Kërko

Leoni XIV: na mëson Maria, është dashuria që duhet të ngadhnjejë, jo lufta

Në Shenjtëroren e Zojës Mari e "Mamã Muxima", pranë lumit Kwanza, një vend i lashtë kulti me origjinë nga shekulli XVII, që ngrihet aty ku kolonizatorët portugezë grumbullonin mallrat dhe njerëzit e skllavëruar për t'i deportuar në Brazil, Papa udhëhoqi, pasditen e 19 prillit, lutjen e Rruzares dhe kërkoi angazhim të "duam çdo njeri me zemër amënore, me dashamirësi dhe me bujari. Papa gjithashtu i ftoi të rinjtë të "ndërtojnë një botë më të mirë" ku të mos ketë më "padrejtësi"

R.SH. – Vatikan

Rreth 130 kilometra nga Luanda, në brigjet e lumit Kwanza, më i madhi në Angolë, i cili rrjedh mes për mes bimësisë së harlisur në të dy brigjet, për shekuj me radhë Virgjëra Mari ka qenë dhe është Mamã Muxima, Nëna e Zemrës, siç quhet në gjuhën kimbubdu. Çdo vit, me mijëra shtegtarë e nderojnë atë në bazilikën që i është kushtuar, shenjtnore e cila është e shekullit XVII dhe ku gjendet një fugure e lashtë e Zojës së Papërlyer. Banorët ia besojnë Zojës shqetësimet dhe hidhërimet, gëzimet dhe shpresat e tyre. Dhe pikërisht sot, më 19 prill, Leoni XIV qe një shtegtar në mes të mijëra besimtarëve të tjerë në Muxima, në dioqezën e Vianës, për t'iu lutur Marisë.

Mbërritja në mesin e shtegtarëve dhe të besimtarëve

Pasi mbërriti me helikopter dhe u mirëprit nga autoritetet vendore, Papa udhëtoi drejt Bazilikës së Mamã Muxima me automobilin e tij «Papamobile» pastaj me një makinë golfi, i shoqëruar nga ipeshkvi i Vianës, imzot Emílio Sumbelelo, duke kaluar nëpër sheshin ngjitur. Me të arritur në vendin e kultit, rektori i Bazilikës Albeto Mpindi e mirëpriti, duke i ofruar kryqin dhe ujin e bekuar. Pastaj, duke kaluar hyrjen, Papa u përqendrua në lutje dhe u ndal për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë. Më pas, Ati i Shenjtë, Leoni XIV nderoi Zojën Tonë duke lënë lule te këmbët e saj dhe pastaj doli në skenën e ngritur posaçërisht në shesh.

Mamã Muxima i dëgjon lutjet e të gjithëve

Në fjalimin e vet, pasi meditoi mbi pesë shenjat e lumnisë së rruzares, Papa së pari shprehu "gëzimin" e takimit me shtegtarët dhe besimtarët – "me Kishën e gjallë dhe rinore në Angola" që zbulon "freskinë e besimit dhe forcën e Shpirtit" – "momentin e lutjes Mariane". Ati i Shenjtë theksoi se në këtë vend, Mamã Muxima ka kohë që "punon pa zhurmë për ta mbajtur zemrën e Kishës gjallë dhe duke rrahur". Një zemër që përbëhet nga shumë zemra të atyre të tjerëve"që duan, luten, kremtojnë, qajnë dhe ndonjëherë madje, duke mos qenë në gjendje të vijnë" deri në Muxima "ia besojnë lutjet dhe dëshirat e tyre përmes letrave dhe mesazheve postare", sepse "Mamã Muxima i mirëpret të gjithë, i dëgjon të gjithë dhe lutet për të gjithë", u shpreh Papa. Pikërisht në këtë vend, në sheshin ngjitur me Bazilikën, më e madhja në Afrikën Nën-sahariane dhe monument kombëtar që nga viti 1924, Leoni XIV i nisi botës një thirrje të re për paqe.

Është dashuria që duhet të triumfojë, jo lufta! Kjo është ajo që na mëson zemra e Marisë, zemra e Nënës të të gjithëve.

Shpenzojeni veten për të mirën e njëri-tjetrit

Në ditën e tij të dytë në Angolë – e shtata e udhëtimit të tij apostolik në Afrikë – pasi kremtoi Meshën këtë mëngjes në Kilamba, Papa na inkurajon të fillojmë me Rruzaren dhe të angazhohemi "për të dashur çdo person me një zemër amënore, në një mënyrë konkrete dhe bujare" dhe të shpenzohemi "për të mirën e njëri-tjetrit, veçanërisht të më të varfërve". Ashtu si një nënë "i do fëmijët e saj edhe pse janë të ndryshëm, të gjithë në mënyrë të barabartë dhe me gjithë zemër", kështu duhet të punojë secili prej nesh "pa masë në mënyrë që askujt të mos i mungojë dashuria" dhe gjithashtu "ajo çka nevojitet për të jetuar me dinjitet dhe për të qenë i lumtur".

Të jemi veprimtarë të drejtësisë dhe të paqes

Nga ky vend, ku kolonizatorët portugezë në shekullin XVII ndërtuan një fortesë dhe kishën e Nossa Senhora da Conceição, një pikë tregtare për mallra dhe afrikanë të skllavëruar që u pagëzuan këtu para se të deportoheshin në Brazil, mendimet e Papës shkojnë tek ata që janë "të uritur", në mënyrë që të kenë "diçka për të ngrënë", tek "të sëmurët", në mënyrë që të marrin kujdesin e nevojshëm, dhe gjithashtu tek "fëmijët", në mënyrë që t'u garantohet "një arsimim i përshtatshëm", dhe gjithashtu tek "të moshuarit", në mënyrë që të "jetojnë vitet e tyre të moshës së shtyrë në paqe". Maria, si një nënë, mendon për të gjitha këto gjëra "dhe na fton edhe ne" të jemi të kujdesshëm, pohoi me të madhe Leoni XIV, i cili u kërkoi të gjithëve një angazhim më domethënës.

Zoja jonë na kërkon të lëmë veten të prekemi nga ndjenjat e zemrës së saj, të jemi si ajo, veprimtarë të drejtësisë dhe bartës të paqes.

Ndërtimi i një bote pa luftë dhe padrejtësi

Por qenë pikërisht të rinjtë të cilëve Papa iu drejtua në mënyrë të veçantë. Një bazilikë po ndërtohet në Muxima, duke mbajtur kështu premtimin e bërë nga qeveria e Angolës Kishës Katolike gjatë vizitës së Gjon Palit II në Angola në vitin 1992. Ajo do t'i kushtohet Zojës së Papërlyer së Muximës. E në të vërtetë, guri i themelit të saj u vu në vitin 2022. Ky është një projekt që Leoni ua dëfton brezave të rinj "si një shenjë".

Edhe juve, Nëna e Qiellore ju beson një projekt të madh: atë të ndërtimit të një bote më të mirë, më mikpritëse, ku nuk do të ketë më luftë, as padrejtësi, as varfëri, as pandershmëri dhe ku parimet e Ungjillit frymëzojnë dhe formojnë gjithnjë e më shumë zemra, struktura dhe programe, për të mirën e të gjithëve.

Së bashku me Marinë, ua çojmë dritën e Krishtit të Ngjallur të tjerëve

Papa Leoni XIV më pas u kujtoi të gjithëve se "Krishti, në Pashkë, e mposhti vdekjen, duke na treguar rrugën e kthimit tek Ati", ashtu sikurse pohojnë misteret e lumnisë të rruzares që kremtojnë jetën e Jezusit. Një "rrugë e ndritshme dhe sfiduese" që, po ashtu, të gjithë burrat dhe gratë mund ta ndjekin, "duke e bërë të gjithë botën pjesëmarrëse në bukurinë e saj", me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, një dhuratë e Zotit që "na gjallëron dhe na mbështet në udhëtimin dhe misionin tonë".

Ashtu si Maria, edhe ne jemi krijuar për Parrizin, dhe ecim drejt Parrizit me gëzim, duke parë tek Ajo, një Nënë të mirë dhe një shembull shenjtërie, për t'ua sjellë dritën e Krishtit të Ngjallur vëllezërve dhe motrave që takojmë.

Prandaj ftesa e Papës për t'i dhuruar "gjithçka Marisë", siç këndohet në himnin Mamã Muxima, për t'ua dhuruar veten tonë "vëllezërve tanë" dhe për të mirëpritur me gëzim " me ndërmjetësimin e saj, bekimin e Zotit, për t'ua sjellë atë të gjithëve".

Përshëndetja e imzot Sumbelelos

Para fillimit të Rruzares, imzot Sumbelelo përshëndeti Papa Leonin XIV. Prelati paraqiti disa nga grupet e pranishme – të rinjtë, lulja më e bukur e Kishës dhe shoqërisë angoleze, anëtarët e Legjionit të Marisë, dhe më pas besimtarë nga lëvizje të tjera apostolike në dioqeza të ndryshme – dhe më pas shprehu ndjenjat e secilit. "Gëzimi që ndiejmë të gjithë duke qenë me Atin e Shenjtë sot është i papërshkrueshëm, sepse e dimë fort mirë se Shenjtëria Juaj na mban të gjithëve në zemrën e vet si Atë dhe si Bari", tha ai, duke rishikuar më pas historinë e Shenjtërores e Zojës Bekuar "Mamã Muxima", ku devocioni katolik "nis që nga viti 1833", "kur të krishterë nga e gjithë bota" që "udhëtuan kilometra e kilometra, për pesë ditë, i dorëzuan lutjet e tyre" te këmbët e Marisë.

Edhe sot e kësaj dite, të krishterët vazhdojnë të vijnë këtu si shtegtarë, nga e gjithë Angola dhe nga shtete të tjera. "Të gjithë këta bij dhe bija të Zojës sonë të Muximës dëshirojnë të dëshmojnë këtu besnikërinë dhe dashurinë e tyre për Papën dhe Kishën", përfundoi prelati, i cili e quajti këtë ditë si "historike" për analet e Dioqezës së Vianës.

19 prill 2026, 15:32