Papa bekon gurin e themelit të "Klinikës së Zemrës - Papa Françesku" të spitalit «Gemelli», Romë

Leoni XIV priti përfaqësues të Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë, Instituti G. Toniolo, Fondacioni Poliklinik A. Gemelli IRCCS dhe Fondacioni Roma. Në fjalimin e vet, ai kujtoi enciklikën e fundit të Jorge Mario Bergoglio-s, "Dilexit nos", pothuajse "një testament" në të cilin organi i zemrës identifikohet si vendi i dashurisë, një vend ku çdo person pjek "identitetin e tij plotësisht dhe në mënyrë të shkëlqyer".

R.SH. / Vatikan

«Qendra e zemrës – Papa Françesku», kështu quhet "fshati i madh" që mban emrin e Papa Françeskut ku Poliklinika Gemelli e Romës do të përqendrojë kujdesin për patologjitë kardiovaskulare. Kjo strukturë vazhdon të rritet, dhe përfshin "formimin njerëzor dhe të krishterë" të atyre që punojnë aty. Por "zemra" është gjithashtu, dhe mbi të gjitha, siç kujtoi Papa argjentinas në enciklikën e tij të fundit, «Dilexit nos», vendi i dashurisë, brenda të cilit çdo person gjen "identitetin e vet plotësisht dhe në mënyrë të shkëlqyer". Papa Leoni XIV reflektoi mbi këtë vlerë të dyfishtë të çmuar në fjalimin e tij këtë mëngjes, më 27 prill, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik të Vatikanit, me rastin e bekimit të gurit të themelit të "Qendrës së Zemrës - Papa Françesku", e cila do të përfundojë së ndërtuari brenda tri vjetësh.

Zgjedhja e emërtimit sipas «Zemrës së Shenjtë»

Leoni XIV e përkufuzoi projektin si një "model organizativ të përqendruar te personi", i bazuar te një fjalë – "zemër" – e cila bën pjesë edhe tek vetë emri i universitetit të cilit i përket Gemelli: «Universiteti Katolik i Zemrës së Shenjtë». Në këtë drejtim, Leoni XIV kujton një hollësi me karakter historik: kur u pat kërkuar njohja nga ana e shtetit për universitetin e ri, emërtimi i zgjedhur «Zemra e Shenjtë» nuk u pëlqye, duke u konsideruar nga disa si "shumë devocional", por bashkëpunëtorja e besuar e Atë Gemelli-t, e Lumja Armida Barelli, nuk kishte dyshime.

Universiteti do të quhej "i Zemrës së Shenjtë", sepse vargu i "mrekullive" që e kishin bërë të mundur këtë ndërmarrje i detyroheshin pikërisht Zemrës së Krishtit. Gemelli i vuri vesh bashkëpunëtores së tij të besuar dhe emri u miratua edhe nga autoritetet qeveritare.

Zemra, "qendra dhe sinteza" e individit

Një zgjedhje që Leoni e quan profetike, veçanërisht nën dritën e enciklikës së fundit të Papa Françeskut – "pothuajse një testament" – kushtuar "dashurisë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit". Duke kujtuar se si antropologjia e krishterë e kupton zemrën si "qendrën dhe sintezën e çdo personi", Papa citoi një fragment prej kësaj antropologjie:

Bërthama e çdo qenieje njerëzore, qendra më intime, nuk është thelbi i shpirtit, por i të gjithë personit në identitetin e tij unik, i cili përbëhet nga trupi dhe shpirti. Gjithçka është përmbledhur te zemra, e cila mund të jetë selia e dashurisë me të gjithë përbërësit e saj shpirtërorë, psikologjikë dhe madje edhe fizikë. Në fund të fundit, nëse dashuria mbretëron brenda saj, personi arrin identitetin e tij ose të saj në një mënyrë të plotë dhe të ndritshme, sepse çdo qenie njerëzore është krijuar para së gjithash për dashurinë, është bërë në pejzat e tij më të imta për të dashur dhe për t'u dashur.

Kisha promovon bamirësinë arsimore dhe shoqërore

Pikërisht te kjo pjesë, Papa rizbulon kornizën e parimeve dhe të vlerave që mbështesin punën e Poliklinikës, të cilën ai e nxit të përparojë, duke e shoqëruar këtë zhvillim me kujdes për elementët njerëzorë dhe të krishterë të stafit të saj. Mesazhi qendror i enciklikës, nënvizoi Papa Leoni, nuk është thjesht "teologjik apo shpirtëror", por përqendrohet "te misteri i dashurisë së Zemrës së Krishtit, burimi kryesor i frymëzimit dhe i mbështetjes për jetën dhe punën tonë".

Si një flakë e amëshuar, kjo dashuri ka frymëzuar dëshmitarë të panumërt të bamirësisë në Kishë, ku hyn bamirësia arsimore dhe ajo shoqërore. Ndër këta mund të përfshijmë Atë Gemelli-n, të Lumen Armida Barelli dhe themeluesit e tjerë të Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë.

Papa e përfundoi fjalën e tij duke kujtuar se sa shumë e kishte dëshiruar prej kohësh, Atë Gemelli, Fakultetin e Mjekësisë, një dëshirë që vijon edhe tek themelimi më i ri i «Qendrës së Zemrës»

Të pranishmit në audiencë

Midis të pranishmëve në audiencë, në Sallën e Koncistorit ishte rektorja e Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë, Elena Beccalli, e cila deklaroi se bekimi përforcon vlerën e një projekti "që synon kombinimin e inovacionit dhe përqendrimit te pacienti", duke përmbledhur "kujdesin klinik, kërkimin dhe mësimdhënien me një vizion të mjekësisë që i shërben të gjithë personit dhe bazohet te solidariteti". Daniele Franco, kryetar i Fondacionit të Spitalit Universitar Agostino Gemelli (IRCCS), theksoi vlerën e investimit strategjik të "Qendrës së Zemrës – Papa Françesku", i cili ndërthur "risitë teknologjike, organizative dhe mjedisore për të përmirësuar cilësinë e kujdesit kardiovaskular dhe për të zgjeruar mundësinë e përdorimit të tij nga pacientët".

Gjithashtu, në takimin me Leonin XIV morën pjesë asistenti i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë, imzot Claudio Giuliodori; zëvendëskryetari Giuseppe Fioroni dhe sekretari i përgjithshëm i Institutit Giuseppe Toniolo për Studime të Përparuar, Enrico Fusi; Franco Parasassi, kryetar i Fondacionit Roma, me anëtarë të bordit drejtues dhe një delegacion menaxherësh, profesorësh, kardiologësh dhe personeli shëndetësor nga Universiteti Katolik dhe Poliklinika Gemelli, përfshirë këtu drejtorin e përgjithshëm Daniele Piacentini, drejtorin shkencor Antonio Gasbarrini dhe dekanin e Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë Alessandro Sgambato.

27 prill 2026, 17:25