Kërko

Papa në meshë Papa në meshë

Leoni XIV në Annaba, takohet me bashkësinë katolike: të lindemi përsëri prej së Larti

Në Bazilikën e Shën Augustinit, para 1200 besimtarëve, Papa i tregon Kishës së vogël algjeriane një rrugë kthese shpirtërore, bashkimi konkret dhe dëshmie të fuqishme, por pa bujë. Përfundon kështu, dita e dytë e udhëtimit të Leonit XIV në Afrikë

R. SH. – Vatikan

Në Annaba, në lartësitë që shohin Detin Mesdhe dhe Iponën e lashtë, Papa Leoni XIV kremtoi një Meshë kushtuar Shën Augustinit para rreth 1.200 besimtarëve, në ditën e dytë të udhëtimit të tij afrikan (13-23 prill). Bazilika e Shën Augustinit - me arkitekturën e saj arabo-maure dhe romako-bizantine, me vetratat, që rrëfejnë jetën e shenjtit – ofroi një simbolikë vërtet të fuqishme: ajo dëshmon se Algjeria – etapa e parë e shtegtimit papnor - është udhëkryq historie, feje dhe identiteti, që shihen edhe në një Kishë minoritare, siç është ajo katolike në vendin me 98-99% të popullsisë, myslimane.

Mesha ishte edhe veprimtaria e fundit e ditës e Atit të Shenjtë, i cili u kthye më pas në nunciaturën apostolike në Algjer, duke lënë një mesazh, që bashkon teologjinë me realizmin baritor, në stilin e atij, që i interpreton shenjat e kohërave pa u dorëzuar as para pesimizmit, as para triumfalizmit.

  (@Vatican Media)

Të lindemi përsëri prej së Larti: një urdhër që çliron

Në qendër të homelisë së Papës, dialogu i Jezu Krishtit me Nikodemin, i interpretuar si çelësi për të kuptuar misionin e Kishës sot. "Të lindemi përsëri prej së Larti", siç i kërkon Krishti Nikodemit, nuk paraqitet si një ideal shpirtëror i paarritshëm, por si një mundësi konkrete, e rrënjosur në hirin e Tënzot. E Leoni XIV shpjegon si duhet bërë kjo, si duhet të ndryshojmë jetë për të rilindur prej së Larti:

"Ne duhet ta bëjmë këtë, pra, sipas vullnetit të Tij të dashurisë, që dëshiron ta ripërtërijë njerëzimin, duke e thirrur atë në një bashkim jete, i cili fillon me fenë".

Këtu, mendimi i Shën Augustinit është thelbësor për Papën: ai është jo aq mendimtari, që i dha formë teologjisë perëndimore, por më tepër njeriu i shqetë, i cili zbuloi, përmes kërkimeve të gjata dhe dëshmisë së nënës së tij, Shën Monikës, se Zoti e bën të mundur atë që u kërkon njerëzve. Në një tokë si ajo e Algjerisë, karakterizuar nga sfidat shoqërore dhe fetare, Leoni XIV theksoi pikërisht këtë vizion mbi fenë, që është transformimi i vërtetë i jetës.

  (@Vatican Media)

Një Kishë, që lind nga zemra

Duke u mbështetur në Veprat e Apostujve, që përshkruajnë jetën e bashkësive të para të krishtera, Ati i Shenjtë vuri në dukje tri koordinata themelore për jetën kishtare: unitetin, bashkëndarjen dhe dëshminë. Jo një program strategjik, por një gramatikë shpirtërore.

"Ky unitet shpirtëror është harmoni: fjalë kjo, e cila shpreh si duhet bashkimin e zemrave, që rrahin së bashku, sepse janë të bashkuara me Krishtin".

Në këtë kuptim, vetë bazilika - e ndërtuar me materiale lokale dhe e frekuentuar çdo vit nga myslimanët dhe hebrenjtë - bëhet metaforë për një Kishë të rrënjosur në strukturën njerëzore dhe kulturore të vendit. Uniteti për të cilin flet Papa nuk është uniformitet, por bashkim i thellë, i aftë të bëhet gjeste konkrete në pasurinë e ndarë me të tjerët, në marrëdhënie autentike, në vëmendjen ndaj më nevojtarëve.

Është një vizion, që kujton drejtpërdrejt përvojën e Augustinit Ipeshkëv, bari i Kishës për më se tridhjetë vjet, i impenjuar për ta mbajtur të bashkuar komunitetin e përshkuar nga përçarjet dhe tensionet doktrinore.

  (@Vatican Media)

Një pakicë, që e përhap aromën e vet në gjithë botën

Fundi i homelisë së Papës i dha grigjës së vogël të Krishtit në Algjeri një imazh të paharrueshëm: të krishterët si kem. Në një vend ku Kisha është numerikisht e vogël, Leoni XIV propozoi ekleziologjinë e pranisë së pabujshme, por cilësore, në vend të dukjes së zhurmshme.

"Dëshmojeni Ungjillin me gjeste të thjeshta, me marrëdhënie të vërteta e me një dialog të jetuar ditë për ditë: kështu do t’i jepni shije e dritë vendit ku jetoni. Prania juaj më sjell ndërmend kemin: një kokërr e vogël e ndezur, që përhap aromë, sepse i jep lavdi Zotit dhe gëzim e ngushëllim kaq shumë vëllezërve dhe motrave".

Nuk është çështje tërheqjeje e mbylljeje në vetvete, shpjegoi Ati i Shenjtë, por është fjala për të qenë të pranishëm në mënyrë kuptimplote: përmes gjesteve të thjeshta, dialogut të përditshëm dhe bamirësisë konkrete. Ku ka dëshpërim, kujtoi ai, Kisha ndez shpresën; ku ka konflikt, sjell pajtim.

Në meshën e Annaba-s, që s’është tjetër veçse Ipona e lashtë, Papa vuri në dukje një linjë të qartë: forca e Kishës nuk qëndron në numra a në struktura, por në aftësinë për t'u "lindur përsëri prej së Larti", siç kërkon Krishti, si edhe në punën për ta kthyer këtë rilindje në dëshmi të besueshme. Me një fjalë, edhe kjo grigjë e vogël katolike – sot, ashtu si në kohën e Shën Augustinit – është në gjendje të jetojnë një fe, që e ndryshon vërtet historinë.

14 prill 2026, 17:17