Papa Leoni XIV (nga arkivi) Papa Leoni XIV (nga arkivi)

Leoni XIV në Afrikë, një shtegtar nëpër kontinentin e gjerë të "popujve dhe botëve të ndryshme"

Drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë Matteo Bruni u paraqiti gazetarëve programin e udhëtimit apostolik që Papa po përgatitet të ndërmarrë nga 13 deri më 23 prill, në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale. Është ky një itinerar i karakterizuar nga larmia e historive, kulturave dhe traditave. Papa do të flasë në katër gjuhë dhe do të trajtojë tema si paqja, mjedisi, migrimi, familja, të rinjtë dhe kolonializmi. Nuk janë planifikuar masa të veçanta sigurie.

R.SH. / Vatikan

Së pari, Algjeria, pastaj tri vende që nuk kanë parë Papë tash tridhjetë vjet si: Kameruni, Angola dhe Guinea Ekuatoriale. Papa Leoni XIV po përgatitet për udhëtimin e tij më të gjatë deri tani, në Afrikë nga 13 deri më 23 prill. Janë katër shtete që Ati i Shenjtë Leoni XIV do të vizitojë për njëmbëdhjetë ditë ku do të flasë në anglisht, frëngjisht, portugalisht dhe spanjisht. Në udhëtimin e tij të tretë apostolik, pas Turqisë, Libanit dhe Principatës së Monakos, Papa amerikan do të zhytet në një botë shumë gjuhësh, kulturash, historish dhe traditash të larmishme, duke parë me sytë e vet zona të plagosura nga dhuna, fundamentalizmi dhe tragjedia e migrimit. Megjithatë, këto shtete karakterizohen edhe nga entuziazmi i brezave të rinj, roli udhëheqës i feve për paqen dhe sfida e bashkëjetesës midis besimeve të ndryshme.

Vizitat e Papëve të mëparshëm

Sot paradite, më 9 prill, Matteo Bruni, Drejtor i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, përshkroi udhëtimin papnor dhe theksoi të gjitha pikat kryesore të këtij udhëtimi gjatë takimi të zakonshëm me gazetarët e mediave botërore që do ta ndjekin Papën Leonin XIV gjatë ndalesave të tij të ndryshme. Këto janë vend, tha zëdhënësi i Vatikanit, "që një Papë nuk i ka vizituar për shumë vite". Ndërsa për rastin e Algjerisë, mund të thuhet se është një vend ku nuk ka qenë kurrë një Papë më parë. Gjon Pali II pati vizituar Kamerunin në vitin 1985, si pjesë e një shtegtimi të gjatë nëpër këtë kontinent. Pastaj Benedikti XVI në vitin 2009, përpara se të udhëtonte për në Angola, ku Vojtila kishte qenë që në vitin 1992. Vojtila, nga ana tjetër, u pat ndalur në Guinenë Ekuatoriale në vitin 1982 për udhëtimin e tij të dytë apostolik në Afrikë (i pari kishte qenë në vitin 1980). Megjithatë, Papa Françesku nuk pati qenë kurrë në asnjë nga këto vende, pavarësisht se pati vizituar dhjetë zona të Afrikës.

"Është një udhëtim që do të përshkohet nëpër pasurinë e këtij kontinenti të madh, të populluar nga popuj dhe botë të ndryshme", theksoi Bruni, duke përshkruar një për një fazat e ndryshme të udhëtimit.

Në Algjeri, nëpër gjurmët e Shën Augustinit

Ndalesa e parë: Algjeria, një tokë që flet dhe ku ndihet trashëgimia e Shën Augustinit, themeluesit të rregullit augustinian, të cilit i përket edhe Robert Francis Prevost. Vetë Leoni XIV e kishte parashikuar këtë vizitë gjatë fluturimit ndërsa kthehej nga Bejruti, kur – duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për udhëtimet e ardhshme – ai rrëfeu kontinentin ku donte të shkonte: Afrikën, duke shtuar se kishte dëshirë për të "vizituar vendet e Shën Augustinit", por edhe për të vazhduar "dialogun, ndërtimin e urave ndërmjet botës së krishterë dhe asaj myslimane", për të cilën ipeshkvi i Hiponës është një figurë e respektuar.

Ati i Shenjtë Prevost ka udhëtuar disa herë në Algjer dhe Anaba në të kaluarën si Epror i Përgjithshëm i Augustinianëve. Tani ai kthehet si Papë dhe shtegtar në një "tokë të dëshmisë së lashtë dhe moderne të krishterë": jo vetëm të Shën Augustinit, por edhe të krishterëve të Afrikës së Veriut në kohën  e perandorisë romake, dhe të Charles de Foucauld në mes të tuaregëve. Ky është gjithashtu vendi ku dhanë jetën shtatë murgjit trapistë të Notre Dame de l'Atlas, të vrarë në vitet 1990, dhe 19 rregulltarë të tjerë nga urdhëra të ndryshëm, të cilit, u shpallën të lumë nga Papa Françesku në vitin 2018. "Një tokë me vuajtje të mëdha", tha Bruni, dhe gjithashtu një vend "tepër i shtrenjtë", pozita gjeografike e të cilit, ndërmjet shkretëtirës dhe Detit Mesdhe – ai det që kaq shumë afrikanë përpiqen ta kapërcejnë – do të ofrojë një mundësi për të folur rreth çështjes së migracionit.

Bruni gjithashtu vuri në dukje se vërejtjet e ndryshme të Papës do të përfshijnë gjithashtu referencë për "rrezikun e shfrytëzimit të burimeve nga të tjerët, qofshin individë apo organizata".

Në Kamerun, "një Afrikë në miniaturë"

Nga Algjeria, Papa do të vazhdojë udhëtimin e tij – të ndërthurur me udhëtime pothuajse të përditshme me aeroplan ose helikopter – për në Kamerun: "Një Afrikë në miniaturë për shkak të larmisë dhe pasurisë së territorit të saj, burimeve dhe traditave të saj, përfshirë ato gjuhësore". Gjon Pali II pati folur atje për shpresën, Benedikti XVI për pajtimin, drejtësinë dhe paqen. Leoni XIV do të gjejë "një vend që po përjeton sprova të ndërlikuara për shkak të bashkëjetesës së realiteteve të ndryshme", siç janë krizat në veri dhe jugperëndim ose "helmi" i fundamentalizmit, veçanërisht në mesin e të rinjve. Por në Kamerun, Papa Leoni do të jetë gjithashtu në gjendje të vëzhgojë përpjekjet e feve në ndërtimin e paqes, t’u japë zemër qeverive për rolin që kanë, shoqërisë civile dhe grave, dhe gjithashtu të sjellë në vëmendjen e publikut çështjet e mjedisit dhe të zhvillimit integral njerëzor.

Angola, një "forcë për ndryshimin"

Paqja, burimet natyrore njerëzore, të rinjtë dhe plagët e korrupsionit, shfrytëzimit dhe kolonializmit do të jenë gurët themelorë të udhëtimit në Angolë, një vend i ri, si populli i saj, "shpresa" dhe "gëzimi" i të cilit, u shpreh Matteo Bruni, na sigurojnë që ky komb i Afrikës së Jugut sot të mund të konsiderohet "një burim dhe forcë e vërtetë shpirtërore për ndryshim". Po, ekziston "tundimi kur trishtohesh dhe të lëshon zemra", por në Angolë, besimi mbizotëron: "Është zemra e krishterimit afrikan".

Burimet njerëzore dhe  natyrore të Guinesë Ekuatoriale

Udhëtimi apostolik përfundon me Guinenën Ekuatoriale. Një realitet i ndryshëm, situata dhe sfida të ndryshme. Një zonë e kontinentit afrikan e pasur me burime minerare, depozita dhe akoma më shumë me njerëz, kultura dhe gjuhë. Ka shumë ishuj, peshkim gjithandej dhe shumë të krishterë që mbështesin angazhimin e Kishës "për të ndihmuar dhe për të ndërtuar një kulturë paqeje". Kultura është gjithashtu një temë që spikat në Guine, me praninë e universiteteve, disa prej të cilave mbështeten nga Kisha vendase.

Shpura dhe masat e sigurisë

Në shpurën papnore do të përfshihen kardinalët Louis Antonio Tagle, Pro-Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzim; George Koovakad, Prefekt i Dikasterit të Vatikani për Dialog Ndërfetar dhe dy krerë nderi të dikasterit, Peter Appiah Turkson dhe Robert Sarah, të dy afrikanë. Gjithashtu të pranishëm do të jenë zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Paolo Rudelli, dhe disa augustinianë, por vetëm gjatë ndalesës algjeriane. Papa do të udhëtojë shpesh në një makinë të hapur gjatë vizitave të ndryshme. Nuk ka shqetësime përsa i përket sigurisë, tha drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve: "Nuk parashikohen masa të posaçme sepse masat e zakonshme konsiderohen të mjaftueshme."

Një kujtim i Papa Françeskut

Papa Leoni XIV do të mbajë konferencën e zakonshme për shtyp me gazetarët në bord të avionit dhe nuk përjashtohet që ai të "shfaqet" gjatë fluturimeve nga një shtet në tjetin: "Ndoshta Papa do të thotë diçka në ndonjë rast", siç ndodhi, për shembull, gjatë udhëtimit nga Stambolli në Bejrut. Lidhur me përzgjedhjen e vendeve të ndryshme që hyjnë në këtë itinerar, Bruni nuk dha ndonjë shpjegim të veçantë. Afrika, tha ai, është "një kontinent shpesh i harruar, që duhet dëgjuar", "çështjet" dhe "sfidat" e të cilit duhet të shqyrtohen. Ndër këto hyn poligamia – një temë gjithashtu qendrore për diskutimet e sinodit – dhe mungesa e demokracisë në disa vise.

"A do t'i trajtojë Papa edhe këto çështje?" pyetën gazetarët.

"Kam renditur disa tema: poligamia mund të diskutohet, por Papa me siguri do të flasë për familjen", shpjegoi Matteo Bruni. Në pikën tjetër, ai u përgjigj se " Papa viziton çdo vend dhe ai takon njerëz dhe botë politike të ndryshme dhe kështu që do t'u drejtohet të gjithëve".

Në fund, do të përkujtohet Papa Françesku, përvjetori i vdekjes të të cilit bie më 21 prill, pra gjatë udhëtimit apostolik të Papa Leonit.

09 prill 2026, 20:40