Leoni XIV: Guinea Ekuatoriale ka etje për të ardhmen, për paqen e për vëllazërimin

Në homelinë e Meshës në katedralen e Zojës së Papërlyer në Mongomo, në Guinenë Ekuatoriale, Papa Leoni XIV ftoi "të gjithë të pagëzuarit" të punojnë për të kapërcyer "pabarazitë midis të privilegjuarve dhe jo të privilegjuarve" në një vend të bekuar si ky, me kaq shumë burime natyrore. Leoni XIV nxiti pjesëmarrësit të mbrojnë dinjitetin e më të ligshtëve: të varfërve, të "familjeve në vështirësi" dhe të burgosurve që jetojnë në "kushte të rënda"

R.Sh. / Vatikan

Të kontribuohet në ndërtimin e një "të ardhmeje plot shpresë", e cila sjell "një drejtësi të re" dhe jep fryte "paqeje dhe vëllazërimi". Ky është inkurajimi që Leoni XIV u drejtoi të krishterëve të Guinesë Ekuatoriale, gjatë kremtimit të Meshës këtë mëngjes, më 22 prill, në katedralen e Zojës së Papërlyer në qytetin e Mongomos.

Të jesh misionar i së mirës së përbashkët

Në homelinë e tij në spanjisht, këtë të mërkurë, që është e mërkura e javës së tretë të Pashkëve, Papa falënderon Zotin për "170 vitet e ungjillëzimit" të këtij vendi dhe shpreh mirënjohjen e tij "për shumë misionarë, meshtarë dioqezanë, katekistë dhe besimtarë laikë që ia kanë kushtuar jetën e tyre shërbimit të Ungjillit". Pasi morën «Lajmin e Mirë», afrikanët u bënë «misionarë» të vetes së tyre, përsëriti Ipeshkvi i Romës, duke cituar fjalët profetike të Papa Palit VI, të vitit 1969 në homelinë e tij, në përfundim të Simpoziumit të Ipeshkvijve në Afrikë.

Ju jeni të thirrur sot të vazhdoni në rrugën e ndjekur nga misionarët, barinjtë dhe laikët që ju paraprinë. Të gjithëve dhe secilit i kërkohet një angazhim personal që përfshin të gjithë jetën e tij, në mënyrë që besimi, i kremtuar me kaq gëzim në bashkësitë dhe në liturgjitë tuaja, të ushqejë veprimtaritë tuaja bamirëse dhe përgjegjësinë tuaj ndaj të tjerëve, në mbështetje të së mirës të të gjithëve.

  (@Vatican Media)

Pasuritë natyrore, një bekim që duhet ndarë me të tjerët

Shpallja e Ungjillit ndonjëherë mund të na kushtojë persekutim, siç na kujton copëza nga Veprat e Apostujve, që u lexua spanjisht. Por, Ungjilli i Gjonit, nënvizon Papa, na kujton se Krishti “nuk do të na lërë pa na shfaqur shenjat e pranisë së tij”, duke na e shuar urinë me bukën e jetës. Një uri që shikon drejt një të nesërmeje plot pikëpyetje.

Ka uri për të ardhmen, por për një të ardhme të mbushur me shpresë, që lind një drejtësi të re, në gjendje të japë fryte paqeje dhe vëllazërimi. Dhe kjo nuk është një e ardhme e panjohur, të cilën duhet ta presim duarkryq, por një e ardhme që ne vetë, me hirin e Zotit, jemi të thirrur ta ndërtojmë.

“Vepra e ungjillëzimit”, “të bëhemi apostuj të bamirësisë dhe dëshmitarë të një njerëzimi të ri”, është një mision ku duhet të përfshihen të gjithë të pagëzuarit.

Bëhet fjalë për pjesëmarrje, me dritën dhe forcën e Ungjillit, në zhvillimin e gjithanshëm të kësaj toke, në ripërtëritjen dhe në shndërrimin e saj. Krijuesi ju ka pajisur me kaq shumë pasuri natyrore: ju nxis të bashkëpunoni në mënyrë që ato të jenë një bekim për të gjithë.

  (@Vatican Media)

Mbrojtja e dinjitetit të të varfërve, familjeve të cënueshme dhe të burgosurve

Papa shpreh shpresën e tij që populli i Guinesë Ekuatoriale, "sipas përgjegjësive të ndryshme të secilit", do të punojë "në shërbim të së mirës së përbashkët dhe jo të interesave të veçanta, duke kapërcyer pabarazitë midis të privilegjuarve dhe atyre që nuk kanë privilegje", në një vend të pasur me fusha naftëmbajtëse dhe gaz natyror. Ati i Shenjtë i nxit banorët për krijimin e "hapësirave të lirisë" duke mbrojtur dinjitetin njerëzor, veçanërisht kur bëhet fjalë për më të cënueshmit: të varfërit, familjet në vështirësi dhe të burgosurit, të cilët "shpesh janë të detyruar të vuajnë dënimin në kushte shqetësuese higjienike dhe shëndetësore".

Në fund të predikimit të tij, Leoni XIV i ftoi të krishterët e Guinesë Ekuatoriale të "vijojnë punën që misionarët filluan këtu e 170 vjet më parë", duke ndërtuar një "të ardhme shprese, paqeje dhe pajtimi".

Ky është angazhimi i Kishës për shoqërinë, i cili  mbështetet edhe nga lutjet e besimtarëve dhe kërkon që "rregulltarët dhe rregulltaret që dëshmojnë Ungjillin të ndihmohen në veprimtarinë e tyre nëpër spitale, shkolla dhe burgje". Pjesëmarrësit në Meshën e Shenjtë iu lutën gjithashtu Zotit që katekistët "të bëjnë që Mbretëria e Zotit dhe drejtësia e Tij të rritet". Në fund, pastaj, besimtarët u bënë thirrje qeveritarëve "të kenë guximin të punojnë gjithmonë për paqen, për rritjen dhe zhvillimin e «qytetit të njerëzve»".

  (@Vatican Media)

Kontributi i Kishës për zhvillimin e gjithanshëm të vendit

Në fjalimin e tij falënderues, në fund të Meshës, ipeshkvi Juan Domingo-Beka Esono Ayang, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Guinesë Ekuatoriale, ripohoi se rruga e zhvillimit të gjithanshëm për të cilën foli Papa në predikimin e tij, është ajo që Kisha vendase ka ndërmarrë tashmë me vendosmëri. "Misioni i Kishës në këto vise", tha prelati afrikan para se të merrte një kupë për Eukaristinë, dhuratë nga Papa, "nuk është kufizuar vetëm te fillimi dhe përhapja e ungjillëzimit në Guinenë Ekuatoriale, por ka punuar gjithashtu pareshtur në formimin e saj kulturor, moral dhe shpirtëror nëpërmjet themelimit të shkollave, kujdesit shëndetësor për të sëmurët dhe bamirësisë për ata që kanë më shumë nevojë".

Ipeshkvi më në fund siguroi se, në përputhje me kushtetutën baritore «Gaudium et Spes», Kisha e shoqëron popullin e saj, duke ndarë me të vështirësitë dhe duke ushqyer pritshmëritë e tij. "Gëzimet dhe shpresat, trishtimi dhe ankthi i burrave dhe grave të popullit tonë, veçanërisht i të varfërve dhe i atyre që vuajnë, janë gjithashtu", përfundoi Ipeshkvi Mongomo, "gëzimet dhe shpresat, trishtimi dhe ankthet e Kishës së Krishtit që rrugëton nëpër Guinenë Ekuatoriale".

22 prill 2026, 11:52