Leoni XIV largohet nga Guinea Ekuatoriale, duke përfunduar udhëtimin e tij apostolik në Afrikë
R.SH. – Vatikan
Një udhëtim i gjatë dhe intensiv, ky i treti i Papës Leoni XIV, nga vendet augustiniane në Algjeri, me bashkësinë e krishterë, që vazhdon të dëshmojë një fe të bazuar mbi shërbimin, dialogun dhe martirizimin, deri në të ashtuquajturën Afrikë e zezë të Kamerunit, Angolës dhe Guinesë Ekuatoriale, ku sot paradite (23 prill), kremtoi meshën e fundit në prani të 30.000 besimtarëve, një e treta më shumë se sa pritej. Një mision që përfundon me kthimin nga aeroporti ndërkombëtar i Malabos, rreth dhjetë kilometra larg stadiumit, në Romë-Fiumicino, ku ai do të ulet pas pak më shumë se gjashtë orësh. Në ish-kryeqytetin e Guinesë Ekuatoriale, u ekzekutuan himnet dhe Papa kaloi në mes të rojeve tradicionale në qëndrimin “për nder armë”, në prani të zëvendëspresidentit të Guinesë Ekuatoriale. Pastaj, përshëndetja e delegacioneve e avioni u ngrit nga toka në orën 12.53 lokale (një orë më vonë, në Evropë). Duke fluturuar mbi Guinenë Ekuatoriale, në një telegram drejtuar Kreut të Shtetit, që i uroi mirëseardhjen në vend, Leoni XIV shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj autoriteteve lokale dhe qytetarëve për "pritjen bujare dhe ngrohtësinë", që i treguan. Uniteti dhe zhvillimi i begatë janë bekimet, që Papa i drejtoi të gjithë popullit.
Afrika, një thesar i madh
Ati i Shenjtë largohet nga kontinenti afrikan, të cilin pati dëshiruar aq shumë ta vizitonte si udhëtimin e parë të papnisë së tij - nëse nuk do të kishte "trashëguar" impenjimet e paraardhësit të tij, Françeskut e nëse nuk do të ishte detyruar ta braktiste atë ide, për udhëtimin në Turqi e Liban - duke marrë me vete, siç tha në përshëndetjen e tij në fund të meshës në Malabo, "një thesar të paçmuar feje, shprese dhe dashurie". Histori, fytyra dhe dëshmi, "të gëzueshme dhe të dhimbshme", të cilat janë burim, pranoi ai, i "pasurimit të begatë” si personal, ashtu edhe si Pasardhës i Shën Pjetrit.
Nga konfliktet e harruara te besimi në rininë
Duke përdorur gjithnjë një perspektivë të gjerë mbi rajonet, që vuajnë nga lufta e dhuna, Papa pati mundësinë këtyre ditëve të hedhë dritë mbi shumë konflikte të harruara të Afrikës, të denoncojë logjikat, që i shkaktojnë dhe i ushqejnë ato, si edhe të nxisë, sidomos brezat e rinj, të gjejnë energjinë, që u nevojitet për të rimarrë në dorë të ardhmen e tyre, me ndjenjë përgjegjësie, besimi, dinjiteti dhe lirie. Doli në pah një portret thellësisht prekës i Afrikës, e cila, shpesh, konsiderohet si monolit pa dallime, që ka nevojë vetëm për ndihmë. Po, buka duhet, por Afrika është dhuratë në vetvete. Leoni XIV e përjetoi, e kundroi dhe e tregoi këtë.
