Papa Guinesë Ekuatoriale: të reflektojë mbi drejtësinë, zhvillimin dhe përgjegjësinë
R.SH. - Vatikan
Nga vija e ekuatorit, Papa Leoni XIV shikon me shqetësim të madh skenarët ndërkombëtarë dhe e bën këtë në fjalimin drejtuar autoriteteve të Guinesë Ekuatoriale, ku mbërriti sot paradite më 21 prill, ndalesa e fundit e udhëtimit të tij të gjatë apostolik ndërkombëtar në kontinentin afrikan. Ati i Shenjtë Prevost flet për interesat ekonomike, sipas një logjike shfrytëzuese pa skrupuj, që qëndrojnë pas konflikteve, dhe u bën thirrje edhe një herë liderëve që të mos përfshihen në zgjedhje e veprime vdekjeje dhe shkatërrimi të krijimit. Zhvillimi, thekson Leoni – në përputhje të plotë me trashëgiminë e Papës Françesku, i cili ndërroi jetë një vit më parë, e kujtohet edhe në këtë vend, na la – nuk duhet të minojë respektin për drejtësinë dhe ligjin.
Të lirë nga pasuria e padrejtë dhe iluzioni i dominimit
Në vazhdën e mandatit të Shën Gjon Palit II, Papës Wojtyła që vizitoi këtë vend 44 vjet më parë, dhe në atë të Koncilit të Vatikanit II, Papa Leoni paraqitet para autoriteteve të Guinesë Ekuatoriale duke shprehur dëshirën për të ngushëlluar një popull “në transformim të shpejtë”. Dhe është gjithmonë mësimi i Shën Augustinit, në veprën e tij De civitate Dei, që udhëheq reflektimet e Papës augustian, i cili arrin në një vend “të përulur”, siç e përshkroi Presidenti i Republikës, Obiang Nguema Mbasogo, në përshëndetjen e tij të mirëseardhjes. Pra, është qyteti qiellor, kujton Papa, “atdheu i vërtetë” drejt të cilit duhet të synohet.
Çdo njeri mund të vlerësojë vetëdijen shumë të lashtë se jeton në tokë si kalimtar. Është thelbësore të ndiejë dallimin midis asaj që zgjat dhe asaj që kalon, duke mbetur i lirë nga pasuria e padrejtë dhe nga iluzioni i dominimit.
Spekulimi i lidhur me nevojën për lëndë të para
Përballë rrezikut të destabilizimit të planetit dhe bashkëjetesës njerëzore, busulla është Doktrina Shoqërore e Kishës që ofron “kriteret morale” dhe “parimet e vërteta etike” që individët të mbrohen në lirinë e tyre dhe që popujt e qeveritë të gëzojnë autonomi. Papa Leoni i referohet Rerum novarum, ku thellohet paradoksi që lind nga pabarazitë shoqërore dhe përjashtimi i një pjese të madhe të popullsisë botërore nga të mirat bazë, dhe gjithashtu edhe Evangelii gaudium të Papës Françesku, i cili sot kujtohet – si në këtë kontekst institucional ashtu edhe me gazetarët në avion – në përvjetorin e parë të vdekjes së tij. Koncepte të zhvilluara gjerësisht nga paraardhësi Bergoglio – e famshme mbeti shprehja e tij e shkurtër “Kjo ekonomi vret” – dhe të përfshira në pjesën më të madhe në fjalimin e Leonit tetorin e kaluar drejtuar Lëvizjeve Popullore. Thirrjet, pra, duket se bashkohen në një zë të vetëm: “Është detyrë e pashmangshme e autoriteteve civile dhe e politikës së mirë të heqin pengesat ndaj zhvillimit të plotë njerëzor, për të cilin destinacioni universal i të mirave dhe solidariteti janë parime themelore”, thekson sot Pasardhësi i Pjetrit, Leoni XIV.
Nuk mund të fshihet, për shembull, se evolucioni shumë i shpejtë teknologjik që po përjetojmë ka përshpejtuar një spekulim të lidhur me nevojën për lëndë të para, që duket se harron kërkesa themelore si mbrojtja e krijimit, të drejtat e komuniteteve lokale, dinjiteti i punës dhe mbrojtja e shëndetit publik.
Të mbrohet krijimi, të drejtat, komunitetet, puna dhe shëndeti
Vetë teknologjitë e reja duken të konceptuara dhe të përdorura kryesisht për qëllime luftarake dhe në kuadro kuptimore që nuk lënë të kuptohet një rritje e mundësive për të gjithë. Përkundrazi, pa një ndryshim kursi në marrjen e përgjegjësive politike dhe pa respekt për institucionet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, fati i njerëzimit rrezikon të komprometohet tragjikisht. Zoti nuk e dëshiron këtë.
Mos e përdhosni kurrë emrin e Zotit
Emri i Tij i shenjtë nuk mund të përdhoset nga vullneti për dominim, nga arroganca dhe diskriminimi: mbi të gjitha, ai nuk duhet të përdoret kurrë për të justifikuar zgjedhje dhe veprime vdekjeje. Vendi juaj të mos hezitojë të verifikojë rrugët e veta të zhvillimit dhe mundësitë pozitive për t’u pozicionuar në skenën ndërkombëtare në shërbim të së drejtës dhe drejtësisë.
