Kërko

Leoni XIV, të rinjve: të jeni shembull paqeje, pa kërkuar "suksesin e lehtë"

Në takimin e parafundit publik të udhëtimit të tij apostolik në Afrikë, Papa dëgjoi dëshmitë e larmishme të të rinjve të Guinesë Ekuatoriale të mbledhur në stadiumin e Batës. Nga sfida e "gruas në botën e punës" te udha martesore, "që përvijohet në liri" e deri te ruajtja e vlerave familjare, edhe kur "gjykimet, paragjykimet dhe stereotipet" përpiqen t’i zhvlerësojnë, del në pah një trashëgimi "e ndritshme dhe impenjative", që brezat e rinj duhet ta ruajnë e ta vazhdojnë

R.SH. – Vatikan

“Një shkop, një rrjetë, riprodhimi i një ishulli, një barkë, një instrument muzikor”. Papa Leoni XIV rendit objektet që kalojnë para tij, në duart e të rinjve të Guinesë Ekuatoriale, me të cilët takohet sonte në Bata. Secili pasqyron një rrugë, një luftë. Alicia mund të jetë ishulli, e vetme në përballjen me “sfidën e të qenit grua në botën e punës”, një temë e kujtuar në dëshminë e saj dhe e përsëritur nga Leoni XIV.

Barka bëhet rruga e përvijuar për Francisco Martin - një seminarist i ri - drejt një jete, në të cilën ai do t’i çojë vëllezërit dhe motrat te Zoti, “përmes veprimit plot kujdes për nevojtarët”. Shkopi është mbështetje dhe premtim për përkrahje, në duart e Purificación dhe Jaime Antonio, një çift i ri, që dëshmojnë për “dashurinë e vërtetë, e cila shtohet në liri”. Rrjeta shtrihet dhe mbron jetën, ashtu siç bën familja, por edhe mund të shqyhet nën peshën e “gjykimeve, paragjykimeve dhe stereotipeve”, siç tregon Victor Antonio. Mungon muzika, e cila, në të vërtetë, është kolona zanore e të gjithë skenës: një partiturë e hapur, besuar brezave të rinj, të nxitur nga Papa që të zgjedhin ritmin e ngadaltë dhe kokëfortë të "kulturës së përpjekjeve", në vend të rrugës së shkurtër të "suksesit të lehtë", për të qenë orkestër harmonie e pajtimi.

Të rinjtë dhe kultura e përpjekjeve: jo "suksesit të lehtë"

Në takimin e mbrëmjes me të rinjtë e familjet, në stadiumin e Batës, në këtë ditë të parafundit në Guinenë Ekuatoriale, Papa i inkurajon të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi përkushtimin, disiplinën dhe punën dinjitoze, duke hedhur poshtë rrugët e lehta. Dëshmitë që dëgjoi bëhen simbole të një shoqërie, që zhvillohet, duke marrë përsipër përgjegjësi personale dhe kolektive.

"Ëndrra e një toke ku të rinjtë dhe të rejat nuk kërkojnë sukses të lehtë, por zgjedhin kulturën e përpjekjeve, të disiplinës dhe të punës së bërë mirë".

E, më tej:

"Drita më e shndritshme këtu është ajo e syve tuaj... në të cilën gjithçka dëshmon se Krishti është gëzim, kuptim, frymëzim dhe bukuri për jetën tonë".

Kështu, të rinjtë janë të thirrur të jenë themeli i së ardhmes, të ruajnë vlera si shërbimi, uniteti dhe besimi.

Thirrja, dhurimi i vetvetes dhe shpresa

Përmes dëshmisë së seminaristit të ri, Papa thekson bukurinë e një jete, që u dhurohet të tjerëve, edhe kur kjo do të thotë sakrificë. Thirrja e krishterë paraqitet si burim gëzimi të thellë e të qëndrueshëm.

"Në bashkimin e zemrave dhe në veprimtarinë plot kujdes për ata që kanë nevojë, mrekullitë e bamirësisë ripërtërihen".

Leoni XIV i fton të rinjtë e Guinesë Ekuatoriale t'i përgjigjen pa frikë thirrjes:

"Mos kini frikë... do të merrni 'njëqindfish më shumë, si edhe jetn e amshuar'".

Mesazhi është i qartë: t'ua dhurosh jetën të tjerëve është rruga drejt lumturisë së vërtetë dhe të plotë.

Familja, dashuria dhe mbrojtja e jetës

Hapësirë ​​e madhe në fjalën e Papës i kushtohet familjes si vend themelor i zhvillimit njerëzor dhe të krishterë, pavarësisht nga vështirësitë kulturore dhe shoqërore. Ati i Shenjtë thekson nevojën për t’i mbrojtur dhe për t’i jetuar vazhdimisht vlerat familjare.

"Përgatituni ta jetoni këtë thirrje si një rrugëtim dashurie të vërtetë, që shtohet në liri... një rrugëtim shenjtërie, që kërkon gjithmonë të mirën dhe lumturinë e të tjerëve".

Leoni XIV thekson përgjegjësinë ndaj jetës:

"Pranimi i jetës kërkon dashuri, angazhim dhe kujdes... është e rëndësishme ta mbrojmë dhe ta vlerësojmë familjen dhe vlerat e mësuara në gjirin e saj".

Fjalimi i Papës përfundon me një ftesë universale:

"Gëzimet më të mëdha... vijnë kur di të japësh dhe kur di ta dhurosh vetveten... Drita e bamirësisë dhe e dashurisë do ta transformojë botën".

22 prill 2026, 20:30