Kërko

Në Shenjtëroren e Mamã Muxima-s, ndërmjet tendave e rruzareve, në pritje të Leonit XIV

Në zonën e gjerë që rrethon vendin e vogël të adhurimit të shekullit të 17-të, ku Virgjëra nderohet si Nëna e Zemrës, siç e quajnë angolezët në gjuhën kimbundu, të rinj dhe të rritur ngritën kampe për disa ditë, për ta pritur Papën dhe për të marrë pjesë në lutjen mariane. Mijëra besimtarë, të ngazëllyer për t'u mbledhur me Papën, janë plot gëzim e shpresë.

R.SH. / Vatikan

Muxima arrihet pas një udhëtimi më shumë se dy orësh nga Luanda, në Angola, kur shtëpitë dhe kasollet rrallohen përgjatë rrugës dhe peizazhi ndryshon, duke zbuluar baobabë dhe euforbia mes gjelbërimit intensiv të bimësisë gjithnjë e më të dendur. Pastaj, papritmas, duket një hapësirë ​​e madhe dhe e shkretë. Këtu, mijëra fëmijë dhe të rinj, por edhe të rritur, veçanërisht gra, ngritën kampe për të pritur Papën, i cili do të vijë në Faltoren e Mamã Muxima-s këtë pasdite, 19 prill, për të thënë Rruzaren. Hapësira shumëngjyrëshe e tendave të vogla, e ekspozuar nën diellin përvëlues, që nuk shqetëson askënd, është mahnitëse. Të gjithë janë të zënë duke ngritur strehët e tyre, duke përgatitur shtrojet dhe duke vendosur zonat e gatimit, në një atmosferë gëzimi, hareje, emocioni, sepse Leoni XIV do të kalojë që këtu, në rrugën e tij drejt vendit të lashtë të adhurimit, i cili duket vetëm kur zbret drejt brigjeve të lumit Kwanza. Në vendin e ndërtimit Bazilika e madhe e premtuar nga qeveria e Angolës për Gjon Palin II në vitin 1992 gjatë vizitës së tij në vend, duket edhe më e vogël, ndërsa vinça, ekskavatorë dhe skela zënë zonën e gjerë përreth saj. Ndërtimi pritet të përfundojë në vitin 2027, ndërsa kisha e re do të ketë 4,600 vende dhe një shesh për 200,000 shtegtarë.

Historia e shenjtërores

Në Shenjtëroren Mamã Muxima, ndërtuar nga portugezët në stilin kolonial, njëheresh me një fortesë të vogël në bregun e majtë të lumit më të madh të Angolës, në shekullin e 17-të, nderohet Zoja e Papërlyer, por që për të gjithë angolezët është Mamã Muxima, Nëna e Zemrës, në gjuhën Kimbundu, një nga më të folurat në veri të vendit. Ishte një pikë e vogël tregtare dhe skllevërit pagëzoheshin në kishën e vogël përpara se të çoheshin në bregdet, ku fillonin udhëtimin e tyre vajtje-ardhje drejt kontinentit amerikan. Me kalimin e kohës, kushtimi ndërmjet popullsive indigjene u rrit, pjesërisht nga shkaku i përhapjes së thashethemeve për ngjarje të mrekullueshme që i atribuohen Virgjërës e që thirret Mamã Muxima. Sot, Kisha mariane, e shpallur monument kombëtar në vitin 1924, është më e çmuara nga devotshmëria popullore angoleze. Shtegtarët dynden nga e gjithë Angola, duke kërkuar hire, shërim, pajtim familjar, paqe të brendshme dhe mbrojtje nga rreziqet e jetës. Jetojnë pranë Nënës së Zemrës për disa ditë pranë faltores, duke duruar edhe vështirësi si shenjë e dashurisë së tyre për të. Disa madje i bëjnë nderime Marisë me besim, duke u gjunjëzuar përgjatë shëtitores, ngjitur me vendin e adhurimit.

Një vend i dashur për angolezët

"Ky është një vend shumë i rëndësishëm për angolezët; historia e këtij vendi të shenjtë është e ndërthurur me atë të vendit", shpjegon Atë Alberto Mpindi Lubanzadio, rektor i shenjtërores. "Virgjëresha e Muximës u kujdes për angolezët; u kujdes për ne, kur vendi ynë ishte në luftë", vazhdon prifti. "Angola përballoi një luftë të tmerrshme civile, ndërsa tani jeton në paqe; megjithatë, ka ende punë për t'u bërë për pajtimin". Por angolezët  "dinë si ta falin të kaluarën dhe të fillojnë nga e para", vazhdon rektori, "e aty ku ka kërcënim, shohin mundësi. E gjetën Zotin përmes Mamã Muxima, e cila ndërmjetëson për njerëzit këtu, ku afrikanët po humbisnin lirinë e tyre”. "Kjo e kaluar e errët e skllavërisë dhe e pushtimit të huaj tani është pas nesh", thekson Ati Mpindi Lubanzadio, "dhe sot Muxima është vend paqeje".

Shpresat dhe pritjet e shtegtarëve

Në kampin e improvizuar të tendave që rriten çdo orë në tokën e kuqe, Marcellina João Monteiro është e lumtur sepse "Papa Leoni do të mbërrijë së shpejti". Ajo shpreson "se Angola do të përjetojë paqe e lumturi, se udhëheqësit e saj do të kenë dashuri për njerëzit që vuajnë, se Papa do t’i ndriçojë zemrat dhe mendjet, që të ketë më shumë vëmendje për ata që vuajnë në mbarë botën.

Pak më tej, Pedro Juvenil ngre flamurin e tij kanadez. Çdo vit vjen në Muxima për shtegtimin kombëtar, i bindur se Papa "do të sjellë një mesazh besimi dhe shprese" dhe se mesazhi i tij "do të ndryshojë shumë gjëra që  duhen këtu në Angola". Shpreson edhe që "shërbimet sociale dhe objektet themelore të kujdesit shëndetësor" të përmirësohen në veçanti.

Teresa Neto erdhi në Muxima për të marrë bekimin e Leonit XIV. Ashtu si ajo, edhe Laura Ngula erdhi këtu "për të parë Papën tonë, ipeshkvin tonë".   Dy studentë nga Universiteti Katolik i Angolës, të cilët e duan pjesëmarrjen në shtegatime e në ngjarje të rëndësishme si kjo, janë gjithashtu entuziastë dhe ofrojnë ndihmën e tyre me sa munden.

Shkurt, mijëra angolezë janë vigjilentë në Muxima, sepse presin mbërritjen e Papës: bashkë me Atin e Shenjtë, duan të kërkojnë ndërmjetësimin e Nënës së Zemrës, që bota të ketë paqe.

19 prill 2026, 13:02