Pope Leo XIV visits the Pontifical School Paul VI in Castel Gandolfo

Leoni XIV: në mbrojtjen e të miturve, Kisha nuk duhet të ketë frikë nga shkandulli, por të kërkojë të vërtetën

Në një mesazh të 10 prillit, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, për Takimin e dytë italian të përfaqësuesve kombëtarë për mbrojtjen e të miturve dhe të të rriturve të brishtë, Papa pohon se respekti për të vegjlit nuk mund të reduktohet në "një sërë rregullash për t’u zbatuar", pasi nënkupton një formë "urtie" në mënyrën e ushtrimit të autoritetit. Ai nxit të pranohet kur është vepruar keq, në vend që të minimizohet e keqja

R.SH. – Vatikan

Para dhimbjes, bëni pyetje në vend që të mbroheni. Pranojeni kur keni vepruar keq e mos e minimizoni të keqen. Mos u mbyllni në vetvete nga frika e shkandullit, por pranoni të përshkoni "shtigjet kërkuese të së vërtetës, drejtësisë dhe shërimit". Këto janë parimet mbi të cilat Papa Leoni XIV e fton Kishën në Itali të reflektojë, në një mesazh të datës 10 prill, por të botuar më 16 prill, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinal Pietro Parolin, me rastin e Takimit të dytë kombëtar të përfaqësuesve vendorë për mbrojtjen e të miturve dhe të të rriturve të brishtë, që mbahet në Romë deri më 18 prill. Tema: “Të krijojmë marrëdhënie të vërteta”.

Dinjiteti, liria dhe marrëdhëniet autentike

Papa u bën thirrje bashkësive të krishtera të krijojnë marrëdhënie autentike të bazuara në njohjen e dinjitetit të çdo njeriu dhe në mbrojtjen e lirisë së tij. Respekti nuk është thjesht korrektësi formale, por formë kërkuese e dashurisë: ai përfshin shoqërimin e njerëzve pa i dominuar, shërbimin pa poshtëruar dhe mbrojtjen pa i zotëruar. Prandaj, mbrojtja nuk mund të reduktohet në rregulla, ose procedura, por kërkon "urti" në stilin e bashkësisë, ushtrimin e autoritetit, formimin dhe transparencën.

Kujdesi për më të brishtët dhe njohja e së keqes

Prania e të miturve dhe e të rriturve më të brishtë i bën thirrje Kishës të tregojë kujdes konkret përmes dëgjimit, mbrojtjes dhe parandalimit, duke mos lënë askënd vetëm. Vëmendja ndaj viktimave të abuzimit është qendrore dhe kërkon afërsi të sinqertë dhe angazhimin për t’u dhënë dëmshpërblime aty ku është e mundur. Një bashkësi e pjekur, vëren Papa, as nuk e mohon të keqen dhe as nuk i frikësohet shkandullit, por zgjedh të vërtetën, drejtësinë dhe shërimin. Që këtej, ftesa për të zhvilluar një kulturë parandalimi si shprehje e kujdesit të vërtetë ungjillor.

"Dhe unë do të kujdesem për ty"

Takimi që mbahet në Romë, pra, shkon përtej "nivelit operacional", përfundon Papa, duke i bërë thirrje Kishës të zhvillojë "kulturën e parandalimit", e cila është para së gjithash "kulturë e mbrojtjes ungjillore". Për këtë do të kontribuojë edhe shfaqja me titull "Dhe unë do të kujdesem për ty", e cila do të paraqitet gjatë konferencës: është një rrugëtim artistik dhe muzikor, që sjell në skenë plagën e abuzimit në ambientet kishtare, duke u bëri zëri i dhimbjes së viktimave.

16 prill 2026, 16:34