Mesha në Shtëpinë e Shën Martës në përvjetorin e parë të vdekjes së Papa Françeskut
R.SH. / Vatikan
"Tani nuk është koha për t'u ndalur tek jeta e tij e përditshme këtu, të mbushur me punë, takime dhe lutje në kapelën e vogël në katin e dytë. Jam i sigurt se Papa Françesku e donte këtë shtëpi dhe, edhe ne e duam atë. E tillë mbetet lutja jonë e përshpirtshme në këtë përvjetor të parë të vdekjes së tij. Ne ende e ndiejmë atë pranë nesh", u shpreh kardinali Angelo Acerbi në homelinë e lexuar nga kryeipeshkvi imzot Luigi Travaglino, nunci apostolik që kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, në përvjetorin e parë të vdekjes së Papa Françeskut. Kardinali Acerbi e vijoi homelinë e tij me fjalët: "Dua, thjesht, të kujtoj guximin apostolik me të cilin ai përballoi vitet e papnisë të tij, edhe kur, pavarësisht kufizimeve të tij fizike, dëshironte të përmbushte misionin e vet apostolik deri në skajet e tokës."
"Neve, sot, na shkon mendja te Bazilika e Shën Marisë së Madhe, në Romë, aty ku Papa Françesku dëshiroi të varrosej, pranë kapelës së Marisë «Salus Populi Romani», ku ai drejtohej para dhe pas çdo udhëtimi apostolik dhe që padyshim e priti krahëhapur atë në fund të jetës së tij", shtoi imzot Travaglino.
Kremtimet në kujtim të Papa Françeskut vazhdojnë sot gjithë ditën. Në orën 17:00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, do të thuhet Rruzarja, e më pas do të kremtohet Mesha për shpirtin e Papës së ndjerë, të cilën do ta kryesojë kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve.
