Leoni XIV në Malabo: "Universitetet të jenë rrënjët e së vërtetës dhe të shërbimit"
R.SH. – Vatikan
Në një vend si Guinea Ekuatoriale, me një histori të ndërlikuar e aktualisht, në një tranzicion simbolik, që e zhvendos kryeqytetin nga Malabo në Ciudad de la Paz, Papa Leoni XIV i beson botës universitare një mision të veçantë: të kërkojë me përvujtëri të vërtetën dhe ta vendosë atë në shërbim të së mirës së përbashkët. Ky është thelbi i fjalimit, që Ati i Shenjtë mban pasditen e sotme në kampusin e ri të Universitetit Kombëtar të Guinesë Ekuatoriale, të cilit i është dhënë emri i Papës Leoni XIV e është vendosur busti i tij, përuruar pikërisht sot në Basupú, ku ndodhet kampusi.
Universiteti si akt besimi tek njeriu
Kampusi i ri, pjesë e Universitetit Kombëtar të Guinesë Ekuatoriale, përfaqëson një investim strategjik për të ardhmen e vendit. Gjatë ceremonisë, u dhanë dëshmi nga studentët dhe pedagogët, pati çaste muzikore dhe u zbulua, në praninë e Papës, busti i tij e pllaka përuruese e kampusit, me pjesëmarrjen e autoriteteve civile dhe kishtare, përfshirë kryeipeshkvin e Malabos, imzot Juan Nsue Edjang Mayé.
Në fjalimin e tij, Leoni XIV e interpreton ngjarjen nga një perspektivë antropologjike:
"Përurimi i një universiteti është më shumë sesa një akt administrativ... është një gjest besimi në njeriun".
Ia vlen të vijohet puna për formimin e brezave të rinj, vëren Papa. Universiteti bëhet kështu një hapësirë, ku çdo student gjen shpresën dhe e zhvillon mendimin e vetveten në mënyrë të gjithanshme. "Çdo vepër autentike edukative – vë në dukje Papa - …është e thirrur të zhvillohet jo vetëm si strukturë, por si organizëm i gjallë". Në një kuadër kombëtar, që kërkon rrugë të reja, edukimi është leva vendimtare për ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme dhe më të qëndrueshme.
Pema “ceiba” dhe tundimi i dijes pa të vërtetën
Për të përshkruar vokacionin universitar, Papa përdor simbolin e pemës “ceiba”, pemës kombëtare:
"Një pemë, që hedh rrënjë të thella... dhe përmban brenda vetes një frytshmëri që nuk ekziston vetëm për vetveten".
Ashtu si pema “ceiba”, universiteti duhet të jetë i rrënjosur në histori, por edhe të shikojë lart, drejt së vërtetës. E, Leoni XIV paralajmëron kundër një devijimi: "Problemi – nënvizon ai - nuk qëndron... te dija, por te devijimi i saj... kur ajo pushon së qeni hapje dhe bëhet thjesht pronë në zotërim".
Ati i Shenjtë e ngre zërin me forcë kundër një kulture, që e manipulon realitetin në vend që t'i shërbejë atij, siç ka treguar historia e Guinesë Ekuatoriale e sidomos regjimi i Francisco Macías Nguema, që u përpoq të ndryshojë institucionet kulturore e të manipulojë dijen, si çdo diktaturë. Papa ngul këmbë se "e vërteta nuk fabrikohet... por pranohet, kërkohet me përvujtëri dhe asaj i shërbehet me përgjegjësi". Një mesazh ky, që kujton traditën edukative të Kishës lokale, duke e nxitur atë të ngjitet në maja më të larta.
Kryqi si kriter: e vërteta, liria dhe shërbimi
Në një reflektim teologjik, Ati i Shenjtë i referohet Kryqit si "pemë", që e shëlbon dijen:
"Në Kryq zbulohet... një e vërtetë që... ofrohet për hir të dashurisë".
Nuk ka kundërvënie ndërmjet fesë e arsyes, përsërit Leoni XIV idenë qendrore të paraardhësit të tij Papës Benedikti XVI, por harmoni. Pikërisht në Krishtin “duket qartë harmonia e thellë ndërmjet së vërtetës, arsyes dhe lirisë". Prej këtej, rrjedh edhe një kriter konkret për vlerësimin e universiteteve, të cilat maten “nga cilësia e studentëve të tyre... dhe jo nga numri i të diplomuarve", vëren Papa, i cili i kthehet imazhit të pemës:
“Nëse këtu formohen breza... të aftë për ta transformuar jetën e tyre në dhuratë për të tjerët, atëherë pema ‘ceiba’ do të vazhdojë të lartohet si simbol, që flet vetë".
Në fund të fjalës së Atit të Shenjtë, të pranishmit në takimin e pasdites së sotme, në Malabo, ishin të vetëdijshëm se dëgjuan një Papë, i cili u bëri thirrje për të farkëtuar dije të vërteta, në gjendje të bashkojnë kompetencën me përgjegjësinë. Në Guinenë Ekuatoriale, universiteti është i thirrur të bëhet jo vetëm një qendër arsimore, por edhe një laborator i së vërtetës dhe i shërbimit për të gjithë shoqërinë.
