Kërko

Leoni XIV në Kamerun: bota ka etje për paqe, mjaft më me luftëra!

Në Pallatin e Unitetit në Yaoundé, Papa i bën thirrje klasës drejtuese të Kamerunit ta shohë pushtetin si shërbim, kërkon një paqe "të çarmatosur dhe çarmatosëse" dhe i përcakton të rinjtë dhe shoqërinë civile si çelësat e së ardhmes së vendit afrikan, që ende vuan nga e ashtuquajtura “kriza anglofone”. Paqja, përgjegjësia dhe shoqëria civile në qendër të sfidave kombëtare

R.SH. – Vatikan

Vij mes jush si bari dhe si shërbëtor i dialogut, vëllazërisë dhe paqes.

Leoni XIV prezantohet kështu para Kamerunit, etapa e dytë në Afrikë e udhëtimit të tij të tretë apostolik. Me pak fjalë, Papa përcakton drejtimin e qëndrimit të tij në vend dhe e bën këtë duke i folur një asambleje që fillimisht e pret me thirrje gëzimi dhe më pas dëgjon me vëmendje fjalimin e tij, të parin që kur shkeli në tokën kamerunase.

Në zemër të kryeqytetit Yaoundé, brenda mureve të padepërtueshme të Pallatit të Unitetit - simbol i pushtetit politik të Kamerunit dhe teatër i çasteve dramatike në historinë e kombit - Papa Leoni XIV mbajti një nga fjalimet më të fuqishme të udhëtimit të tij apostolik në Afrikë (13-23 prill), pas etapës së parë në Algjeri. Përpara autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, Ati i Shenjtë interpretoi qartë të tashmen e Kamerunit, duke e ndërthurur inkurajimin me thirrje, që kërkojnë jo pak impenjim: thirrje për paqe, për përgjegjësi politike dhe për protagonizëm shoqëror.

Një paqe "e çarmatosur dhe çarmatosëse"

Boshti i parë i fjalimit ishte padyshim paqja, e kërkuar jo si parrullë për manifestime, por si proces konkret. Në një vend të shënuar nga e ashtuquajtura “kriza anglofone” - një konflikt i rrënjosur në trashëgiminë e ndërlikuar koloniale të Kamerunit dhe ende i përgjakshëm, edhe sot - Leoni XIV hodhi poshtë çdo justifikim për dhunën: "Bota ka etje për paqe [...]. Mjaft me luftëra".

Formula e tij kryesore, e përdorur që në fillim të papnisë, ushtoi edhe kësaj radhe me forcë: paqe "e çarmatosur" dhe "çarmatosëse", e lirë nga logjika e frikës dhe e aftë të nxisë besimin ndërmjet njerëzve. Jo rastësisht, Ati i Shenjtë e përsëriti këtë thirrje, ndërsa qeveria e Kamerunit e vetë presidenti Paul Biya, i cili e përshëndeti Papën në fillim të takimit, vazhdon të kërkojë një rrugëdalje nga kriza në rajonet veriperëndimore dhe jugperëndimore, ku separatistët anglishtfolës nxisin shkëputjen nga Republika e Kamerunit, për një të ashtuquajtur “Republikë të Ambazonës”, që ata e kanë shpallur njëanshëm në vitin 2017. Gjithsesi, kriza i ka rrënjët më të thella, që kur Kameruni u nda në dy pjesë pas Luftës I Botërore: njëra nën mandatin kolonial anglez e tjetra nën atë francez. Pas shpalljes së pavarësisë, të dyja pjesët u bashkuan në një Republikë Federale, në vitin 1961. Më 1972, u braktis federalizmi e shteti u shpall një e i vetëm, por popullsia anglishtfolëse u ndie e mënjanuar. Kriza aktuale shpërtheu në vitin 2016, me anglishtfolësit që kundërshtuan emërimin e gjykatësve frëngjishtfolës në zonat e tyre. Filloi konflikti, që ka shkaktuar mbi 6 mijë të vdekur e më se 1 milion të shpërngulur, për të mos folur për sistemin e rrëmbimeve nga grupe të armatosura, që shfrytëzon civilët për pagimin e shumave të majme. 

Gjithsesi, për Leonin XIV, çështja themelore është tjetër: "Paqja nuk arrihet me dekret: ajo pranohet dhe jetohet", u tha autoriteteve kamerunense. Është përgjegjësi e përbashkët vërtet, por rëndon kryesisht mbi ata, që qeverisin.

Pushteti si shërbim dhe sfida e korrupsionit

Më pas, Ati i Shenjtë reflektoi mbi pushtetin politik, me një ton që të kujton shumë stilin e realizmit moral, aq të dashur për traditën augustiniane. Pikërisht, duke cituar Shën Augustinin, Leoni XIV përmbysi logjikën e komandimit: të qeverisësh do të thotë të shërbesh.

Në këtë kuptim, fjalimi u kthye në një shqyrtim të ndërgjegjes për klasën drejtuese vendase: transparenca, sundimi i ligjit dhe integriteti personal nuk janë opcionale, por kushte për të arritur sërish besimin tek njëri-tjetri. "Duhet t’i thyejmë zinxhirët e korrupsionit", vijoi Papa, duke denoncuar "etjen për fitim", që ua hedh poshtë besueshmërinë autoriteteve. Konteksti i bën këto fjalë veçanërisht të mprehta. Në një sistem politik shumë të centralizuar, simbolizuar pikërisht nga "fortesa" e Pallatit Presidencial, Papa nguli këmbë në një imazh alternativ: autoriteti si "urë, kurrë si faktor përçarjeje".

Shoqëria civile dhe rinia, çelësi i së ardhmes

Së fundi, Leoni XIV vuri në dukje se ku e sheh energjinë për ripërtëritje: në shoqërinë civile dhe tek të rinjtë. Shoqatat, krerët fetarë, gratë dhe organizatat lokale u përshkruan nga Papa si artizanët e vërtetë të paqes së përditshme, shpesh më të frytshëm se vetë institucionet në parandalimin dhe në shërimin e konflikteve. Theks i veçantë iu dha grave, "që bëjnë paqe pa u lodhur", si edhe të rinjve, të përshkruar si "shpresa e vendit". Por këtu toni i Leonit XIV u bë realist: pa punësim dhe pa përfshirje, paralajmëroi ai, ndjenja e pafuqishmërisë para problemeve mund të degjenerojë në dhunë. Investimi në arsim dhe në ekonomi, sidomos në sipërmarrje, sipas Papës, është "një zgjedhje strategjike për paqen".

Papa përvijoi një vizion koherent: Kameruni, i quajtur shpesh "Afrika në miniaturë", i zotëron të gjitha burimet e pasuritë për t’i transformuar plagët e tij në mundësi për vendin e për popullin, që e banon. Por, la të kuptohej Leoni XIV, kjo kërkon kthesë kolektive - politike, shoqërore dhe morale. “Zoti e bekoftë Kamerunin”, fjalët e tij të fundit para autoriteteve të panishme.

15 prill 2026, 18:45