Leoni XIV: u ofroj mbështetjen atyre që luftojnë kundër dënimit me vdekje
R.Sh. / Vatikan
"U ofroj mbështetjen time atyre që luftojnë për heqjen e dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë botën."
Kështu u shpreh Leoni XIV në një videomesazh anglisht drejtuar Universitetit DePaul në Çikago, SHBA, me rastin e një ngjarjeje përkujtimore për 15-vjetorin e heqjes së dënimit me vdekje në shtetin e Illinois, i planifikuar për sonte në mbrëmje, më 24 prill. Dënimi me vdekje, i cili hyri në fuqi në Illinois në vitin 2000, u hoq në këtë shtet amerikan më 9 mars 2011, me nënshkrimin e guvernatorit të atëhershëm Pat Quinn, i cili ratifikoi vendimet e Dhomës dhe Senatit të 6 dhe 11 janarit 2011.
Dënimi me vdekje nuk është i nevojshëm për të mbrojtur drejtësinë
Papa përsërit se "është e mundur të mbrohet e mira e përbashkët dhe të mbrohen kërkesat e drejtësisë pa pasur nevojë për dënimin me vdekje". Më tej, në videomesazhin e tij, Papa kujton mësimet e paraardhësve të tij, të Papa Françeskut dhe të Kishës Katolike, e cila "gjithmonë ka mësuar se çdo jetë njerëzore, që nga momenti i ngjizjes e deri në vdekjen e natyrshme, është e shenjtë dhe meriton të mbrohet".
Më 9 janar të këtij viti, Papa Leoni, në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, theksoi se “e drejta e jetës është themeli i çdo të drejte tjetër njerëzore” dhe se një shoqëri mund të “lulëzojë dhe të përparojë” vetëm kur “mbron shenjtërinë e jetës njerëzore”.
Fajtorëve u duhet dhënë mundësia për t'u shëlbuar
Leoni XIV përsëriti me forcë në këtë videomesazh, duke cituar paragrafin 2267 të Katekizmit të Kishës Katolike, sipas versionit të ri, të miratuar nga Papa Françesku në vitin 2018, se "dinjiteti i personit nuk zhbëhet as pas kryerjes së krimeve më të rënda". Gjithashtu rescripti thotë se dënimi me vdekje, përveçse është shkelje e një të drejte themelore njerëzore, është një masë e vjetëruar nga "sistemet më efektive të paraburgimit" që tashmë janë "zhvilluar". Këto masa "garantojnë mbrojtjen e duhur të qytetarëve" dhe nuk ia heqin përfundimisht fajtorit "mundësinë për t'u shëlbuar".
Në fund të mesazhit video, Ipeshkvi i Romës bashkohet me pjesëmarrësit në ngjarjen përkujtimore, duke i siguruar ata për lutjet e tij se "përpjekjet tuaja mund të çojnë në një pranim më të gjerë të dinjitetit të çdo personi dhe të frymëzojnë të tjerët të punojnë për të njëjtën çështje të drejtë".
