2026.04.13 Viaggio Apostolico in Algeria - Visita al Monumento dei martiri Maqam Echahid

Misionar i paqes, Pjetri kthehet në Afrikë

Fjalët e para të Leoni XIV në Algjeri: «Falja e ndërsjellë është çelësi për ndërtimin e së ardhmes»

R.SH. / Vatikan

Pjetri kthehet në Afrikë. Tri vjet pas vizitës së Françeskut në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut në fillim të vitit 2023, Papa filloi një shtegtim të gjatë nëpër kontinentin afrikan që e çoi sot në Algjeri dhe në ditët në vijim, në Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale. Është një udhëtim njëmbëdhjetëditor, jashtëzakonisht misionar në thelb, i mbushur me takime me njerëzit e një kontinenti plot me probleme dhe kontradikta, por gjithsesi, hambar gëzimi dhe shprese.

Nuk mund të harrohet "ky çast dramatik i historisë" në të cilën po zhvillohet kjo vizitë, me shqetësimin në rritje për çka po ndodh në Lindjen e Mesme dhe kërcënimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit pas dështimit të negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Dhe është domethënëse që vetë paqja u shfaq si tema kryesore në fjalimin e parë të Leonit XIV në Algjeri, gjatë vizitës së tij në monumentin e martirëve të pavarësisë së Maquam Echahid:

"Në këtë vend kujtojmë se Zoti dëshiron paqen për çdo popull: një paqe që nuk është thjesht mungesë konfliktesh, por shprehje e drejtësisë dhe e dinjitetit. Dhe kjo paqe, e cila na lejon të ballafaqohemi me të ardhmen me zemra të pajtuara, është e mundur vetëm nëpërmjet faljes. Beteja e vërtetë për liri do të fitohet përfundimisht vetëm kur të arrihet më në fund paqja e zemrës."

Thirrja për falje dhe paqe të zemrave përshkohet nga realizmi i qartë. Ajo jo vetëm që i përket thelbit të mesazhit të krishterë, por përfaqëson edhe mënyrën e vetme të qëndrueshme për të ndërtuar të ardhmen. "E di sa e vështirë është të falësh," tha Papa, "megjithatë, ndërsa konfliktet vazhdojnë të shtohen në të gjithë botën, nuk mund të grumbullojmë pakënaqësi mbi pakënaqësi, nga brezi në brez." Si mund të mos e vëmë në dyshim pakënaqësinë që ka lindur tek brezat e rinj nga masakrat e kryera në Gaza dhe tani në Liban kundër civilëve? Si mund të mos e bëjmë të njëjtën pyetje në lidhje me luftën në Ukrainë dhe në kaq shumë zona të tjera të shkatërruara nga urrejtja dhe dhuna?

Edhe pse shumë qeveri besojnë se rruga e vetem është riarmatimi, i cili majm tregtarët e vdekjes, Papa Leoni nga Algjeri na kujton se "e ardhmja u përket burrave dhe grave të paqes", se "në fund, drejtësia do të triumfojë gjithmonë mbi padrejtësinë, ashtu sikurse dhuna, sidoqë të na duket, nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit".

Zëri i paqes i Pasardhësit të Pjetrit, Mëkëmbësit të Birit të pambrojtur të Hyut që zgjodhi të sakrifikonte veten në kryq, jehon edhe më fuqishëm në këtë tokë, këtu ku Kisha është krejt pakicë dhe dëshmia e shumë pak të krishterëve – bazuar te shërbimi dhe ndarja e gëzimeve dhe e vuajtjeve të të gjithëve – është edhe më thelbësore.

13 prill 2026, 14:09