Leoni XIV: të ngulmojmë në kërkimin e dhuratës së paqes
R.SH - Vatikan
Të ngulmojmë, të mos lodhemi duke kërkuar të mirën më të çmuar: paqen. Papa Leoni kërkon sot, të Hënën e Engjëllit, ditën e dytë të Pashkëve, të mos heqim dorë në përgjërim ndaj Zotit. Dhe këtë e bëri, pas lutjes mariane të "Mbretëreshës Qiellore", duke përmendur edhe Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe që u festua sot, 6 prill, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara. Si sportist që është, Papa Prevost ndjen në një mënyrë të veçantë shpirtin e nismave të organizuara për këtë rast, të cilat ushqejnë pikërisht marrëveshjen, dialogun dhe harmoninë mes popujve dhe kombeve.
Gjuha universale e vëllazërisë së sportit
Papa shprehu shqetësimin e tij për njerëzimin që vuan nga konfliktet e tha.
“Të ngulmojmë në kërkimin e dhuratës së paqes për mbarë botën”.
Kujtojmë se saktësisht dy muaj më parë, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, pikërisht mbi vlerën e sportit u publikua Letra e nënshkruar nga Leoni me titull "Jeta me bollëk". Papa përmendi edhe një herë këtë temë:
Mendimi im tek të gjithë ata që, në pjesë të ndryshme të botës, marrin pjesë në nismat e promovuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, duke përsëritur thirrjen që sporti, me gjuhën e tij universale të vëllazërisë, të jetë vend i përfshirjes dhe i paqes.
Letra e Leonit Jeta me bollëk" kushtuar sportit mbetet një dokument i rëndësishëm i cili, duke analizuar kontributin themelor të sportit në formësimin historik të qytetërimeve dhe kulturave, dhe duke kujtuar përvojën jubilare kushtuar protagonistëve të kësaj fushe aq vendimtare për rritjen njerëzore integrale, nënvizon se sa shumë sporti – nëse nuk ndotet nga interesat ekskluzive të përfitimit – favorizon kërkimin e së mirës së përbashkët.
Sporti, promotor i dialogut, solidaritetit dhe respektit
Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, lexohet në faqen e OKB-së që promovon këtë Ditë Ndërkombëtare të Sportit, gjuha universale e sportit "tejkalon barrierat kulturore, sociale dhe kufitare" dhe shërben si një "katalizator i fuqishëm i transformimit shoqëror". Sporti, nënvizohet aty, lidh komunitetet përtej kufijve dhe gjeneratave, duke reduktuar izolimin e grupeve të margjinalizuara dhe duke krijuar hapësira dialogu, solidariteti dhe respekti reciprok.
Edicioni i këtij viti i Ditës Ndërkombëtare të Sportit, në ndriçimin e qasjeve të bazuara në të dhëna konkrete dhe praktika të mira, të cilat dëshmojnë se si sporti kontribuon në mënyrë të prekshme në Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, promovon shëndetin, barazinë gjinore, reduktimin e pabarazive dhe një shoqëri paqësore e përfshirëse. Përmes dialogut, partneriteteve dhe bashkëndarjes së përvojave, kjo Ditë rikonfirmon rolin e sportit si një instrument strategjik për të ndërtuar ura mes njerëzve dhe për të rrëzuar barrierat e përjashtimit, pa lënë askënd pas.
Falënderimi i Papës për urimet e Pashkëve të marra
Urimi i Papës është që të jetohet e kalohet në gëzim dhe fe kjo e Hënë të Engjëllit si dhe Tetëditëshi i Pashkëve, "gjatë të cilit – kujton Ati i Shenjtë – zgjatet kremtimi i Ngjalljes së Krishtit". Leoni XIV falënderon pastaj të gjithë ata që i kanë dërguar urime për Pashkë. "Jam mirënjohës sidomos për lutjet", nënvizon ai. Dhe lutet që, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Hyji ta shpërblejë secilin me dhuntitë e Tij.
