Magjisteri i Papëve dhe armët bërthamore
R.SH. / Vatikan
Që nga tragjedia e shkaktuar nga bombardimet bërthamore të Japonisë në gusht 1945, Kisha ka reflektuar pa ndërprerje mbi rrezikun e vetëshkatërrimit të njerëzimit.
Kështu, në mesazhin e tij radiofonik të Krishtlindjes së vitit 1955, Piu XII foli për kërcënimin bërthamor, duke shpjeguar se "nuk do të ketë brohoritje, por vetëm vajtim të pangushëllueshëm të njerëzimit, i cili do të vështrojë rrënimin e shkaktuar nga marrëzia e vet". Në enciklikën "Pacem in Terris", botuar menjëherë pas krizës së raketave në Kubë, Papa Gjoni XXIII në lidhje me armët bërthamore, pati deklaruar: "Qeniet njerëzore jetojnë nën kërcënimin e një uragani që mund të shpërthejë në çdo çast me një forcë të paimagjinueshme. Sepse armët janë aty, dhe, ndërsa e kemi të vështirë të besojmë se ndokush do të marrë përgjegjësinë për shkatërrimin dhe vuajtjet që do të shkaktonte një luftë e tillë, nuk përjashtohet që një ngjarje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme të ndezë shkëndijën që e vë në lëvizje makinën e luftës."
Disa vite më vonë, në qershor të vitit 1968, Pali VI tha: "Shpresojmë dhe lutemi përsëri, në emër të gjithë njerëzimit, për ndalimin e të gjitha armëve bërthamore dhe çarmatimin e përgjithshëm e të plotë." Ndërsa në shkurt të vitit 1981, nga Hiroshima, ushtoi thirrja e Gjon Palit II: "E ardhmja jonë në këtë planet, i ekspozuar ndaj rrezikut të shfarosjes bërthamore, varet nga një faktor i vetëm: njerëzimi duhet të bëjë një përmbysje morale. Në momentin e tashëm historik, duhet të ketë një mobilizim të përgjithshëm të të gjithë burrave dhe grave me vullnet të mirë. Njerëzimi është i thirrur të bëjë një hap të mëtejshëm para, një hap drejt qytetërimit dhe urtisë."
Në shekullin e ri, pikërisht në maj të vitit 2010, Papa Benedikti XVI deklaroi: "Unë nxis nismat që synojnë çarmatimin hap pas hapi dhe krijimin e zonave pa armë bërthamore, me qëllim eliminimin e tyre të plotë nga planeti."
Po ashtu, edhe Papa Françesku, nga Hiroshima në nëntor të vitit 2019, kujtoi se "përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime lufte është, sot më shumë se kurrë, një krim jo vetëm kundër njeriut dhe dinjitetit të tij, por kundër çdo mundësie të një të ardhmeje për shtëpinë tonë të përbashkët." Dhe shtoi: "Përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime lufte është i pamoralshëm, ashtu siç është diçka e pamoralshme edhe zotërimi i armëve bërthamore, siç thashë dy vjet më parë. Do të na gjykojnë për këtë. Brezat e ardhshëm do të ngrihen si gjyqtarë të disfatës sonë nëse kemi folur për paqe, por nuk e kemi arritur atë me veprimet tona, në gjirin e popujve të rruzullit tonë. Si mund të flasim për paqe ndërsa ndërtojmë armë të reja dhe të fuqishme për luftë? Si mund të flasim për paqe ndërsa justifikojmë veprime të caktuara të paligjshme, me fjalë diskriminimi dhe urrejtjeje?"
Edhe Papa Leoni ka vazhduar në këtë vijë, të përcaktuar nga magjisteri i paraardhësve të tij. Më 14 qershor 2025, në fund të Audiencës Jubileare, ai u shpreh kështu: "Gjendja në Iran dhe Izrael është përkeqësuar seriozisht dhe në një çast kaq delikat dëshiroj të ripërtërij me forcë thirrjen time për përgjegjësi dhe urti. Angazhimi për ndërtimin e një bote më të sigurt, të lirë nga kërcënimi bërthamor, duhet të ndiqet përmes takimit të respektueshëm dhe dialogut të sinqertë, për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, të bazuar në drejtësi, vëllazërim dhe në të mirën e përbashkët. Askush nuk duhet të kërcënojë kurrë ekzistencën e një tjetri."
Kur kishte kaluar pak më shumë se një muaj, në një mesazh për 80-vjetorin e bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, prap Leoni XIV do të shkruante: "Paqja e vërtetë kërkon dorëzimin e guximshëm të armëve, veçanërisht të atyre që kanë fuqinë të shkaktojnë një shkretnim të papërshkrueshëm. Armët bërthamore fyejnë njerëzimin tonë të përbashkët dhe për më tepër tradhtojnë dinjitetin e krijimit, harmoninë e të cilit jemi të thirrur ta ruajmë."
Më 6 gusht, në audiencën e përgjithshme, duke kujtuar masakrën e shkaktuar nga armët bërthamore në Japoni, Leoni XIV bëri përsëri një thirrje tjetër: "Pavarësisht kalimit të viteve, ato ngjarje tragjike përbëjnë një paralajmërim universal kundër shkatërrimit që shkaktojnë luftërat dhe, në veçanti, armët bërthamore. Shpresoj që në botën e sotme, të shënuar nga përplasje të forta dhe konflikte të përgjakshme, siguria e rrejshme e bazuar te kërcënimi i shkatërrimit të ndërsjellë do t'ua lërë vendin mjeteve të drejtësisë, praktikës së dialogut dhe besimit te vëllazërimi."
Pasardhësi i tashëm i Pjetrit iu kthye rishtas kësaj teme në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2026, kur deklaroi: "Në marrëdhënien midis qytetarëve dhe qeveritarëve shkohet deri aty sa dështimi i përgatitjes për luftë, për të reaguar ndaj sulmeve, për t'iu përgjigjur dhunës, quhet faj. Mbasi është tejkaluar parimi i mbrojtjes së përligjur, në nivelin politik, kjo logjikë është aspekti më i dukshëm i një destabilizimi të përbotshëm që po bëhet gjithnjë e më dramatik dhe më i paparashikueshëm çdo ditë. Nuk është rastësi që thirrjet e përsëritura për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe vendimet që merren nga shumë qeveritarë justifikohen me rrezikun që të tjerët paraqesin për ne. Në të vërtetë, fuqia që pengon rrezikun – dhe veçanërisht kërcënimi me armë bërthamore – mishërojnë irracionalitetin e një marrëdhënieje midis popujve të bazuar jo te ligji, drejtësia dhe besimi, por te frika dhe sundimi i forcës."
Në përfundim të audiencës më 4 shkurt 2026, Leoni XIV foli prap qartë kur tha: "Nesër skadon «Traktati i Ri START», i nënshkruar në vitin 2010 nga presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Federatës Ruse. Ky traktat përfaqësonte një hap të rëndësishëm për kufizimin e përhapjes së armëve bërthamore. Ndërsa ripërtërij nxitjen time për çdo përpjekje konstruktive në dobi të çarmatimit dhe të besimit të ndërsjellë, ju bëj thirrje urgjente të mos e braktisni këtë traktat pa u përpjekur të siguroheni se do të mbetet në fuqi dhe do të jetë efektiv. Gjendja e tashme kërkon që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të shmangur një garë të re armatimesh që kërcënon edhe më tej paqen midis kombeve. Është më e ngutshme se kurrë të zëvendësojmë logjikën e frikës dhe të mosbesimit me një etikë të përbashkët, e cila mund të na udhëheqë drejt së mirës së përbashkët dhe mund ta bëjë paqen trashëgimi të mbrojtur nga të gjithë."
Në fund, pak më shumë se para një muaji, në një postim në llogarinë zyrtare të «Pontifex», më 5 mars 2026, Papa Leoni shkroi: "Le të lutemi së bashku që kombet të mund të ecin drejt çarmatimit të vërtetë, veçanërisht çarmatimit bërthamor, dhe që udhëheqësit botërorë të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të diplomacisë në vend të dhunës."
Këto janë deklaratat e Papës Leonit XIV, i cili vijon pa ndërprerje të bëjë thirrje për çmontimin e të gjitha armëve bërthamore ekzistuese në gjendje të shkatërrojnë të gjithë njerëzimin.
