Leoni XIV në Guinenë Ekuatoriale: Si po e pret vendi që kërkon ngushëllim
R.SH. / Vatikan
Për shumëkend, kujtimi i vizitë papnore së mëparshme është zbehur tashmë. Ishte viti 1982 kur Shën Gjon Pali II mbërriti në Guinenë Ekuatoriale për një udhëtim apostolik, i ndjekur kryesisht nga shumica e popullsisë nëpërmjet radios. Shumë nga fëmijët e asaj kohe tashti do të jenë në gjendje ta takojnë Papën personalisht, thuhet këtu. Mesazhi i tij do të jetë një mesazh shprese dhe një bekim i madh për popullin.
Një visar për të paktët
Mbërritja e Leonit XIV, ndalesa e fundit pas Algjerisë, Kamerunit dhe Angolës, është një burim ngushëllimi. Popullsia duhet ta ndjejë afërsinë e tij, duke pritur prej tij një fjalë që mund t'a ngushëllojë dhe t’i japë zemër përballë problemeve të rënda me të cilat ballafaqohet vendi. Ndër shtetet më të vogla të Afrikës, Guinea Ekuatoriale është një prodhuese e madhe e naftës dhe e gazit në Gjirin e Guinesë që nga viti 1996, kur u patën zbuluar rezerva të mëdha, duke e renditur atë paksa më poshtë prodhuesve të mëdhenj. Guinea Ekuatoriale është i vetmi vend spanjishtfolës në Afrikë, trashëgimi kjo e kolonializmit. Ka një nga të ardhurat për frymë më të lartat në Afrikë. Megjithatë, kjo gjë nuk vlen për shumicën e popullsisë së saj, e cila jeton në varfëri të skajshme dhe e lënë mënjanë, ku një punëtor/punëtore merr më pak se një dollar në ditë, pavarësisht bollëkut të naftës që i sjell kamje vetëm një grupi të vogël. Ky fakt dëshmohet nga Treguesi i Zhvillimit Njerëzor i OKB-së, i cili e rendit këtë shtet në vendin e 133-të, nga 193 që janë gjithsej.
Fërkimet sociale
Këtu jeta përshkohet nëpër një situatë ekonomike dhe politike që lind tension të konsiderueshëm, me andralla të dukshme që lidhen me pabarazinë sociale dhe me hendekun mes të varfërve dhe të kamurve që vihet re menjëherë kur udhëton me makinë rreth Malabos, ish-kryeqytetit, në ishullin Bioko. Periferia e qytetit, ashtu si fshatrat, është e mbushur me kasolle prej llamarine të valëzuar dhe shtëpi të rrënuara që bien ndesh me imazhin që përcjell Paseo Marítimo, bregdeti i qytetit, një vend i njohur për shëtitje për banorët e paktë që hasen këtu, vetëm pak nga dy milionë shtetasit e këtij vendi. Që nga 2 janari, Malabo është zëvendësuar me kryeqytetin e ri Ciudad de la Paz, në kontinent. Ky qytet ishte menduar të bëhej qendra administrative, sipas porosisë së presidentit Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, i cili gjendet në këtë detyrë pa ndërprerje që nga viti 1979. Po ky president, pas Gjon Palit II, tani do të presë Leonin XIV.
Fuqia e lutjes
"Ne marrim frymë sepse Zoti dëshiron kështu," dëgjohet në rrugët e Malabos, sepse për çështjet e tjera, qytetarët nuk presin shumë. Varfëria, padrejtësia sociale dhe dorëzimi absolut po e përkeqësojnë këtë vend. Për më tepër, pak para mbërritjes së Papës, më 17 prill, erdhi lajmi i vdekjes së papritur të Vikarit të Përgjithshëm të kryedioqezës së Malabos, imzot Fortunato Nsue Esono, një vdekje që i la të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar.
"Kemi shumë sfida me të cilat duhet të përballemi këtu", thotë Atë José Ndong, Vikar Ipeshkvnor për Kujdesin Baritor në Malabo, "dhe të gjithë janë shumë të interesuar të dëgjojnë se çfarë do të thotë Papa. Prania e tij do të na japë forcë për të vazhduar të jetojmë si të krishterë". Ndër problemet me të cilat përballet Kisha janë ato të krijuara nga tribalizmi, i cili është një burim përçarjeje dhe ato të lidhura me përhapjen e sekteve, "të cilat po ngulen andej-këndej", shpjegon Ndong, "dhe po i ngatërrojnë besimtarët, megjithëse, si të krishterë, ne dimë si të qëndrojmë të palëkundur nëpërmjet lutjes".
Një besim që duhet përforcuar
Banorët e Guinesë janë katolikë të flaktë, të cilët marrin pjesë në Meshë dhe i përkushtohen lutjes. Por, shpjegon Atë Alberto Nguema Obama, kancelar i kryedioqezës, "ajo për të cilën po punojmë është që besimi të hedhë rrenjë të thella, duke arritur një besnikëri të plotë dhe të sinqertë, dhe në mënyrë që disa rite të caktuara të braktisen", në një vend ku magjia dhe bestytnia janë të rrënjosura thellë dhe të pranishme edhe në mesin e popullsisë katolike. "Na duhet të punojmë për këtë," vazhdon Atë Obama, "duke ua çuar Ungjillin njerëzve që këta ti braktisin këto rite" të cilat, për shumëkend përbëjnë një zgjidhje për hallet që kanë: "Njerëzit duan përgjigje të menjëhershme, por duhet të kenë durim, sepse vetëm feja e gjallë i jep ato."
Qyteti Studenti
Nga kjo vizitë e Papës njerëzit presin, mbi të gjitha, të marrin inkurajim shpirtëror si edhe të kenë mundësinë për të kaluar një çast bashkimi me të, shpjegon Francesco Nzé, anëtar i komitetit ekonomik të Dioqezës së Malabos, i cili thekson rëndësinë e vizitës së Papës në kampusin e ri të Universitetit Kombëtar të Guinesë. Ky qytet studentësh, për nder të Papës, do të riemërohet «Kampusi Universitar Papa Leoni XIV».
"Fakti që Papa vetë do ta përurojë atë," thekson Francesco Nzé, "është vërtet domethënës dhe një shenjë e mirë për të ardhmen e këtij kampusi dhe të të rinjve, për të ardhmen e vendit tonë, veçanërisht përsa i përket zhvillimit." Nzé më pas tregon përparimin e bërë nga Guinea Ekuatoriale në fushën e arsimit, me 7,000 të diplomuar çdo vit, krahasuar me 100 në vitet 1980 dhe 1990. Këta të rinj, më pas detyrohen të përballen me një mungesë të plotë punësimi, duke u shndërruar kështu në një burim shqetësimi të madh edhe për Kishën.
Një ripërtëritje morale
Mbajtja gjallë e shpresës dhe mosbjerrja e besimit janë gjërat që presin njerëzit më shumë nga kjo vizitë e Leonit XIV, me shpresën që problemet me të cilat përballen, e që po shkaktojnë vuajtje, t'ia lënë vendin ripërtëritjes morale dhe shoqërore. Vendasit luten që mesazhi i Papës, i cili duhet të mirëpritet dhe të ruhet, t’u japë forcë për të vazhduar të jetojnë si të krishterë dhe për ta përjetuar besimin fetar me një bindje më të madhe.
