Në një minutë: Dita e dytë e Papa Leonit XIV në Algjeri

Nga vizita në sitin arkeologjik të Hiponës, në vendet e Shën Augustinit, te takimi me të moshuarit në Shtëpinë e Motrave të Vogla të të Varfërve “Ma Maison”, e deri te Mesha në Bazilikën e Shën Augustinit në Anaba. Në një video, imazhet më domethënëse të ditës së dytë të udhëtimit apostolik në Afrikë.

R.SH. - Vatikan

Dita e dytë në Algjeri për Papa Leonin XIV, me ndalesën në Anaba. Pas nisjes me avion në mëngjes nga Algjeri, Papa mbërriti në sitin arkeologjik të Hiponës së lashtë, qytetin ku Shën Augustini ushtroi shërbimin e tij ipeshkvnor midis shekullit IV dhe V. Këtu, pasi u prit nga autoritetet lokale dhe një përgjegjës i sitit arkeologjik, Leoni XIV vendosi një kurorë me lule dhe mbolli një pemë ulliri. Më pas u tërhoq në lutje, ndërsa kori i Institutit të Muzikës së Anabës ekzekutoi këngë të frymëzuara nga tekstet augustiniane mbi paqen dhe vëllazërinë.

Më pas, Papa u drejtua për në Shtëpinë e Mirëpritjes të Motrave të Vogla të të Varfërve “Ma Maison”, në kodrën e Anabës. Në një atmosferë të thjeshtë dhe familjare, Papa takoi të moshuarit e strehuar aty, duke falënderuar rregulltaret dhe personelin për shërbimin e tyre të përditshëm. “Këtu banon Zoti, sepse ku ka dashuri dhe shërbim, aty është Zoti”, pohoi Ati i Shenjtë, duke nënvizuar vlerën e vëllazërisë së jetuar në konkretësinë e jetës dhe duke kujtuar se pikërisht në gjestet e kujdesit dhe bashkëndarjes me tjetrin ndërtohet një botë paqeje.

Pasdite, në Bazilikën e Shën Augustinit, Leoni XIV udhëhoqi Meshën, e para e udhëtimit apostolik në Afrikë. Në homeli, Papa foli për unitetin, duke shpjeguar se "feja në të vetmin Hyj, Zot i qiellit dhe i tokës, i bashkon njerëzit sipas një drejtësie të përsosur, që i fton të gjithë në dashuri, domethënë të duan çdo krijesë me dashurinë që Hyji na dhuron në Krishtin". Dhe para se të përshëndetej me komunitetin e krishterë në Algjeri, Ati i Shenjtë Prevost tregoi rrugën e pajtimit, të dashurisë dhe të dëshmisë së thjeshtë, duke i ftuar ata të jenë një prani diskrete por e gjallë, “si një kokërr temjani e ndezur” që përhap aromën e saj.

15 prill 2026, 09:21