbashkët. “Demokracia mbetet e shëndetshme, megjithatë, vetëm kur është e rrënjosur në ligjin moral dhe në një vizion të vërtetë të personit njerëzor. Pa këtë themel, - lexohet në mesazh - ajo rrezikon të bëhet ose një tirani e shumicës ose një maskë për sundimin e elitave ekonomike dhe teknologjike”.

Përqendrimi i pushtetit, kërcënim demokratik

Reflektimi i Papës ka të bëjë edhe me rendin ndërkombëtar, i udhëhequr nga të njëjtat parime që mbështesin ushtrimin e autoritetit brenda kombeve. “Një e vërtetë – shkruan Ati i Shenjtë – që është veçanërisht e rëndësishme të kujtohet në një kohë kur rivalitetet strategjike dhe aleancat e ndryshueshme po ripërcaktojnë marrëdhëniet globale”. Një rend ndërkombëtar i drejtë dhe i qëndrueshëm, sipas mendimit të Leonit, “nuk mund të lindë thjesht nga ekuilibri i pushtetit dhe as nga një logjikë thjesht teknokratike. Përqendrimi i pushtetit teknologjik, ekonomik dhe ushtarak në duart e pak njerëzve kërcënon si pjesëmarrjen demokratike të popujve, ashtu edhe harmoninë ndërkombëtare”.

Një kulturë e pajtimit

Nga këtu buron thirrja, në linjë me paraardhësit e tij, që institucionet të rinovohen duke u frymëzuar nga parimi i subsidiaritetit, duke rishikuar edhe format e bashkëpunimit ndërkombëtar. Duke u ndalur më pas në një perspektivë besimi, Papa kujton se “fuqia hyjnore nuk dominon, por përkundrazi shëron dhe ripërtërin”, sepse përdor logjikën e dashurisë “për të ndërtuar një kulturë të pajtimit të aftë për të kapërcyer kurthet e indiferencës dhe të pafuqisë”.

14 prill 2026, 14:25