Papa Leoni në Xhaminë e Madhe të Algjerit bashkë me kard. George J. Koovakad, Prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar Papa Leoni në Xhaminë e Madhe të Algjerit bashkë me kard. George J. Koovakad, Prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar

Përmbledhje e udhëtimit apostolik të Papa Leonit XIV në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe në Guinenë Ekuatoriale (13-23 prill 2026)

Papa solli një propozim konkret për ndërtimin e drejtësisë, stabilitetit shoqëror dhe bashkëjetesës midis popujve. Kështu u shpreh prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinali Koovakad në këtë vlerësim fillestar të udhëtimit të tretë apostolik të Leonit XIV

R.SH. Vatikan

Takimet ndërfetare të udhëtimit apostolik të Papa Leonit XIV ishin të spikatura, veçanërisht në Algjeri dhe Kamerun. Edhe fjalimet e tij drejtuar autoriteteve dhe trupit diplomatik në Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale paraqitën një vizion koherent të dialogut ndërfetar si rrugë e parapëlqyer drejt paqes, pajtimit dhe stabilitetit shoqëror. Udhëtimi nxori në pah një fill që i bashkon të gjithë, me fjalët dhe gjestet që puqen në një këndvështrim të vetëm teologjik dhe baritor.

Në Algjeri, udhëtimi u shfaq qysh në fillim si i orientuar drejt ndërtimit të urave dhe pajtimit. Papa e quajti atë "një mundësi shumë të çmuar për të vazhduar me të njëjtin zë, me të njëjtin mesazh, nëse dëshirojmë të promovojmë paqen, pajtimin dhe respektin për të gjithë popujt", duke kujtuar në këtë mes edhe Shën Augustinin si "urë shumë të rëndësishme në dialogun ndërfetar".

Në Algjer, ai e vendosi vëllazërimin e përbotshëm në qendër të fjalimit të tij drejtuar autoriteteve: "Ne jemi vëllezër dhe motra, sepse kemi të njëjtin Atë në qiell", duke e dëftuar kështu besimin si një parim që ndihmon drejtësinë, solidaritetin dhe paqen. Ky orientim gjeti shprehje konkrete edhe në gjestet e tij, posaçërisht në vizitën në Xhaminë e Madhe, ku ripohoi "dinjitetin e çdo njeriu" dhe deklaroi: "ne mund të mësojmë të respektojmë njëri-tjetrin, të jetojmë në harmoni dhe të ndërtojmë një botë paqeje".

Fjalët e mesazhit që shkroi në librin e vizitorëve – "Mëshira e Shumë të Lartit e mbroftë popullin fisnik algjerian dhe të gjithë familjen njerëzore në paqe dhe liri" – e përmbledhin në mënyrë domethënëse këtë vizion të përbotshëm.

Edhe në Notre-Dame d'Afrique, dialogu u shfaq në një mënyrë konkrete dhe të përditshme, siç e dëshmojnë fjalët e tij se besimi "nuk izolon, por çel, bashkon, nuk ngatërron por bashkon pa i homogjenizuar njerëzit dhe kulturat". Në fund, në Annaba, perspektiva augustiniane i dha udhëtimit një hije më të thellë shpirtërore, duke e lidhur kërkimin e Zotit me ndërtimin e paqes dhe të bamirësisë: "besimi në një Zot të vetëm... i bashkon njerëzit tek një drejtësi  e përsosur, e cila i fton të gjithë për dashuri".

Në Kamerun, në këtë vend të plagosur nga kriza anglofone, por që nuk ka shfryrë drejt një konflikti fetar, Papa theksoi qartë rolin pozitiv të feve kur ato nuk shtrembërohen nga "helmi i fundamentalizmit". Në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve, ai bëri thirrje për "hedhjen poshtë të logjikës së dhunës dhe të luftës" për të përqafuar "një paqe të çarmatosur... dhe çarmatosëse", duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët të shteteve dhe të kryetarëve të feve në parandalimin e konflikteve.

Momenti më domethënës ishte takimi në Bamenda, ku përfaqësuesit e feve, të krishterë, myslimanë dhe të besimeve tradicionalë dhanë dëshmi konkrete se si e përjetojnë vëllazërimin. Imami tha shprehimisht: "E falënderojmë Zotit që kjo krizë nuk ka shkuar drejt një luftë fetare...", ndërsa Papa vuri në dukje «Lëvizjen e Paqes» si «një model për të gjithë botën», duke paralajmëruar kundër "atyre që përdredhin besimet fetare... drejt qëllimeve të tyre". Ky takim dëshmoi se si dialogu ndërfetar mund të lindë nga një histori e përbashkët vuajtjesh dhe të shndërrohet në një rrugë pajtimi. Po ashtu, në takimet me përfaqësuesit myslimanë dhe ipeshkvijtë, Papa Leoni XIV këmbënguli te përgjegjësia e përbashkët për ndërtimin e paqes dhe te nevoja për një dialog realist, ku mund të pranohen dallimet e brendshme të bashkësive fetare dhe ku duhet të nxitet një begatim kulturor i vërtetë.

Në Angolë, duke iu drejtuar trupit diplomatik, Papa e zgjeroi këndvshtrimin e tij nga i gjithë kontinenti afrikan, duke theksuar sfidat që kanë të bëjnë me përplasjet dhe përçarjet: "Afrika ka nevojë të ngutëshme të kapërcejë situatat e konflikteve dhe të armiqësive... Vetëm kur takohemi, lulëzon jeta. I pari, vjen dialogu".

Në këtë pikë, Leoni XIV kujtoi edhe mësimet e Papa Françeskut, duke theksuar vazhdimësinë e magjisterit të tij mbi dialogun dhe paqen.

Po ashtu, në Guinenë Ekuatoriale, Ati i Shenjtë këmbënguli te vlerat e përbashkëta si formimi i ndërgjegjes dhe tek e mira e përbashkët, kur tha: "Në një botë të plagosur nga arroganca, popujt kanë uri dhe etje për drejtësi". Po ashtu, edhe kur i bëri jehonë thirrjes së Papa Françeskut: "Sot duhet t'i themi jo ekonomisë që përjashton dhe nuk e njeh barazinë. Kjo ekonomi vret".

Nëse bëjmë një vlerësim të përgjithshëm, pastaj, mund të themi se Leoni XIV iu referua në mënyrë të qartë trashëgimisë së Papa Françeskut, kur përmendi angazhimin e tij për "vëllazërimin e përbotshëm" dhe "respektin e vërtetë për të gjithë burrat dhe për të gjitha gratë".

Kështu, pra, duket se i tërë udhëtimi u përshkua nga disa tema bashkuese: vëllazërimi si themel i bashkëjetesës; dënimi i çdo shfrytëzimi të fesë dhe roli vendimtar i prijësave fetarë për ndërmjetësimin e konflikteve.

Nga ky këndvështrim, përvojat që u panë në shtete të ndryshme nuk janë të izoluara, por shfaqen si propozim domethënës dhe kuptimplotë për të mbështetur, në botën bashkëkohore, dialogun ndërfetar që i sjell dobi paqes, drejtësisë dhe bashkëjetesës së qëndrueshme midis popujve.

23 prill 2026, 15:54