Edicioni i tretë i Festës së Ngjalljes në Sheshin Cibeles, Madrid, Spanjë. Edicioni i tretë i Festës së Ngjalljes në Sheshin Cibeles, Madrid, Spanjë.

Leoni XIV: Gëzimi i Pashkëve është një muzikë që mposht dorëzimin dhe mediokritetin shpirtëror

Kryeipeshkvi Piero Pioppo, nunc apostolik në Spanjë dhe Andorrë, lexon një mesazh nga Papa me rastin e edicionit të katërt të "Festës së Ringjalljes" në Plaza Cibeles, Madrid. Urimet dhe bekimi i Papës për ngjarjen: "Sa do të doja që vetë ekzistenca e të krishterëve të bëhej një koncert!"

R. SH. / Vatikan

«Ashtu si menjëherë pas Ngjalljes së KrishtitvZot, e cila ndodhi më shumë se dy mijë vjet më parë, "shumë trupa shenjtorësh që kishin vdekur u ringjallën", dolën nga varret e tyre dhe "hynë" në Jerusalem, ashtu edhe sot Pashkët nuk "mbeten të mbyllura në varr", por "shpërthejnë në qytet dhe hyjnë në jetën e përditshme nëpërmjet vetë jetës së njerëzve.»

Ky është një fragment nga mesazhi i Papa Leonit XIV, të cilin kryeipeshkvi Piero Pioppo, nunc apostolik në Spanjë dhe Andorrë lexoi këtë mbrëmje, më 11 prill, me rastin e përvjetorit të katërt të "Festës së Ringjalljes", kremtuar në Plaza Cibeles, një nga vendet më domethënëse në Madrid. Në ngjarjen, ku morën pjesë mbi 60,000 vetë, interpretuan artistë të tillë si grupi Hakuna, Gypsy Kings dhe këngëtarja xhamajkane Liz Mitchell.

Krishti bëhet i pranishëm te shenjtërit e sotëm

Në mesazhin e tij për kremtimin e Pashkëve, Papa bekoi këtë mënyrë muzikore të shprehjes së gëzimit për Ngjalljen e Krishtit.

Kjo është arsyeja pse është diçka e mrekullueshme që jeni mbledhur për të festuar dhe që po e bëni këtë për të katërtin vit radhazi. Është mirë dhe e nevojshme që edhe Pashkët të gjejnë një gjuhë muzike, takimi dhe gëzimi të përbashkët. Besimi në Jezu Krishtin i jep kuptim gëzimit njerëzor, e dlirë atë, e lartëson dhe e përmbush.

Pashkët dalin nga varri dhe pushtojnë qytetet dhe historinë edhe nëpërmjet jetës së shenjtërve, "martirëve dhe dëshmitarëve të Jezusit". Ata janë modeli që të krishterët e sotëm duhet të ndjekin. Duke i imituar, "Krishti kthehet dhe ecë rrugëve", Ai vjen në jetë, këtu dhe tani.

Bota duhet të dëgjojë për Krishtin dhe ta shohë atë në veprat e të krishterëve që jetojnë risinë e pagëzimit. Ne kemi nevojë për të rinj që nuk turpërohen nga Ungjilli, bashkësi që rrezatojnë shpresë, dëshmitarë të aftë ta bëjnë Zotin të pranishëm në çdo mjedis dhe jetë njerëzore që e bëjnë të dukshme bukurinë e besimit.

Gëzimi i Pashkëve shpërthen në muzikë dhe këngë

Kremtimi muzikor në sheshin Cibeles në Madrid bëhet kështu – në mesazhin e përshëndetjes dhe të bekimit të ipeshkvi i Romës – një shprehje shembullore e gëzimit të Pashkëve, e një lumturie të papërmbajtshme që duhet të jetë në gjendje të shprehet në format artistike të këngës dhe muzikës dhe në bashkimin harmonik të kaq shumë njerëzve. Kjo është një formë shprehjeje e haresë që Leoni XIV mendon se mund ta ndajmë emocionalisht dhe personalisht.

Sa do të doja të kishte festime në të gjithë botën! Sa do të doja që gëzimi i Pashkëve të gjente zëra, fytyra dhe këngë kudo! Por edhe më shumë: sa shumë dëshiroj që vetë ekzistenca e të krishterëve të bëhet një koncert, një harmoni e madhe besimi, uniteti, bashkësie dhe bamirësie, në gjendje t'i kumtojë botës se Krishti është gjallë! Le të ndriçojë zjarri i Qiriut të Pashkëve nga tempujt tuaj. Le të mundë çdo vaktësi të brendshme, çdo dorëzim, çdo mediokritet shpirtëror.

"Shihemi në qershor"

Në fund, Papa Leoni XIV fton ta sjellim këtë muzikë gëzimi në jetët tona, duke e bërë "ekzistencën një këngë të re që përtërin Kishën dhe i sjell botës dritën e të Ringjallurit!".

Më tej, Papa u siguron lutjet dhe bekimin e tij besimtarëve në Spanjë, duke i ftuar të piqen me të në takimin e ardhshëm gjatë udhëtimit të tij apostolik në Gadishullin Iberik: "Dhashtë Zoti e shihemi në qershor!"

11 prill 2026, 17:10