Kërko

Leoni XIV pret në audiencë parlamentarët e Partisë Popullore Evropiane. Leoni XIV pret në audiencë parlamentarët e Partisë Popullore Evropiane.

Leoni XIV: kërkoni unitet, jo konflikt që çon në shkatërrim

Papa priti në audiencë, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, rreth 190 përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane, të cilët i nxiti të vendosin marrëdhënie me njerëzit në qendër të angazhimit të tyre: "Në epokën e triumfit të dixhitalit, veprimi politik rikërkon kthimin në analogjik". Së fundi, i inkurajoi ta kenë të mirën e përbashkët si qëllim të tyre, në mënyrë që politika të mund të bëhet "forma më e lartë e bamirësisë".

R.SH. - Vatikan

"Uniteti është gjithmonë superior ndaj konfliktit". Papa Leoni XIV e citoi këtë "shprehje të bukur dhe të thjeshtë" të Papës Françesku, për të riafirmuar misionin e politikës e cila, nëse orientohet “drejt së mirës së përbashkët", mund të përfaqësojë "formën më të lartë të bamirësisë".

Papa Prevost u shpreh kështu sot, 25 prill, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, duke pritur 190 parlamentarë nga Partia Popullore Evropiane (PPE). Kërkimi i unitetit - ky ishte thelbi i fjalimit të Papës - është qëndrim që na lejon të shohim "dinjitetin e thellë" tek të tjerët dhe të krijojmë "diçka të re, konstruktive", "përtej sipërfaqes së konfliktit" që, duke nxjerrë në pah "dallimet", të çon në "afirmimin e pushtetit" e, "në fund të fundit, në shkatërrim".

Evropa, projekt i themeluar mbi unitetin

Në fjalimin mbajtur në anglisht, Papa pohoi se ishte "i kënaqur" që vazhdoi takimet me përfaqësuesit e PPE-së (Partisë Popullore Evropiane), të ndjekura edhe nga paraardhësit e tij: Shën Gjon Pali II, Benedikti XIV dhe Papa Françesku i cili, në qershor 2023, i paaftë t'i priste ata sepse i shtruar në Spitalin Gemelli për operacion, u shkroi një mesazh.

Partia Popullore Evropiane "e merr frymëzimin e saj politik", kujtoi Papa, nga "etërit themelues të Evropës moderne": Konrad Adenauer, Kancelari i parë i Republikës Federale të Gjermanisë; Alcide De Gasperi, burrë shteti dhe themelues i Demokratëve të Krishterë në Itali, Robert Schuman,  politikan francez i cili, pas Luftës II Botërore, propozoi krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, që u konsiderua embrioni i parë i Bashkimit të ardhshëm Evropian. Qëllimi i tyre ishte pikërisht uniteti, "të krijonin bashkëpunim të aftë për të kapërcyer shekuj përçarjesh".

Etërit themelues ishin të gjallëruar nga feja e tyre personale dhe i konsideronin parimet e krishtera si faktorë të përbashkët e unifikues, që mund të ndihmonin për t’i dhënë fund frymës revanshiste dhe konfliktuale, që kishte çuar në Luftën II Botërore.

Politika është "forma më e lartë e bamirësisë".

"Veprimi politik", argumentoi Ipeshkvi i Romës, ka një "detyrë të dorës së parë”: "shikim të gjerë për të ardhmen", "pa u frikësuar se do të bëjë zgjedhje të vështira" ose "jopopullore", duke i vënë njerëzit në qendër të angazhimit të tyre, e duke i parë si pjesëmarrës aktivë, e kurrë si marrës pasivë. Një mënyrë që, nëse kombinohet me ndjekjen e vazhdueshme të "të së mirës së përbashkët", mund ta ngrejë politikën në "formën më të lartë të bamirësisë", siç theksoi Piu XI në vitin 1927, në një audiencë me udhëheqësit e Federatës së Universiteteve Katolike. Për më tepër, një parti me fjalën "popullore" në emër, nuk mund të mos jetë e orientuar drejt njerëzve, vërejti Papa.

Ju quheni Partia Popullore Evropiane (European People-s Party): populli është qendra e angazhimit tuaj, gjë që nuk mund ta injoroni. Populli nuk është thjesht subjekt pasiv, marrës i propozimeve dhe vendimeve politike. Ai, mbi të gjitha, është i thirrur të jetë subjekt aktiv, bashkëpjesëmarrës në çdo veprim politik.

Rikrijimi i një pëlhure "të popullit"

Marrëdhënia, ndërmjet politikës dhe popullit “në vitet e fundit", vërejti Leoni XIV, është keqësuar. "Harmonia", "bashkëpunimi" dhe "angazhimi i ndërsjellë" janë dobësuar. Teknologjia e informacionit, me aftësinë e saj për të arritur qytetarët nga distanca, nuk ka kontribuar në kultivimin e kësaj marrëdhënieje themelore.

Na duhet të rikrijojmë një strukturë "popullore", një kontakt personal ndërmjet qytetarit e deputetit, për të qenë në gjendje t'u përgjigjemi në mënyrë efektive problemeve konkrete të njerëzve, në dritën e një horizonti ideal. Duke përdorur një metaforë, mund të themi se në epokën e "ngadhënjimit dixhital", veprimi politik i orientuar autentikisht drejt të mirës së përbashkët, rikërkon kthim "analogjik".

Të jesh i krishterë i angazhuar në politikë

Rivendosja e marrëdhënieve me njerëzit, shton Papa, mund të jetë antihelm i një politike "që shpesh bërtet sa i ha zëri, reduktohet në slogane" e, mbi të gjitha, nuk arrin t'u përgjigjet "nevojave reale të popullit". Për ta bërë këtë, është e nevojshme “ta rizbulosh dhe ta përqafosh trashëgiminë e krishterë, nga e cila vjen".

Të jesh i krishterë në politikë, nuk do të thotë të jesh rrëfyes,  përkundrazi, të lejosh që Ungjilli t'i ndriçojë vendimet që duhen marrë, madje edhe ato që nuk duket se fitojnë konsensus të lehtë. (…) Të jesh i krishterë i angazhuar në politikë, kërkon perspektivë realiste, duke filluar nga problemet konkrete të njerëzve.

Liri e rrënjosur në të vërtetën

Kjo përfshin, përfundoi Leoni XIV, “promovimin e kushteve dinjitoze të punës, ndihmën për të kapërcyer frikën e krijimit të një familjeje dhe dëshirën për të pasur fëmijë". Do të thotë "të përballosh shkaqet rrënjësore të emigrimit", "duke llogaritur aftësitë reale të migrantëve për t`u mirëpritur e për t`u integruar në shoqëri". Por do të thotë gjithashtu përballimin e sfidave të kohës sonë, siç është "kujdesi për krijimin dhe inteligjencën artificiale". E, mbi të gjitha, gjithmonë, promovimi i një lirie që "nuk është e banalizuar", por "e ankoruar në të vërtetën": parim që përkthehet në angazhimin për mbrojtjen e lirisë fetare, lirisë së mendimit dhe lirisë së ndërgjegjes, "në çdo vend dhe në çdo gjendje njerëzore".

25 prill 2026, 17:30