Kërko

Leoni XIV takohet në nunciaturë me përfaqësues të bashkësive islame

Mbrëmë, të enjten, më 16 prill, në Yaoundé, në nunciaturën e Kamerunit, Papa u takua me një grup prej dymbëdhjetë përfaqësuesish të bashkësive islame kameruniane, "disa prej të cilëve ishin pritur në Vatikan në dhjetor".

R.Sh. / Vatikan

Kështu njoftoi Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë dje në mbrëmje përmes kanalit të saj Telegram, duke specifikuar se ndërmjet këtyre bashkësive dhe Kishës janë në zhvillim e sipër "projekte bashkëpunimi dhe të drejtësisë sociale, për të mbështetur trevat më të varfra të vendit". Papa, thuhet në deklaratë, përshëndeti secilin pjesëmarrës dhe dëgjoi fjalët e mirëseardhjes dhe falënderimet drejtuar atij nga të pranishmit, veçanërisht për punën e tyre të përbashkët me Kishën, për vizitën e tij dhe për fjalët e tij atnore mbi dialogun dhe paqen që shprehu dje në Bamenda, si gjatë Meshës ashtu edhe në Takimin e Paqes në Katedralen e Shën Jozefit.

Nga ana e tij, Leoni XIV shprehu mirënjohjen e tij "që u prit me kaq gëzim në Kamerun nga të gjithë – të krishterë, katolikë dhe jokatolikë, myslimanë dhe njerëz të feve tradicionale". Papa – thuhet në deklaratë – përmendi gjithashtu “kritikat dhe përçarjet” që ndonjëherë ekzistojnë midis feve dhe e bëjnë më të madhe përgjegjësinë për të vazhduar “t’u përcjellim të gjithëve dëshirën për të gjetur paqe, jo një paqe që shpërfill, jo një paqe që asgjëson larminë e dallimeve, por një paqe që vjen kur pranojmë se të gjithë jemi vëllezër e motra, të gjithë krijesa të një Ati Qiellor, të gjithë të thirrur për të respektuar dinjitetin e të gjithëve”.

Në Kamerun, shpjegoi më tej Papa, “ekziston një mundësi e shkëlqyer për ta realizuar këtë ëndërr, si një dëshirë që bëhet angazhim”. Prandaj, Leoni XIV i nxiti të pranishmit të “vazhdojnë në këtë rrugëtim të bukur, për t’u çuar të njëjtin mesazh, të njëjtën ëndërr, të tjerëve, myslimanëve dhe të gjithë atyre që nuk e kuptojnë e që mund të mësojnë të shohin bukurinë e vëllazërimit, duke i sjellë dobi të madhe të gjithë Kamerunit.

17 prill 2026, 17:06