Nga Lindja e Mesme në Romë në Lutje për Paqe, duke ndjekur shembullin e Shën Augustinit
R.Sh. / Vatikan
Disa meshtarë dhe seminaristë nga Iraku dhe Libani, në Romë për studime dhe shërbim baritor, patën mundësinë të takoheshin personalisht me Papën Leonin XIV, të etur për të dëgjuar fjalë dashamirësie dhe ngushëllimi nga Papa. Pas takimit, ata u përqëndruan në lutje për paqe për vendet e tyre. Grupi u shoqërua nga Atë Harold Toledano, epror i Shtëpisë Ndërkombëtare të Studentëve Augustinianë të Zbathur në Romë, i cili kujtoi se, sipas Shën Augustinit, "paqja e vërtetë nuk qëndron thjesht në mungesën e konfliktit, por në gjendjen e thellë të një personi të pajtuar me Zotin dhe me të afërmin e tij përmes dashurisë ". Augustini, pohon Ati Harold, "na mëson gjithashtu se ata që duan vërtet, arrijnë të duan edhe ata që kundërshtojnë paqen, sepse ata që kanë paqe të brendshme i përgjigjen me butësi edhe atyre që shkaktojnë përçarje".
Artizanë të paqes
Grupi dëshiroi t'i shprehte mirënjohjen e vet Papës për afërsinë që ka shprehur për vuajtjet e tyre, dhe takimi ishte një shenjë shprese për bashkësitë që ata përfaqësojnë. Takimi me Papën, komentoi Elio Mhanna, në emër të studentëve të Kolegjit Maronit të Virgjërës së Bekuar në Romë, "është një dhuratë që shkon përtej emocioneve të thjeshta. Ndërsa Papa bekoi rruzaret tona, ne menduam se akti i bekimit përbën një përgjegjësi të madhe: të jemi zëdhënës të një dëshire për mirësi që nuk njeh kufij. Ne e ndiejmë se sa shumë etje ka bota për paqe të vërtetë, për drejtësi dhe takim midis popujve. Ne ruajmë në zemrat tona me intensitet të veçantë vuajtjet dhe shpresën e Lindjes së Mesme, një tokë që bën thirrje për stabilitet dhe për të ardhme. Paqja duhet të bëhet një gjuhë e përbashkët dhe është e vetmja mënyrë e mundshme për të rikthyer dinjitetin tek çdo jetë. Bekimi i Atit të Shenjtë është një mision. Të jesh libanez, irakian dhe nga vende të tjera të Lindjes së Mesme do të thotë të jesh artizan i paqes, siç na mëson Leoni XIV, dhe ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të ndërtojmë ura aty ku të tjerët lartojnë mure."
Kapërcimi i mureve
"Po, Lindja e Mesme ka nevojë për Romën dhe për afërsinë e Papës, por edhe ne, në këtë kohë konflikti," përfundon Atë Harold, "duhet ta ndiejmë nevojën për t'u kthyer në tokën e rrënjëve tona, për të marrë nga ai burim ujin që vazhdon të na japë për të ushqyer udhëtimin tonë të krishterë, sepse nga Lindja në Perëndim, në Krishtin ne jemi një." Dhe, edhe ne jemi të thirrur t'u bashkohemi atyre, duke i shoqëruar në lutje për paqe në tokën ku lindi Princi i Paqes. Së bashku, jemi të ftuar të kapërcejmë muret që shënojnë ndarjet tona: ato mure që ekzistojnë brenda nesh dhe në marrëdhëniet tona me të tjerët.
