Papa dëgjon dëshmi nga Kisha angoleze, "një frymëzim për botën"
R.SH. – Vatikan
Frika se mos është "delja numër 100", e humbura, e paafta për të përmbushur rolin e vet, paradoksalisht, pikërisht atë të bariut. Sfidat - të renditura njëra pas tjetrës, përfshirë përhapjen e sekteve fetare dhe besimin në magji - mishërohen në dhjetë kilometrat, që bën një katekist për të përfunduar formimin e tij, duke shmangur minat dhe arrestimet për akuza "bashkëpunimi me forcat armike". Këto janë dëshmi që Papa Leoni XIV i quajti "shprehje themelore e jetës së Kishës" dhe "frymëzim për bashkësitë katolike në të gjithë botën", gjatë takimit të sotëm, 20 prill, në famullinë e Zojës së Fatimës në Luanda, me klerin e Angolës.
"Nuk do të jesh meshtar për të qenë kryetar"
Ndër dëshmitë që i paraprijnë fjalimit të Papës, e para është ajo e një meshtari të shuguruar 43 vjet më parë, i cili tregon se u frymëzua nga një varg kënge, "Dua të jem drita, që e shndrit dhe e udhëzon popullin tim", pikërisht kur ndiente se nuk po i shkonte për shtat plani i Kishës. "Nuk do të bëhesh meshtar për të qenë udhëheqës, për të qenë njeri i rëndësishëm, por për t'u shërbyer vëllezërve": ky ishte rekomandimi që mori në seminar, së bashku me mësimin se marrja e Sakramentit të Urdhrit të Shenjtë do të thotë "të vihesh në shërbim të Popullit të Zotit". Prifti kujtoi shembullin e Dom Óscar Braga-s, ipeshkvit të nderit të Benguelas, që ndërroi jetë më 26 maj 2020. Gjatë pushimeve misionare, e dërgonte në lagjet më të varfra të vetë Benguelas, ku ndihej “si delja numër 100, i kapluar nga frika se nuk ishte i aftë" t’u bënte ballë atyre situatave, që u bënë shkolla e tij e jetës.
Dhjetë kilometra në këmbë për t'u bërë katekist
Pastaj merr fjalën Manuel Almeida, 61 vjeç, i martuar me shtatë fëmijë. Pasi u bë katekist në bashkësinë famullitare të Zojës së Fátima de la Uíje në vitin 1994, u regjistrua në një shkollë formimi dioqezane për dy vjet. "Gjatë kësaj periudhe, u përballa me shumë vështirësi: thirrje të vazhdueshme për shërbim të detyrueshëm ushtarak, rrugë ditore prej 10 kilometrash në këmbë; lodhje, shi, vështirësi në sigurimin e jetesës për familjen time dhe shumë më tepër. Më është dashur të bëj sakrifica të mëdha për të arritur qëllimet e mia". Emërohet katekist edhe për një bashkësi tjetër, gjë që do të thoshte më tepër rrugë, me rrezikun e minave dhe të arrestimeve me akuzën e bashkëpunimit me forcat armike. “Ndonjëherë, më pengonin të kremtoja Liturgjinë e Fjalës, për të marrë pjesë në mbledhjet e partive politike”, tregoi ai, “një praktikë që, për fat të keq, vazhdon edhe sot në shumë rajone të dioqezës”. Katekisti i njeh mirë sfidat e bashkësive lokale: “mungesa e katekistëve; përhapja e sekteve fetare; besimi në magji; rrugët e këqija dhe mungesa e transportit; distancat e gjata që duhen përshkuar në këmbë, të cilat mund të mbulojnë zona prej 250-350 km²; dhe vështirësitë materiale në plotësimin e nevojave për familjet”.
Në "gëzimet dhe hidhërimet" e popullit angolan
Dy dëshmitë e fundit u dhanë nga motër Natália Miguel dhe motër Margarida Adelaide Kundjutu, përkatësisht presidente dhe sekretare e Konferencës së Instituteve Rregulltare të Angolës (CIRA). Aktualisht, Konferenca përbëhet nga 166 kongregata rregulltare, 62 prej të cilave janë mashkullore dhe 104 femërore. 4.418, të shuguruarit: 3.227 gra dhe 1.191 burra. Murgeshat pohojnë se rregulltaret ndajnë "gëzimet dhe vuajtjet" e popullit të Angolës, duke u bërë të pranishme në fusha të ndryshme të jetës: arsim, kujdes shëndetësor, ndihmë sociale; zbatim të sinodalitetit; mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe promovim të drejtësisë sociale; si edhe në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Megjithatë, puna e tyre misionare përballet me sfida të shumta: inkulturimin e Ungjillit, aktivizmin, dobësimin e shpirtit profetik dhe autonominë financiare, “e cila shpesh kompromenton jo vetëm vetëm qëndrueshmërinë e instituteve, por edhe veprat e tyre apostolike”. Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, Konferenca i inkurajon kongregatat që, ndër të tjera, të përdorin mediat sociale për të shpallur Ungjillin. “Ripërtërijmë angazhimin tonë për ta jetuar jetën e shuguruar me gëzim. Për të qenë vërtet drita e botës dhe kripa e tokës”.
