Leoni XIV kryeipeshkvit të Canterbury-t: të krishterët duhet të bashkohen për të dëshmuar paqen
R.SH. / Vatikan
Të bashkuar për të shpallur paqen në një botë të shkatërruar nga konflikti. Në përputhje me traditën e takimeve ndërmjet kryeipeshkvijve të Canterbury-t dhe Ipeshkvijve të Romës, Papa Leoni XIV priti në Vatikan Hirësinë e Saj Sarah Mullally, autoritetin më të lartë shpirtëror të Kishës Anglikane, e cila zyrtarisht mori detyrën më 25 mars. Gjashtëdhjetë vjet kanë kaluar që nga ajo datë që ai e quajti "takimi i paharrueshëm midis Shën Palit VI dhe kryeipeshkvit Michael Ramsey", dhe rruga drejt marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta, të përqendruara në përpjekjet e përbashkëta për t'u thënë 'jo' luftërave në botë, shihet si më e ngutshme se kurrë. Do të ishte një "shkandull", tha Papa, sikur të mos punohej për të kapërcyer dallimet, "sado të pakapërcyeshme që mund të duken".
Dëshmi e paqes së paarmatosur të Krishtit
Midis të pranishmëve në audiencë ishte edhe drejtori i Qendrës Anglikane në Romë, ipeshkvi Anthony Ball, i cili sonte do të emërohet Përfaqësues i kryeipeshkvit të Canterbury-it pranë Selisë së Shenjtë. Takimi, që u zhvillua në mes të kohës së Pashkëve, i dha Papës mundësinë për të përsëritur nevojën për të qenë lajmëtarë të paqes të Krishtit të Ngjallur, një paqe, pikërisht, "e paarmatosur" sepse "Krishti gjithmonë i është përgjigjur dhunës dhe sulmeve me guxim të paarmatosur, duke na ftuar të bëjmë të njëjtën gjë". Thjesht duke parë nga Krishti, të krishterët, shpreson Pasardhësi i Pjetrit, duhet " të japin dëshmi profetike dhe të përvuajtur së bashku të këtij realiteti të padiskutueshëm".
Ushtoi në këto fjalë në mënyrë të qartë motoja ipeshkvnore e zgjedhur nga Papa Leoni dhe e vërtetuar edhe nga shërbimi i tij në selinë e Shën Pjetrit dhe gjithashtu jehuan fort edhe fjalët e Mesazhit të tij për Ditën Botërore të Paqes.
Të hiqet çdo gur që pengon
I vetëdijshëm për nevojën e bashkimit ndërmjet të krishterëve për ta bërë ungjillëzimin "më të frytshëm", Papa e solli vështrimin nga plagët e sotme në vise të ndryshme të rruzullit dhe bëri thirrje për vëmendje të pareshtur ndaj kësaj teme, e cila është në të njëjtën kohë edhe një qëllim:
Ndërsa bota jonë që vuan ka nevojë të madhe për paqen e Krishtit, përçarjet midis të krishterëve e ligështojnë aftësinë tonë për të qenë bartës efektivë të asaj paqeje. Nëse duam që bota ta përqafojë predikimin tonë, duhet të jemi të vazhdueshëm në lutjet tona dhe në përpjekjet tona për të hequr çdo pengesë që pengon shpalljen e Ungjillit.
Të shpallim Krishtin duke kapërcyer sfidat në çështjet përçarëse
Pragmatizmi i Papës është shembullor. Në fjalimin e tij drejtuar kryeipeshkvit të Canterbury-t, duke iu referuar atyre temave që mbeten si burim përçarjesh, ai tha: "Nuk duhet të lejojmë që këto sfida të vazhdueshme të na pengojnë të shfrytëzojmë çdo mundësi të mundshme për t'ia shpallur Krishtin së bashku botës". Në vijim, Leoni XIV nënvizoi:
Ky rrugëtim ekumenik ka qenë padyshim i ndërlikuar. Ndërsa është bërë shumë përparim në çështjet historikisht përçarëse, probleme të reja kanë lindur dhjetëvjeçarët e fundit, duke e bërë rrugën drejt bashkimit të plotë më të vështirë. E di që edhe Bashkimi Anglikan po përballet tashpërtash me shumë çështje të ngjashme.
Do të ishte një shkandull po të mos punohej për të kapërcyer dallimet.
Në mbyllje të këtij takimi, Papa Leoni XIV përsëriti, ripohoi dhe plotësoi atë që paraardhësi i tij, Papa Françesku u pat thënë të Parëve të Bashkimit Anglikan në vitin 2024, kur u shpreh se është "shkandull" nëse ndarjet do të minonin pranimin e Ungjillit nga ana e të gjithëve. Sot, Papa përdori të njëjtën fjalë:
Nga ana ime, do të shtoja se do të ishte gjithashtu një shkandull nëse nuk do të vazhdonim të punonim për të kapërcyer dallimet tona, sado të pakapërcyeshme që mund të duken ato.
