Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Nga Pompei - në Lampeduza, vizitat baritore të Papës në Itali

Papa Leoni XIV do të bëjë së shpejti katër shtegtime: nga 8 maji ̠ deri më 4 korrik. Caku i parë është Kampania: në një dite të vetme, Papa do të vizitojë Shenjtëroren e Ζojës Rruzare dhe Napolin. Më pas, më 23 maj, do të takohet me njerëzit e "Tokës së Zjarrit" në Acerra. Më 20 qershor, të gjitha vizitat e pasdites do të bëhen në Pavia, ku ndodhen reliket e Shën Augustinit dhe të Shën Angelo Lodigianos. Së fundi në Lampeduza, më 4 korrik, do të ketë ngjarje të ndryshme përkujtimore dhe Meshë do

R.SH. / Vatikan

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi, më 25 prill, programet për vizitat e ardhshme baritore të Papës Leoni XIV në Itali: në Pompei, Napoli, Acerra, Pavia, Sant'Angelo Lodigiano dhe Lampeduza.

Papa do të udhëtojë për në Pompei dhe Napoli më 8 maj, për të nderuar mbetjet e Shën Bartolo Longos, themeluesit të Ζojës Rruzare dhe për të kryesuar Meshën, me një lutje drejtuar Virgjëreshës Mari, si dhe me takimin me Kishën dhe qytetarët e kryeqytetit të Kampanjës, siç u njoftua dje nga Shenjtërorja dhe Kryedioqeza e Napolit.

Në "Tokën e Zjarreve"

Më 23 maj Papa do të vizitojë, në Acerra, popullsinë e "Tokës së Zjarreve". Mbërritja e tij me helikopter planifikohet në orën 8:45 të mëngjesit, në fushën sportive "Arcoleo". I pritur nga Ipeshkvi Antonio Di Donna, Kryetari i Bashkisë Tito d'Errico, Presidenti i Rajonit të Kampanjës Roberto Fico dhe Prefekti i Napolit Michele Di Bari, Papa do të mbërrijë në katedrale në orën 9:15. Duke e pritur, për ta dëgjuar, do të jenë ipeshkvijtë e Kampanjës, meshtarët, rregulltarët dhe familjet e atyre që vdiqën si pasojë e ndotjes së mjedisit. Në orën 10:30 të paradites, në Piazza Calipari, Papa do të takohet me kryetarët e bashkive dhe besimtarët e komunave të ndryshme të "Tokës së Zjarrit". Edhe këtu, Ati i Shenjtë do të mbajë një fjalim, përpara se të kthehet në Vatikan.

Më 20 qershor në Pavia dhe Sant'Angelo Lodigiano

Udhëtimi i Leonit XIV në Lombardi, më 20 qershor, do të ketë dy ndalesa: Pavia dhe Sant'Angelo Lodigiano. Papa do të niset me helikopter nga heliporti i Vatikanit në orën 13:00 dhe do të ulet në orën 14:45 në Fushën e Rugbit CUS, në Cravino, ku do të mirëpritet nga autoritetet civile dhe fetare. Më pas do të niset me makinë drejt Qendrës Kombëtare për Hadronoterapi Onkologjike (CNAO), ku Papa do të takohet me zyrtarë, me stafin mjekësor, me disa fëmijë që po mjekohen dhe me prindërit e tyre. Në orën 15:30, procesioni do të vazhdojë drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, në Ciel d'Oro, ku është trupi i Shën Agustinit.

Papa do të mirëpritet nga vëllezërit e tij augustinianë: Ati Joseph L. Farrell, Prior i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Agustinit; Ati Gabriele Pedicino, Prior i Provincës Agustiniane të Italisë dhe Ati Gianfranco Casagrande, Prior i Manastirit të besimtarëve besuar kujdesit baritor të Bazilikës së Shën Pjetrit në Ciel d'Oro. Takimi i shkurtër me Bashkësinë Agustiniane do të pasohet në manastir me një përshëndetje për ipeshkvijtë e Lombardisë dhe disa nga bashkëpunëtorët e tyre.

Në orën 16:15, Leoni XIV do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës në bazilikë: më pas do të nderohen reliket e Ipeshkvit të Iponës. Papa do të mbajë një predikim e, më pas, në orën 17:00, do të shkojë në katedrale, ku fëmijët do të vendosin lule në oborrin e kishës, e do të marrin së bashku një përshëndetje për ta dhe për komunitetin e Amerikës së Jugut. Papa do të hyjë më pas në katedrale dhe, i mirëpritur nga anëtarët e Kapitullit, do të ndalet në adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament si dhe para elterit të Shën Siros, ipeshkvit të parë dhe Shenjtit Pajtor të Dioqezës dhe të Qytetit. Më pas, Papa do të ecë në këmbë deri në Piazza Vittoria për një takim me qytetarët, në orën 17:30. Pas fjalimit dhe përshëndetjeve, do të shkojë në Fushën e Rugbit CUS, në Cravino dhe, në orën 18:45, do të niset me helikopter për në Sant'Angelo Lodigiano, ku do të mbajë një fjalim në famullinë e Shëns Ndout Abat dhe Francescas Cabrini.

Në orën 19:30, pas largimit nga famullia, Papa Leoni do të shkojë në Stadiumin Bashkiak për t'u përshëndetur me autoritetet dhe për t'u nisur për në heliportin e Vatikanit, ku do të mbërrijë në orën 21:15.

Vizita në Lampedusa

Së fundmi, Lampedusa e pret Papën më 4 korrik. Ati i Shenjtë do të mbërrijë në ishullin sicilian me avion, duke u nisur nga Aeroporti Ciampino në orën 7:45 të mëngjesit.

Pas uljes, në orën 9:00 të mëngjesit, Papa Leoni do të ndalet së pari në varreza, ku do të vendosë lule mbi varret, pastaj në "Portën e Evropës" dhe në Molo Favaloro, ku do të bekojë pllakën përkujtimore të Papës Françesku dhe do të përshëndesë disa emigrantë.

Mesha planifikohet për në orën 10:30 të mëngjesit. E pasi të përshëndetet me autoritetet, fëmijët, të sëmurët dhe vullnetarët, Papa do të shkojë në aeroport për t'u nisur, në orën 12:30. Është planifikuar që avioni të zbresë në Ciampino, në orën 13:45, prej nga Papa do të kthehet në Vatikan.

26 prill 2026, 14:09