Në gjurmët e Shën Augustinit, Leoni XIV qëndron në heshtje dhe në lutje midis rrënojave të Iponës
R.SH. / Vatikan
Bie shi i rrëmbyeshëm në Annaba; është ditë e vranët. Por midis rrënojave të Iponës së lashtë, e kaluara dhe e tashmja duket se bashkohen. Dy epoka të ndryshme, më se gjashtëmbëdhjetë shekuj larg njëra-tjetrës, por i njëjti mesazh përhapet nga Shën Augustini dhe Papa Leoni XIV nëpër botë: ne mund të jetojmë si vëllezër nëse e ndërtojmë paqen së bashku.
Është dita e dytë e udhëtimit apostolik të Papës në Afrikë, një nga më të priturit. Papa, bir i urdhrit augustinian, mes shiut të rrëmbyeshëm, e bën në këmbë një pjesë të shkurtër të zonës arkeologjike, rrugë të përshkuar shumë herë nga ipeshkvi Aurelius Augustini, me origjinë nga Tagaste, qytet që tani quhet Souk Ahras. Papa, ndërsa ecën i ngre sytë nga kodra e Annaba-s me bazilikën kushtuar atit të madh të Kishës, Shën Augustinit.
Dje dhe sot, ky është Papa i parë në tokën algjeriane, që përkulet me nderim para atit të vet shpirtëror, për të përqafuar edhe një herë trashëgiminë e tij dhe për të theksuar edhe një herë thirrjen për të jetuar në harmoni, që kjo të sundojë mes popujve. Sepse "paqja është qëllimi i së mirës sonë", shkruante Shën Augustini te vepra e tij "Qyteti i Zotit", në kapitullin XIX (11), ku ai e përsërit fjalën "paqe" mbi njëqind herë.
Në mes të rrënojave të qytetit ku jetoi Augustini
Pasi u përshëndet në hyrje të gërmimeve nga një zyrtar algjerian, Leoni shikon, i prekur thellë, rrënojat e qytetit romak Hippo Regius, të banuara deri në shek. V nga peshkatarë, detarë, ushtarë, tregtarë, artizanë, zyrtarë dhe fermerë, si dhe nga familje të pasura, pronarë anijesh dhe biznesmenë. Moti i keq i detyron të gjithë të bëjnë një ceremoni më të shkurtër, gjatë së cilës Papa, me ndihmën e dy skautëve të rinj, vendos një kurorë me trëndafila të bardhë dhe të verdhë dhe më pas mbjell një pemë ulliri, simbol i paqes, që kujton pemën shekullore të ullirit në qytetin e tij të lindjes, të cilën tradita e mban se vjen që nga koha e Shën Augustinit. Leoni XIV qëndron disa çaste i zhytur në lutje, me duart të lidhura. Ndërkohë, pëllumba të bardhë lëshohen në qiellin ngjyrëplumb, mbushur me re, ndërsa kori i institutit të muzikës «Annaba» këndon këngë latinisht, berberisht dhe arabisht, me tekste të ipeshkvit të Iponës, mbi paqen dhe vëllazërinë. Pastaj, Papa Leoni XIV i afrohet një grupi të rinjsh të veshur me veshje tradicionale për të dëgjuar interpretimin e pjesës së fundit muzikore.
Papa i duartrokiti në fund dhe i falënderoi të rinjtë, pastaj, ende nën shiun e rrëmbyeshëm, u drejtua drejt daljes së sitit arkeologjik për të vazhduar këtë ditë të dytë udhëtimi në gjurmët e Shën Augustinit.
